OpEd

Një ditë e mirë për Evropën

Në Francë fiton Emmanuel Macroni dhe në Slloveni humb Janez Jansha. Ç’domethënë kjo për Kosovën?

1.

Presidenti amerikan, Joe Biden, pas rizgjedhjes së Emmanuel Macronit në postin e presidentit të Francës tha se Franca është aleati më i vjetër i SHBA-së. Mund të jetë kështu, historikisht, por sa i përket demokracisë, SHBA-ja ka diçka për të mësuar nga Franca. Për dallim nga SHBA-ja ku popullisti Donald Trump ende nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve dhe ku një numër frikshëm i konsiderueshëm i republikanëve besojnë se Joe Biden është president jolegjitim, në Francë është pak më ndryshe. Marine Le Pen është politikane ekstremiste dhe njëra nga udhëheqëses së të djathtës ekstreme evropiane, por ajo të dielën në mbrëmje nuk u bëri thirrje përkrahësve të saj për të sulmuar parlamentin francez. Por sjellja e Le Pen nuk është arsye për të festuar. 40 për qind e votueseve dhe votuesve francezë kanë votuar për programin e saj racist, antiperëndimor, të rrezikshëm.

2.

Për Kosovën fitorja e Le Penit do të ishte një katastrofë (kuptohet edhe për Evropën). Le Pen përkrahet prej vitesh nga regjimi rus i Vlladimir Putinit, mes tjerash edhe me kredi. Në zgjedhjet e vitit 2017 “mediat” ruse përhapën “lajmin” se Emmanuel Macron është homoseksual. Qëllimi i këtyre raportimeve ishte të ndihmohet Marine Le Pen. E djathta ekstreme franceze (ashtu si e majta ekstreme franceze) kundërshton pavarësinë e Kosovës hapur dhe e shtyrë nga motivet raciste. Macron së paku nuk e bën këtë, por viteve të fundit ai është bllokuesi kryesor i heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës. Parë gjeografikisht: nga Rusia e këtej, Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë pa liri të lëvizjes brenda zonës së Schengenit. Po ashtu Franca ka bllokuar edhe hapjen e negociatave për hyrjen e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në BE. Pas rizgjedhjes president Macron do të mund të bëjë dy hapa të rëndësishëm: të zhbllokojë liberalizimin e vizave dhe fillimin e negociatave të BE-së me Tiranën dhe Shkupin. A do ta bëjë këtë, mbetet të shihet. Përballë rrezikut rus për mbarë Evropën, një integrim i Ballkanit në BE do të ishte një hap i logjikshëm. Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë një politikë proaktive ndaj Francës. Në këtë drejtim është humbur mjaft kohë nga diplomacia kosovare, e cila në raport jo vetëm me Francën shpesh sillet në rreth. Pozitive është se gjatë fushatës elektorale Macron nuk e atakoi BE-në siç bëjnë shumë popullistë (shih Viktor Orbanin në Hungari). Macron po ashtu ka hequr dorë nga kritika ndaj NATO-s siç ka bërë në të kaluarën. Agresioni rus kundër Ukrainës ka ndikuar që Perëndimi të shtrëngojë radhët.

3.

Lajmi tjetër i mirë nga e diela që shkoi është humbja e Janez Janshës në Slloveni. Nga prizmi kosovar Sllovenia ka qenë përherë shteti model dhe politikanët sllovenë shembull të parimësisë. Por viteve të fundit politika në Slloveni është ballkanizuar dukshëm. Dhe fajtor për këtë është në radhë të parë Janez Jansha. I përfolur për korrupsion, i akuzuar për sulme brutale ndaj mediave të pavarura apo opozitare, Janez Jansha ka qenë ndër liderët e vetëm të një vendi të BE-së i cili pas zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA me kryeneçësi insistoi se fitues është Donald Trumpi, andaj Jansha me ditë të tëra refuzoi të urojë Joe Bidenin.

4.

Në raport me Kosovën, politikanët sllovenë viteve të fundit nuk e kanë lënë përshtypjen se kundërshtojnë ndryshimin e kufijve. Gjatë kryesimit të BE-së nga Sllovenia në opinion u plasua një dokument që parashihte një “rirregullim” territorial të Ballkanit, që do të përfshinte edhe dekompozimin e Bosnjës, duke marrë parasysh një pjesë të madhe të kërkesave të liderit serb të Bosnjës, Millorad Dodik. Me qeverinë e re sllovene (liberale, e gjelbër, proevropiane) rajoni i Ballkanit mund të shpresojë në ndryshimin e qasjes së Lubjanës. Janez Jansha, Trumpi i Sllovenisë, me gjasë për një kohë të caktuar i përket së kaluarës.

5.

Në të dyja vendet, në Francë dhe Slloveni, do të duhej të fillonte një debat se si mund të luftohet popullizmi. Dy nga pesë francezët besuan se Le Pen do të ishte presidente më e mirë se Macron. Në Slloveni një politikan provokator si Jansha arriti të qëndrojë në pushtet pafalshëm gjatë. E diela ishte një ditë e mirë për Evropën, por rreziku i popullizmit mbetet.