Vështrime

Projektligji i ri, domosdoshmëri e kohës për të vendosur rregulla për transparencë dhe llogaridhënie në financimin e subjekteve politike në Kosovë

Projektligji i ri, domosdoshmëri e kohës për të vendosur rregulla për transparencë dhe llogaridhënie në financimin e subjekteve politike në Kosovë

Financimi i subjekteve politike dhe mungesa e transparencës për të treguar burimet e financimit janë dukuri pothuajse në të gjitha subjektet politike, duke i shndërruar ato në subjekte lehtë të korruptueshme, sidomos kur kjo është e nevojshme për to në kohë fushatash zgjedhore. Pikërisht në këso momentesh, ato u japin mundësi të favorshme bizneseve, korporatave, sindikatave, por edhe grupeve të tjera të interesit që në emër të mbështetjes financiare të “parablejnë” një ose më shumë subjekte politike, ku si kundërvlerë kërkohet kthimi në forma të ndryshme, duke përfshirë edhe favoret e ndryshme në konkurse publike për të fituar kontrata publike ose krijim të monopoleve në sektorë të caktuar të tregut. Në këtë raport kaq të brishtë nuk ka qenë imun as Kosova.

Përkundër që korniza ligjore për financimin e subjekteve politike ekziston nga viti 2010 me plotësim-ndryshimet në vitin 2012 dhe 2013, ajo është konsideruar e pamjaftueshme dhe joefektive edhe pas 12 vjetëve, ndërsa problemet në financimin dhe auditimin e subjekteve politike veçsa janë rritur.