OpEd

Matryoshkat e shqetësuara ruse

Interesat e ngushta ekonomike për shfrytëzimin e gazit rus i bën shumë shtete të Evropës që të jenë më të matura karshi kërcënimeve të tyre ndaj Rusisë, e cila po qe se ua ndërpret furnizimin këta muajt e dimrit, ndërkohë që ato edhe ashtu po përballen me krizë të paparë energjetike, medoemos se do të prodhonte pakënaqësi qytetare dhe trazira

Sot përsëri më doli gjumi ashtu shumë herët dhe sikur të ishte një zgjim nga një makth. Rrallëherë shoh ëndrra apo ndoshta thjesht ato nuk më kujtohen pasi që të zgjohem. Mirëpo ky makth më shumë më vjen nga mendimet e errëta, parandjenjës së një situate të keqe dhe testimit të tij për njerëzimin dhe për Evropën në veçanti.

Daullet e luftës dhe invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës ka kohë që dëgjohen për ata të cilët kishin veshë, ndërsa tani ajo gjë veçse është bërë e dukshme dhe vetëm një mrekulli mund që ta parandalojë atë gjë. Edhe dy tentativat e fundit diplomatike të Perëndimit, respektivisht të Amerikës, nuk shënuan ndonjë sukses në tejkalimin dhe parandalimin e kësaj katastrofe potenciale. Mbetet edhe takimi midis sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, nëse do të mund të evitohej më e keqja, e që unë personalisht dyshoj shumë në atë gjë.

Ukraina tashmë është e rrethuar nga më shumë se 120.000 ushtarë rusë dhe pajisje të tyre ushtarake. Rrethimi vjen nga të gjitha pikat kufitare me Rusinë, si dhe me shtetet e tjera satelite të Rusisë, si Bjellorusia dhe Moldavia.

Thirrjeve disamujore të ukrainasve drejt botës perëndimore për ndihmë në mbrojtjen e saj dhe vlerave evropiane iu përgjigj në njëfarë mase Britania e Madhe duke i dërguar asaj armatim për mbrojtjen e saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kërcënojnë Rusinë me embargo dhe sanksione të papara deri më tani dhe se asnjë bankë në Rusi nuk do të jetë në gjendje që të punojë me dollarët amerikanë.

Shtetet e tjera evropiane të shtrënguara nga shfrytëzimi i gazit rus janë në pozitë të palakmueshme që të bëjnë diçka konkrete kundër Rusisë e aq më pak tash në muajt e dimrit. I tillë ishte edhe rasti me Gjermaninë, e cila u raportua se e bllokoi dërgesën e armatimit nga ana e Britanisë së Madhe për Ukrainën nëpërmjet shfrytëzimit të hapësirës së saj ajrore.

Interesat e ngushta ekonomike për shfrytëzimin e gazit rus i bën shumë shtete të Evropës që të jenë më të matura karshi kërcënimeve të tyre ndaj Rusisë, e cila po qe se ua ndërpret furnizimin me gaz këta muajt e dimrit, ndërkohë që ato edhe ashtu po përballen me krizë të paparë energjetike dhe shtrenjtim të shfrytëzimit të rrymës elektrike, medoemos se do të prodhonte pakënaqësi te popujt evropianë e edhe trazira shoqërore.

Shtoja kësaj të gjitha pakënaqësitë dhe frustrimet e popullatës me qeveritë e tyre dhe menaxhimin e pandemisë me Covid-19, trazirat dhe mosbindja qytetare do të ishin të pashmangshme.

Mendoj se shërbimet ruse të inteligjencës i kanë kryer detyrat e tyre dhe ata e dinë se kur janë armiqtë potencialë të shtetit të tyre më të cenueshëm. Nuk do të ngurrojnë që ta lëvizin secilën levë që atë cenim ta kthejnë në fitore potenciale ruse.

Po qe se fillon invazioni rus mbi Ukrainën, a do të mbetet kjo një luftë e izoluar?

Personalisht unë nuk e besoj atë gjë dhe mendoj se lufta në Ukrainë do të mund t’i ndizte edhe vatrat e tjera të interesit dhe apetiteve ruse përreth, siç janë: Lituania, Estonia, ndoshta edhe Polonia, e cila edhe ashtu ishte në marrëdhënie të acaruara me satelitin rus, Bjellorusinë. E përbashkëta e të gjitha këtyre shteteve është se dikur ose ishin republika në kuadër të Bashkimit Sovjetik, ose pjesë e Paktit të Varshavës, ndërsa sot janë shtete të Bashkimit Evropian dhe Aleancës së NATO-s. Zgjerimit të interesave të Perëndimit mu pranë hundëve të ariut rus si duket i ka "ardhur fundi". Së paku, sipas asaj çka po shohim në terren dhe mënyrën se si po sillet Federata Ruse.

Në rast të ndonjë lufte midis Rusisë dhe Ukrainës, kjo luftë do të gjente një Evropë e cila nuk është në gjendje ta nxjerrë edhe një mace nga përsheshi, si dhe një Amerikë së fundmi të turpëruar me mënyrën se si u tërhoq nga Afganistani dhe krizën të cilën e shkaktoi me atë rast. E të gjitha këto Vladimir Putini i di, prandaj ai e eksploaton situatën deri në maksimumin e mundshëm.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se ai mendon se homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të "futet" në Ukrainë, por nuk dëshiron "luftë gjithëpërfshirëse".

Rusia ka bërë një sërë kërkesash për qeveritë perëndimore, duke përfshirë që Ukraina nuk duhet të bashkohet kurrë me NATO-n dhe se aktivitetet ushtarake të aleancës mbrojtëse duhet të kufizohen në shtetet anëtare, përfshirë Poloninë.

Bisedimet midis Perëndimit dhe Rusisë javën e kaluar nuk arritën një përparim, me disa nga kërkesat e Moskës që u refuzuan si jofillestare.

Zyrtarët e administratës dhe aleatët e NATO-s nuk mund të jenë të lumtur që Bideni i shpreh dallimet e NATO-s kaq publikisht dhe qartë. Mesazhet e pamëshirshme publike kanë qenë për unitetin. Por, presidenti ka zbuluar të çarat nën këtë duke shkaktuar një pyetje nëse ai po i jep leje Putinit për një inkursion.

Tani presidenti ka deklaruar qartë atë që të gjithë e dinin privatisht - se NATO-ja është e bashkuar në atë që duhet të jetë përgjigjja ndaj një pushtimi, por jo ndaj një inkursioni: "Ka dallime në atë që vendet janë të gatshme të bëjnë në varësi të asaj që ndodh.

"Nëse forcat ruse kalojnë kufirin duke vrarë ukrainas, kjo ndryshon gjithçka. Varet se çfarë bën ai në drejtim të arritjes së unitetit në NATO."

D.m.th. Putini veçse e ka marrë sinjalin nga Perëndimi se nëse do të ketë vetëm inkursion të forcave ruse pa viktima në njerëz ata "nuk do të reagojnë", por në rast të invazionit atëherë situata do të ishte tjetër. Në të njëjtën kohë, Putini i ka angazhuar të gjitha kukullat e tija matryoshka që të shkaktojnë jostabilitet aty ku ato janë, siç është rasti me serbët në Bosnjë- Hercegovinë, serbët në Malin e Zi, si dhe në relacionet Serbi - Kosovë. Të gjitha këto tensionime dhe kriza do t’i "shternin mundësitë" e Perëndimit që të merren edhe me problemin e Ukrainës dhe shteteve të tjera aty përreth. Matryoshkat e shqetësuara ruse e kanë për detyrë habitjen dhe shterjen e resurseve të armikut dhe zhurmën mediale. Çdo veprim tashmë është i sinkronizuar. Problemet me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë, rrëzimi i qeverisë në Malin e Zi dhe pritja për formimin e një qeverie pakicë, e cila do të kryesohet nga Dritan Abazoviq - e cila e ka përkrahjen e amerikanëve dhe aleatëve perëndimorë, provokimi i Serbisë me mbajtjen e referendumit të saj në territorin e Kosovës, e cila me gjithë përkrahjen për një gjë të tillë nuk u lejua nga Qeveria e Kosovës e mbështetur edhe me një rezolutë nga Kuvendi i Kosovës duke i qëndruar mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto gjëra ndodhnin në të njëjtën kohë dhe nuk ka asgjë e cila nuk mund të bindë se këto gjëra nuk ishin të simuluara dhe të orkestruara edhe nga kuzhinat e shërbimeve inteligjente ruse.

Ditët në vijim do të jenë vendimtare në atë se çfarë e pret Evropën në këtë fillimvit të 2022-s.

Ditarin do ta përmbyllja me një thënie nga dr. David Hawkins: "Skllavëria nga iluzioni është e rehatshme; është çlirimi nga e vërteta që njerëzit i frikësohen."