Vështrime

Trauma që bartet nëpër breza

Përpjekja shumëvjeçare për rehabilitim ka treguar se pasojat e traumës së përjetuar nuk janë kufizuar vetëm te të mbijetuarit, por janë të shpërndara edhe në rrethin e tyre familjar

Për më shumë se 20 vjet, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka qenë vend i sigurt për qindra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në Qendër ata kanë ushqyer shpresën se mund të rimëkëmben nga pasojat e dhunës çnjerëzore të ushtruar mbi trupin dhe shpirtin e tyre. Por rezultatet e hulumtimit të fundit të QKRMT-së tregojnë se plagët e të mbijetuarve depërtojnë shumë më thellë se që shoqëria kosovare ka mundur ta parashikojë ndonjëherë.

Përpjekja shumëvjeçare për rehabilitim ka treguar se pasojat e traumës së përjetuar nuk janë kufizuar vetëm te të mbijetuarit, por janë të shpërndara edhe në rrethin e tyre familjar. Gratë që kanë qenë viktima të dhunës raportuan që vërenin vazhdimisht fëmijët e tyre duke bërë reagime të ngjashme me simptomat që përjetonin vetë ato. Duke parë veten e tyre te fëmijët, ato torturohen me pyetjet: “A jam nënë e mirë?”, “Si t’i mbroj fëmijët e mi nga vrazhdësia e krimit që kam përjetuar?”, “A do të rriten të shëndoshë, apo do të jenë të thyer si unë?”, “A po i shkatërroj fëmijët e mi me vuajtjen time?”