Vështrime

Një marrëveshje më e mirë për punëtorët e botës

Si pasojë e pandemisë globale të COVID-19, problemet e punës kanë ripërtërirë vëmendjen me shumë të drejtë. Mirëpo si munden punëtorët që jo vetëm të mos e marrin atë që ju takon, por edhe të mos kenë qasje në punë të denja që mundësojnë jetë kuptimplote?

Cambridge, 12 dhjetor - Katër dekadat e fundit të globalizimit dhe inovacionit teknologjik kanë qenë një ndihmë për ata me shkathtësi, pasuri dhe lidhje për të përfituar nga mundësitë dhe tregjet e reja. Mirëpo punëtorët e thjeshtë nuk kanë pasur shumë arsye për t’u gëzuar.

Në ekonomitë e zhvilluara, të ardhurat për ata me më pak arsimim shpesh stagnojnë, pavarësisht nga fitimet e produktivitetit të përgjithshëm të punës. Për shembull, që nga viti 1979 kompensimi i punëtorëve të prodhimit në SHBA është rritur në më pak se një të tretën e shkallë së rritjes të produktivitetit. Pasiguria dhe pabarazia në tregun e punës u rritën dhe shumë komunitete mbetën mbrapa pasi fabrikat u mbyllën dhe vendet e punës u nisën diku tjetër.