OpEd

Ne duhet ta ndryshojmë këndvështrimin tonë për temën e radikalizmit

Tema e radikalizmit dhe debatet rreth kësaj çështjeje gjithmonë janë lidhur padrejtësisht me fenë, e në veçanti me fenë islame. Kjo qasje ishte dhe vazhdon të jetë e gabuar, dhe vetëm sa e ka përkeqësuar sfidën e ballafaqimit me faktorët aktualë që formësojnë radikalizmin në Kosovë. Shoqërisë kosovare i duhet një diskutim i hapur dhe i sinqertë për atë se çfarë e shtyn radikalizmin në vendin tonë. Kur themi radikalizëm, termi vetë është problematik, por në kontekst u referohet proceseve shoqërore përmes të cilave një individ mban një qëndrim radikal kundër normave, proceseve dhe parimeve të vendosura në shoqëri për të protestuar kundër situatës në të cilën ndodhet. Shpesh kjo manifestohet përmes zemërimit dhe potencialit për konflikt, i cili mund të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë për agjendë keqdashëse.

Community Building Mitrovica (CBM) dhe Instituti i Kosovës për Paqe (KIP) me mbështetjen nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës janë duke zbatuar një projekt të fokusuar në kuptimin më të mirë të faktorëve aktualë që duhet të shihen si shqetësim, në aspektin e radikalizmit. Projekti ka punuar me dy studiues të cilët kanë zhvilluar një metodologji, dhe kanë mbikëqyrur një proces kërkimor që ka përfshirë 34 komuna të Republikës së Kosovës, ku janë realizuar 160 intervista gjysmë të strukturuara. Në secilën komunë janë intervistuar pesë lloje të aktorëve lokalë: përfaqësues komunalë dhe zyrtarë të sigurisë në komunitet; zyrtarët e policisë lokale; anëtarët e Kuvendit Komunal; aktivistë të shoqërisë civile lokale; dhe përfaqësuesit e bashkësisë fetare. Me fjalë të tjera, ne kemi për herë të parë një proces gjithëpërfshirës kërkimor mbi temën e radikalizmit në Kosovë. Gjetjet e përpiluara nga dy studiuesit tregojnë se duhet të ndryshojmë perceptimin dhe këndvështrimin tonë për temën e radikalizmit. Ndërsa, raporti i plotë do të bëhet publik nga CBM dhe KIP, është e rëndësishme të theksohen disa nga gjetjet kryesore përmes këtij opinioni.

Ndër gjetjet kryesore nga ky hulumtim është se “radikalizmi i frymëzuar nga religjioni nuk konsiderohet një kërcënim i madh i sigurisë në Kosovë. Ndryshe, ka pasiguri të tjera më të ngutshme dhe të përditshme që shqetësojnë komunitetet lokale në vend.” Më tej në raport thuhet se “Burimet kryesore të pasigurisë lokale janë kryesisht çështjet e përditshme dhe të zgjeruara të cilat priren të shfaqen në pothuajse të gjitha komunat pavarësisht prejardhjes etnike ose zhvillimit ekonomik.” Gjithashtu raporti ofron një analizë të rëndësishme për faktorët që formësuan apo mundësuan radikalizmin në të kaluarën, duke theksuar “tre grupe faktorësh: padrejtësia sociale dhe ekonomike dhe qeverisja politike; keqinformimet fetare dhe shpëlarja e trurit nga predikuesit joformalë; indiferenca kulturore dhe stigmatizimi i atyre që praktikojnë fenë në publik.” Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e strukturave lokale ose komunale, të cilat nuk janë përfshirë në mënyrë të mirëfilltë në hartimin dhe zbatimin e qasjeve për të adresuar radikalizmin.

Në përmbledhje, ajo që na thotë raporti është se ne duhet të rimendojmë faktorët që nxisin radikalizmin dhe të mendojmë për ridizajnimin e disa politikave publike. Shoqëria civile dhe komunat mund të marrin një rol më proaktiv në këtë proces. Përgjegjësia sociale e organizatave me bazë fetare gjithashtu duhet të rritet në përputhje me eksplorimin e kanaleve të reja të bashkëpunimit me sektorin publik. 

(Ky artikull botohet në kuadër të projektit të përbashkët CBM/KIP, që promovon fuqizimin e ndikimit në trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm, përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës. Sidoqoftë, mendimet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë ato të Ambasadës Holandeze në Kosovë).