OpEd

Lufta e korrupsionit ndaj ligjit

Është e qartë që korrupsioni nuk do të çrrënjoset pa u luftuar. Dhe, prej bombave e plumbave deri te shkresat e veprimet, praktikuesit, mbrojtësit dhe zëvendësuesit e tyre, do të përdorin çdo armë për t’i përmirësuar mundësitë e tyre. Dhe duke mos u kënaqur me kërcënimin apo vrasjen e aktivistëve, gazetarëve dhe zyrtarëve, tani ata po synojnë vetësundimin e ligjit

Kur provon ta luftosh korrupsionin, edhe ai të lufton ty. Gazetarja hulumtuese malteze, Daphne Caruana Galizia, mund të jua tregonte këtë – nëse nuk do të vritej nga grupi i atyre që po i hetonte. Avokati ruandez antikorrupsion, Gustave Makonene, të cilin e mbytën dhe e hodhën nga një makinë, po ashtu nuk mund të flasë. Madje as aktivisti brazilian, Marcelo Miguel D’Elia, i cili u qëllua disa herë në një fushë me kallamsheqer pranë shtëpisë së tij nuk mund të flasë.

Oficerët policorë, prokurorët dhe zyrtarët publikë gjithashtu janë ballafaquar me pasoja të ndryshme duke u përpjekur t’i bëjnë ballë korrupsionit. Një zyrtar i tillë është Ibrahim Magu, i cili u bë ushtrues detyre i kryetarit të agjencisë kryesore të Nigerisë kundër korrupsionit, dhe Komisionit për Krimet Ekonomike dhe Financiare në vitin 2015. Më 2017, njerëz të armatosur sulmuan shtëpinë e Magut, duke vrarë një nga policët që po e ruante shtëpinë.

Por plumbat nuk ishin ata që përfundimisht neutralizuan Magun. Në vend të kësaj, largimi i tij nga zyra u projektua përmes “ligjit” - përdorimi (shkelja) i ligjit për qëllime politike.

Vitin e kaluar – gjatë kohës kur EFCC-ja thuhej se po hetonte akuzat për korrupsion kundër prokurorit të përgjithshëm, Abubakar Malami - Magu u arrestua dhe u ndalua mbi akuzat për korrupsion dhe mosbindje, të ngritura nga askush tjetër pos Malamit. Megjithëse, të njëjtat akuza u hetuan dhe u hodhën poshtë tre vjet më herët, Magu u pezullua nga zyra, dhe ishte në pritje të rezultatit nga Paneli Hetimor i ngritur nga presidenti Muhamadu Buhari.

Magus i ishin dhënë pak mundësi për ta mbrojtur veten. Për javë të tëra, ai ishte i ndaluar nga qasja në dëshmitë kundër tij, si dhe në mënyrë të përsëritur, iu mohua leja për t’iu drejtuar hetuesisë, ose për të marrë në pyetje dëshmitarët.

Për më tepër, mandati i hetuesisë, termat e referencës, dhe afati kohor sipas të cilit pritej t’i përmbahej nuk u zbuluan kurrë. Kjo e la Magun – i cili ka mbikëqyrur ndjekjen penale të shumë politikanëve të lartë me akuzat për korrupsion dhe sekuestrimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme në vlerë prej miliona dollarësh - jo vetëm të paaftë për të vazhduar punën e tij, por edhe të ekspozuar nda një procesi të pafund të kërcënimit.

Olanrevaju Suraju, një ndër aktivistët më të shquar të anti-korrupsionit në Nigeri, aktualisht është duke u përballur me sulmet e njëjta ligjore. Në fillim të këtij viti, ish-prokurori i përgjithshëm, Mohammed Adoke, e akuzoi Surajun për falsifikim të dëshmive në gjyqin për korrupsion në Milano, Itali - përfshirë kompanitë shumëkombëshe të naftës Shell dhe Eni. Akuzat kundër kompanive të cilat u liruan përfundimisht më pas, lidhen me blerjen e tyre të një blloku nafte nigerian në det të hapur, i njohur si OPL 245.

Duke i ndjekur akuzat e Adoke, Suraju u ndalua për t’u marrë në pyetje nga një njësi policore e mandatuar për të hetuar sjelljet e pahijshme të policisë - të mbikëqyrura drejtpërdrejt nga kreu i forcave policore të Nigerisë. Ai ka ofruar dëshmi që dokumentet në pyetje kanë qenë të mbajtura nga autoritetet italiane përmes një kërkese drejtuar Britanisë për ndihmë juridike të ndërsjellë. (Dokumentet kanë qenë të zbuluara të Gjykata e Lartë në Londër në rastin që Nigeria ka sjellë kundër JP Morgan Chase, për bankën që ka trajtuar pagesat për blerjen e fushës OPL 245).

Me këtë, akuzat për falsifikim ranë poshtë. Mirëpo problemet e tij ishin larg nga këtu. Në muajt pasues, njësia e Policisë kërkoi vazhdimisht që ai të udhëtonte 300 milje nga shtëpia e tij në Lagos tek selia e tyre në Abuja për t’u marrë në pyetje të mëtejshme. Ky ngacmim vazhdoi, edhe pasi Suraju mori një urdhër gjykate që e ndalonte këtë.

Sot, Adoke përballet me procesin gjyqësor në Nigeri mbi akuzat për keqbërje ndaj marrëveshjes së OPL 245. Mirëpo, kjo gjithashtu, i bëri pak mirë Suraju-s , i cili tani po ballafaqohet me akuza të reja: përndjekje kibernetike dhe shpifje ndaj Adoke.

Sipas pretendimeve, Suraju qarkulloi një e-mail të falsifikuar dhe manipuloi bisedën telefonike që synonte të implikonte Adoken në aferën e OPL 245. Në fakt, krejt çka ai bëri ishte shpërndarja e dokumenteve të zbuluara në gjyqin e Milanos dhe përsëritja e deklaratave të bëra nga qeveria e Nigerisë në gjykatë të hapur.

Akuzat e reja kundër Suraju bien nën një dispozitë të një ligji për krimin kibernetik që Gjykata e Drejtësisë e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore ka urdhëruar Nigerinë të shfuqizojë ose ndryshojë, me arsyetimin se shkel të drejtën e shprehjes së lirë. E qeveria nigeriane ka premtuar se do të veprojë ashtu.

Ndërkohë, në Itali, Fabio de Pasquale, prokurori i procesit gjyqësor në Milan për Shell dhe Eni, si dhe partneri i tij, Sergio Spadaro, janë duke u ndjekur penalisht për gjoja mbajtjen e provave nga mbrojtja. Dëshmia në pyetje përfshin një video, transkripta e së cilës shfaq procesverbalet gjyqësore që kanë qenë në duart e Enit për vite.

Çështja kundër Shell dhe Eni, tani po apelohet si nga prokuroria e Milanos ashtu edhe nga Republika Federale e Nigerisë. Por, për shkak të akuzave me të cilat përballet De Pasquale, që më parë fitoi dy dënime kundër dy kryeministrave italianë të akuzuar për korrupsion, ka gjasë të hiqet si prokuror kryesor në apel.

Ka një arsye për të besuar që as gjykimi i parë nuk ishte dhe aq i sinqertë. Që nga shpallja e pafajësisë, shtypi italian ka qenë i mbushur me akuza, që nëse konfirmohen, hedhin dyshime të mëdha në integritetin e vendimit.

Shqetësimet mbi ndershmërinë e gjykimit fillimisht u rritën në shkurt të vitit 2020. De Pasquale kërkoi të pranonte një deklaratë nga Piero Amara, një ish-avokat i jashtëm për një numër drejtuesish të Enit, duke konfirmuar se kompania kishte kryer mbikëqyrje të prokurorëve, dëshmitarëve kryesorë dhe gjyqtarëve. Kërkesa e tij u refuzua.

Amara po ashtu thuhet se ka pretenduar që avokatët e Eni-t kanë pasur qasje “preferenciale” tek gjyqtarët në rastin OPL 245- një pretendim që Eni e mohon. Mirëpo pastaj, kreu i zyrës së prokurorisë në Milan, Francesco Greco, ka konfirmuar që si De Pasquale dhe Spadaro ishin subjekt i një “frikësimi” dhe që ka pasur përpjekje të “delegjitimojë prokurorinë e Milanos”.

Është e qartë që korrupsioni nuk do të hiqet pa u luftuar. Dhe, prej bombave e plumbave deri te shkresat e veprimet, praktikuesit, mbrojtësit dhe zëvendësuesit e tyre, do të përdorin çdo armë për t’i përmirësuar mundësitë e tyre. Dhe duke mos u kënaqur me kërcënimin a vrasjen e aktivistëve, gazetarëve dhe zyrtarëve, tani ata po synojnë vetësundimin e ligjit.

(Autorja, avokate, është ish-deputete e Parlamentit Evropian, ku kishte shërbyer si zëvendësshefe e Komisionit të Hetimit të Shpëlarjes së Parave, Evazionit të Taksave dhe Mashtrimit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore.)

Përktheu: Blerta Haxhiu