OpEd

Krizat politike në shumë vende të BE-së, sfidë edhe për Brukselin

Pos grupimeve partiake, që janë në një lloj udhëkryqi, një lloj krizash politike po i përjeton edhe një numër i konsiderueshëm i vendeve anëtare të BE-së. Kancelari austriak ka dhënë dorëheqje, ka rënë Qeveria e Rumanisë, Bullgaria nuk ka mundur të krijojë qeverinë as pas dy palë zgjedhjesh të jashtëzakonshme dhe do të zhvillojë të tretat së shpejti, Gjermania është duke ndjekur proceset e krijimit të koalicionit qeverisës, kryeministri i Çekisë i ka humbur zgjedhjet. Franca është në pritje të zgjedhjeve. Të gjitha këto zhvillime të brendshme në vendet anëtare kanë ndikim kyç në zhvillimet në BE, sepse BE-ja në fund të fundit është vetëm ajo që shtetet anëtare duan. Prandaj edhe nuk duhet pritur se do të këtë ndonjë kthesë të madhe në nivel të BE-së së shpejti

Një prej yjeve të konservatorëve evropianë, të grumbulluar në grupin e Partive Popullore Evropiane, ishte pa dyshim Sebastian Kurz, deri dje kancelar i Austrisë. Me largimin nga skena politike të Angela Merkelit, veteranit të politikës evropiane Jean Claude Juncker, të ish-paraardhësit të tij, Jose Manuel Durao Barroso, ish-presidentit të Këshillit Evropian, Herman von Rompuy, u hap debati se kush do të jetë figura kryesore e konservatorëve evropianë, të cilët varësisht nga shtetet anëtare vijnë kryesisht nga radhët e demokristianëve, republikanëve dhe partive të tjera të qendrës së djathtë.

Ky grupim për shumë vjet ka luajtur rolin kryesor edhe në nivel të BE-së. Hera e fundit kur kryetari i Komisionit Evropian nuk ka qenë nga radhët e këtij grupi ishte në mandatin e socialistit italian Romano Prodi, para gati 20 vjetësh. Gjithë këtë kohë EPP-ja ka pasur edhe numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin Evropian dhe numrin më të madh të anëtarëve të Këshillit Evropian, pasi liderët nga radhët e këtij grupimi kanë qenë më të numërt në krye të qeverive apo shteteve përkatëse anëtare.

Prandaj për të tashmen dhe për të ardhmen e BE-së do të jetë me rëndësi të madhe se kush do të jetë në krye të këtij grupi dhe çfarë qëndrimesh ai do të ketë për të ardhmen e BE-së. Nuk është fjala këtu për presidentin formal të këtij grupi, por për figurën kyç, e cila do ta ketë fjalën kryesore. Deri tash pa dyshim këtë rol e ka pasur Angela Merkel. Ajo ishte kryetare e Partisë më të madhe anëtare të EPP-së, CDU-së nga Gjermania, ishte kancelare e shtetit më të madh dhe ishte politikane e cila që nga fitorja e parë asnjëherë nuk i kishte humbur zgjedhjet. Fakti se kryetar nominal i EPP-së deri dje ishte Donald Tusk, pakkujt i ka lënë përshtypje.

Që kur u bë e ditur se Merkel do të largohet, filloi debati brenda EPP-së për të ardhmen. Dhe Kurz u pozicionua si lideri në pritje. Vinte nga një vend i vogël, por me shumë ndikim. Dallonte nga Merkel pikërisht në temat e lodhura me migracionin, që e bënte edhe më të preferuar, sepse asnjëherë deri në fund EPP-ja nuk e përqafoi politikanen mikpritëse të imigrantëve, Angela Merkel.

Por ai tash duket se është jashtë loje. Një hetim i policisë në zyrat e partisë së tij dhe dyshimet për manipulim kanë qenë të mjaftueshme që ai të jep dorëheqje. Këtu është dallimi që duhet ta dinë ata që thonë se “ka edhe në BE korrupsion” kur mundohen ta arsyetojnë këtë dukuri në vendet e Ballkanit. Ka edhe në BE, por ka edhe pasoja të menjëhershme kur zbulohet.

Largimi i Sebastian Kurzit është vetëm njëra prej goditjeve për konservatorët në nivel evropian. Ka ndodhur kjo vetëm pak muaj pasi nga ky grupim u përjashtua lideri hungarez Viktor Orban për shkak të politikës së tij anti-BE.

Në Gjermani, kancelari më nuk do të jetë nga ky grupim. Tash partia që dikur ka pasur presidentin e Francës, kancelaren e Gjermanisë, kryeministrat e Spanjës dhe Polonisë, ka mbetur me kryeministrin e Greqisë si liderin nga shteti më i madh i BE-së nga radhët e këtij grupimi. EPP-ja ka humbur pushtetin tash edhe në Bullgari e Rumani. Në vendet veriore dominojnë liberalët e socialistët, në vendet e Beneluksit, liberalët, e në rritje janë të gjelbërit gjithandej.

Por nuk është në krizë vetëm qendra e djathtë në BE. Nuk i kanë mirë punët as socialistët. Ata në pak vende kanë vota të mjaftueshme për të udhëhequr pa bërë koalicione, shpesh edhe jo të natyrshme. Liberalët janë rritur për shkak se presidenti i tashëm i Francës, Emanuel Macron, ka vendosur të jetë pjesë e këtij grupimi. Me këndelljen e liberalëve në Gjermani do të rritet forca e tyre në nivel evropian nëse ata bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme, dhe është pothuajse e sigurt se kjo do të ndodhë. Por edhe liberalët kanë pasur anëtarë të cilët janë të çuditshëm. Njëri prej tyre ishte deri dje kryeministri i Çekisë, Babish. Ai jo vetëm se i ka humbur zgjedhjet, por është akuzuar për konflikt interesi në përdorimin e fondeve të BE-së, është zbuluar përmes “Pandora papers” se në mënyrë të fshehtë ka blerë pasuri në Francë.

Dhe, çka është edhe më keq, ai ka pasur deklarata mjaft radikale rreth imigrantëve që e afrojnë më shumë me të djathtën ekstreme sesa liberalët. Liberalët janë edhe forca kryesore e cila pengon procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Por grupimet partiake, që janë në një lloj udhëkryqi, në një lloj krizash politike, po i përjeton edhe një numër i konsiderueshëm i vendeve anëtare të BE-së. Kancelari austriak ka dhënë dorëheqje, ka rënë Qeveria e Rumanisë, Bullgaria nuk ka mundur të krijojë qeverinë as pas dy palë zgjedhjesh të jashtëzakonshme dhe do të zhvillojë të tretat së shpejti, Gjermania është duke ndjekur proceset e krijimit të koalicionit qeverisës, kryeministri i Çekisë i ka humbur zgjedhjet. Franca është në pritje të zgjedhjeve. Të gjitha këto zhvillime të brendshme në vendet anëtare kanë ndikim kyç në zhvillimet në BE, sepse BE-ja në fund të fundit është vetëm ajo që shtetet anëtare duan. Prandaj edhe nuk duhet pritur se do të këtë ndonjë kthesë të madhe në nivel të BE-së së shpejti.

Edhe pse është besuar se me përfundimin e procesit zgjedhor në Gjermani do të ketë më shumë qetësi dhe rehati edhe në BE, kjo nuk do të ndodhë. Sepse duhet pritur së paku edhe zgjedhjet në Francë. E pastaj edhe rreshtimet në grupet kryesore politike në nivel evropian. Gjithsesi letrat përsëri po përzihen dhe nuk dihet se kush do të dalë si fitues apo figurë kyç për të ardhmen. Rënia e këtillë e kancelarit austriak, kur pritej që për shumë vjet të jetë një prej liderëve kyç evropianë, dëshmon se sa të brishta sot janë figurat udhëheqëse politike.