Vështrime

Rishikimi i kujdesit

Nëse mendojmë për kujdesin në këtë mënyrë, si një grup thelbësor marrëdhëniesh që na lejojnë të rritemi dhe të lulëzojmë si pjesë e një ekosistemi më të madh planetar, atëherë kujdesi bëhet një e mirë në kuptimin e mirëfilltë të asaj fjale. Duke e konsideruar kujdesin si përmbushje të një dëshire të thellë njerëzore dhe jo si një detyrim, ne mund ta kthejmë në një burim vlere dhe rrjedhimisht diçka për t'u shijuar, shpërblyer dhe respektuar. Mbi të gjitha, kujdesi mund të sigurojë rrugëdalje nga krizat tona aktuale mjedisore dhe shpirtërore, si një urë drejt një ekonomie të re dhe një kuptimi më të thellë të vetë njerëzimit

Washington, DC - Konferenca e fundit e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) dhe negociatat e vazhdueshme mbi projektligjin e infrastrukturës sociale të presidentit amerikan, Joe Biden, i njohur si “Akti Build Back Better”, kanë një veçori të rëndësishme. Në thelb të përpjekjeve globale për të zbutur dhe përshtatur ndryshimet klimatike është angazhimi për t'u kujdesur për planetin tonë. Në mënyrë të ngjashme, ligji i Bidenit është paradhënie për ndërtimin e një infrastrukture të tërë kujdesi – duke përfshirë lehoninë e paguar, kujdesin për fëmijët, kredinë tatimore për fëmijët dhe kujdesin e përballueshëm në komunitet dhe në shtëpi për këdo tjetër që ka nevojë për mbështetje – në Shtetet e Bashkuara.

Reagimi ndaj të dyja këtyre zhvillimeve historike na tregon diçka të rëndësishme për mënyrën se si shumë njerëz mendojnë për kujdesin. Në kontekstin e ndryshimeve klimatike, kujdesi për Tokën përkthehet në një sërë ndalimesh, kufizimesh dhe detyrash: ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë siç po bëjmë tani pa menduar për më të keqen. Dhe shumëkush e justifikon mbështetjen për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre do t'i lejonte kujdestarët, ende kryesisht gratë, të mbeten në fuqinë punëtore dhe kështu të jenë anëtarë “produktivë” të shoqërisë.