OpEd

Dekarbonizimi tani është imperativ strategjik

BE-ja është e gatshme ta mbështesë komunitetin global për t'i dhënë fund varësisë nga lëndët djegëse fosile. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës nuk është arsye për t’i vonuar investimet në veprimin e klimës. Përkundrazi, më shumë investime të gjelbra do të na japin më shumë autonomi strategjike

Pushtimi rus i Ukrainës e ka detyruar Bashkimin Evropian ta përshpejtojë ritmin e politikës sonë të energjisë dhe klimës. Pasi Kremlini e ka përdorur gjithnjë e më shumë energjinë si mjet për ndikim politik, ne duhet ta privojmë atë nga kjo levë duke reduktuar rrënjësisht varësinë tonë nga importet e karburanteve fosile të Rusisë.

Arsyeja gjeopolitike për ta bërë këtë përputhet me imperativin për t’i trajtuar ndryshimet klimatike. Raporti i fundit i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike mbi zbutjen shtjellon urgjencën e kësaj detyre. Emetimet totale të gazrave serrë duhet të arrijnë kulmin deri në vitin 2025 nëse duam të shmangim rritjen katastrofike të temperaturave globale. Për më tepër, kalimi i gjithë ekonomisë në energjinë e pastër duhet të menaxhohet me kujdes për të llogaritur pasojat e pashmangshme sociale dhe ekonomike; duhet të jetë “transicion i drejtë”.

BE-ja dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë rol jetik për të luajtur në këtë transicion. Investimet në burimet e rinovueshme, efikasitetin e energjisë dhe teknologjitë inovative si hidrogjeni i gjelbër janë mjete të rëndësishme për t'u marrë me agresionin e Rusisë dhe për të ndihmuar në shpëtimin e planetit nga varësia nga karburantet fosile. Çdo euro që shpenzojmë për transicionin e energjisë në BE është një euro që e mbajmë larg nga duart e fuqisë autoritare që bën luftë agresive. Çdo euro që shpenzojmë për energjinë e pastër rrit lirinë tonë për të marrë vendimet tona. Çdo euro që shpenzojmë për t’i ndihmuar partnerët tanë ndërkombëtarë të përshpejtojnë strategjitë e tyre të dekarbonizimit është investim në qëndrueshmëri dhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, BE-ja ka përshpejtuar planet e saj të transicionit energjetik për të ndihmuar në përfundimin e mbështetjes së Evropës nga importet ruse të karburanteve fosile sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe pse kjo nuk do të ndodhë brenda natës, stimujt për ta bërë këtë tani janë më të mëdha se kurrë. Ne mund të arrijmë pavarësinë e energjisë duke përmirësuar efikasitetin, duke diversifikuar furnizimet dhe duke rritur burimet e rinovueshme. Ky proces kërkon mobilizim në të gjitha nivelet – nga organet mbikombëtare e deri te familjet dhe individët.

Ka dy paralajmërime të rëndësishme për t'u marrë parasysh. Së pari, kërkimi për furnizues alternativë të gazit natyror – sado kritik në terma afatshkurtër – nuk duhet të na mbyllë në varësinë e re afatgjatë që kërkon investime të mëdha në infrastrukturën e karburanteve fosile. Kjo do të ishte e kushtueshme, katastrofike për planetin dhe përfundimisht e panevojshme, duke pasur parasysh opsionet më të ndërgjegjshme për klimën që janë në dispozicion.

Së dyti, nuk duhet të shkëmbejmë një pengesë me tjetrën, duke shkëmbyer varësinë tonë të tepërt nga lëndët djegëse fosile me varësinë e tepërt nga lëndët e para të nevojshme për transicionin e gjelbër. Këto burime janë të përqendruara shumë në vetëm një pjesë të vogël të vendeve, jo të gjitha kanë të njëjtat vlera dhe interesa si BE-ja. Forcimi i autonomisë strategjike dhe elasticitetit të BE-së duhet të mbetet objektiv kyç i transicionit.

Evropa nuk mund ta bëjë këtë e vetme. Fitimi i betejës kundër ndryshimeve klimatike dhe përballja e agresionit rus janë sfida globale që kërkojnë përgjigje globale. Lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, ka forcuar arsyetimin strategjik për të gjitha vendet për të reduktuar importet e tyre të karburanteve fosile dhe për të investuar më shumë në zgjidhjet e energjisë miqësore me klimën.

Kjo është arsyeja pse BE-ja është e angazhuar në mënyrë aktive në diplomacinë klimatike. Ne duam t’i inkurajojmë të tjerët që t’i rrisin ambiciet e tyre klimatike dhe kemi angazhuar burime të konsiderueshme për të punuar me vendet partnere, në mënyrë që edhe ata të mund të lëvizin drejt ekonomisë elastike me emetime zero neto. Nëpërmjet Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe nismës së re “Global Gateway” të BE-së, institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare po mobilizojnë deri në 300 miliardë euro (325 miliardë dollarë) investime në infrastrukturën e gjelbër dhe digjitale për t’i adresuar krizat e klimës, të biodiversitetit dhe energjisë.

Për më tepër, EIB-ja është zotuar të mbështesë 1 trilion euro investime në veprimin klimatik dhe qëndrueshmërinë mjedisore deri në vitin 2030. Nëpërmjet krahut të saj të ri të zhvillimit, “EIB Global”, banka po punon me partnerë në mbarë botën për të mobilizuar financat për efikasitetin e energjisë, burimet e rinovueshme dhe projektet e rrjetit të energjisë elektrike.

Duke punuar si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të BE-së nën Team Europe, mbështetja e BEI-së për të ardhmen me energji të pastër varion nga investimi në energjinë diellore në Senegal deri te financimi i kopshteve me më shumë efikasitet energjie në Armeni. Banka ka ndihmuar gjithashtu në krijimin e Partneritetit të Transicionit të Drejtë të Energjisë me Afrikën e Jugut; ofroi mbështetje për Aleancën Ndërkombëtare Diellore me bazë në Indi, e cila mbështet zhvillimin e energjisë diellore në 105 vende tropikale; dhe nënshkroi skemën e integruar të menaxhimit të ujit dhe parandalimin e përmbytjeve në Argjentinë.

BE-ja është e gatshme ta mbështesë komunitetin global për t'i dhënë fund varësisë nga lëndët djegëse fosile. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës nuk është arsye për t’i vonuar investimet në veprimin e klimës. Përkundrazi, më shumë investime të gjelbra do të na japin më shumë autonomi strategjike. Dekarbonizimi është bërë imperativ gjeopolitik. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë globalë në qeveri dhe në të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare që të bashkohen me ne në përshpejtimin e financimit për energjinë e pastër. Duke ndjekur neutralitetin klimatik, ne mund të arrijmë gjithashtu sigurinë energjetike.

(Josep Borrell, përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, është zëvendëspresident i Komisionit Evropian për Evropën më të fortë në botë. Werner Hoyer është president i Bankës Evropiane të Investimeve. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).