OpEd

Një përditësim për Facebookun

Që kur kompanitë e teknologjisë filluan të zhvillojnë modelet e tyre të biznesit, të dhënat private të përdoruesve janë bërë lopa e tyre e vërtetë e parave të gatshme. Kompanitë shesin profile psikografike të përdoruesve tek reklamuesit dhe operativët politikë, të cilët më pas i synojnë ata me përmbajtje manipuluese

Nëse dëshmia e sinjalizueses Frances Haugen, ish-shkencëtare e të dhënave në Facebook, para një nënkomisioni të Senatit të SHBA-së do të na tregonte diçka, ishte se kompanive të teknologjisë nuk mund t'u besohet të rregullojnë veten e tyre. Dhe pse duhet të rregullojnë veten? Është një parim bazë i ekonomisë moderne që qeveritë të mandatojnë kushtet e funksionimit për biznesin. Pyetja e vërtetë është se si qeveritë mund ta ushtrojnë më së miri këtë autoritet kur bëhet fjalë për sektorin e teknologjisë.

Facebook, Google, Amazon dhe kompani të tjera të teknologjisë janë lejuar të zhvillojnë modele biznesi të pashembullta, të bazuara në mbikëqyrje që përfshijnë kapjen e pamëshirshme të të dhënave personale, duke përfshirë vendndodhjet gjeografike dhe manipulimin e përdoruesve me përmbajtje hiper të shënjestruar. E, megjithatë, siç dëshmoi Haugen, “Pothuajse askush jashtë Facebook-ut nuk e di se çfarë ndodh brenda Facebook-ut”. KGB-ja do t’ia kishte zili.

Mirëpo kompanitë e teknologjisë gjithashtu shërbejnë për një qëllim të dobishëm. Ato kanë ndërtuar një pjesë të madhe të infrastrukturës publike të epokës digjitale, duke përfshirë motorët e kërkimit, portalet globale për lajme dhe rrjete sociale, aplikacionet e navigimit të bazuara në GPS, tregjet komerciale online dhe vendet e punës, platformat e filmit, të muzikës dhe transmetimit të drejtpërdrejtë.

Për të mundësuar që platformat digjitale të vazhdojnë të kryejnë një rol përfitues, duke minimizuar dëmet e tyre, qeveritë duhet t'u kërkojnë atyre të sigurojnë “licenca digjitale të funksionimit”. Ka shumë precedentë për këtë: nga dyqanet ushqimore, termocentralet bërthamore e deri te objektet prodhuese farmaceutike, bizneseve tradicionale duhet t'u jepen licenca dhe leje të ndryshme para se të fillojnë punën, jo më pak për të ofruar sigurinë e punëtorëve, klientëve, mjedisit dhe bashkësisë lokale.

Gjithashtu, për t'u pajisur me një licencë digjitale të funksionimit, kompanitë e teknologjisë do të duhej të plotësonin disa kushte. E para do të ishte marrja e lejes eksplicite të përdoruesve para se të grumbullojnë ndonjë të dhënë personale, duke përdorur një sistem pëlqimi “opt-in” në vend të një sistemi “opt-out” që duhet të rinovohet periodikisht.

Që kur kompanitë e teknologjisë filluan të zhvillonin modelet e tyre të biznesit, të dhënat private të përdoruesve janë bërë lopa e tyre e vërtetë e parave të gatshme. Kompanitë shesin profile psikografike të përdoruesve tek reklamuesit dhe operativët politikë, të cilët më pas i synojnë ata me përmbajtje manipuluese. Gjithashtu ka pasur rrjedhje. Në vitin 2014, për shembull, konsulenca politike Cambridge Analytica mblodhi informacione nga profilet e Facebook-ut të më shumë se 87 milionë përdoruesve - informacion që përdorej për të ndikuar votuesit. Pesë vjet më vonë, Facebooku zbuloi 530 milionë të dhëna private të përdoruesve.

Drejtuesit e teknologjisë argumentojnë se të dhënat e tyre rrëmbejnë përfitime për përdoruesit duke u dhënë reklama të personalizuara që plotësojnë dëshirat e tyre individuale. Por sa herë keni nevojë të shihni reklama për çizme, veçanërisht pasi i keni blerë ato? Rreziqet e modelit të biznesit të mbikëqyrjes-kapitalizmit tejkalojnë shumë përfitimet.

Leja e funksionimit digjital mund të kërkojë nga kompanitë që të sigurojnë përputhshmërinë me “middleware”, softuer të palëve të treta që ndihmojnë përdoruesit të menaxhojnë përvojën e tyre në internet. Softueri që bllokon reklamat në internet është një shembull i tillë. Një tjetër është aplikacioni i telefonit të mençur që lejon përdoruesit të aktivizojnë dhe çaktivizojnë mbledhjen e të dhënave dhe gjurmimin e vendndodhjes sipas nevojës, me prekjen e një butoni. Dëshironi të telefononi një taksi? Aktivizoni gjurmimin e vendndodhjes në mënyrë që shoferi të dijë se ku mund t'ju gjejë dhe pastaj fikeni - nuk ka më ndjekje dhe nuk ruhen të dhënat e transaksionit. Nëse ky funksionalitet - një version i kufizuar i të cilit tani përfshihet në sistemin operativ të Apple, ai mund të përmbysë modelin e Facebook-ut “për marrjen e të dhënave për fitime”.

Ndërmjetës të tjerë mund të synojnë "modele të errëta" në hartimin e platformës: truket e angazhimit si rrotullim i pafund, luajtje automatike, dritare kërcyese dhe rekomandime të automatizuara, të cilat i detyrojnë përdoruesit të klikojnë dhe shikojnë. Platformat si Facebook vendosin "lëvizje të tilla" të sjelljes për të siguruar që përdoruesit të vazhdojnë të shohin reklama - burimi i vetëm më i madh i të ardhurave vjetore të Facebook-ut prej 86 miliardë dollarësh.

Sistemi digjital i lejeve mund të ndihmojë në adresimin e problemit të monopolit të Big Tech. Për shembull, Facebooku, me 2.8 miliardë përdoruesit e tij, zotëron WhatsApp (dy miliardë përdorues) dhe Instagramin (1.1 miliardë përdorues). Por ndërsa thirrja në rritje për zbatimin e antitrustit ka merita, këto tri platforma do të ishin përbindësha edhe veç e veç.

Një leje digjitale mund të ndihmojë në zvogëlimin e pjesës së tregut të platformave kryesore të mediave sociale duke vendosur kufizime të rrepta në madhësinë e auditorit: secila pjesë e përmbajtjes së krijuar nga përdoruesit mund t'i shërbejë, të themi, jo më shumë se 1 mijë njerëzve. Kjo ka shumë më tepër njerëz sesa shumica e përdoruesve e dinë ose kanë kontakte të rregullta, kështu që vështirë se përbën një privim. Kritiku i mediave sociale Tristan Harris sugjeron që Facebooku të fikë butonin e tij Share/Reshare pasi një pjesë e përmbajtjes shihet dy “hapa” larg krijuesit. Facebook e di se kjo qasje funksionon: ajo vendosi një version të saj gjatë zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2020.

Sigurisht, do të kishte përjashtime, duke përfshirë lajme të ligjshme, informacion, muzikë dhe video nga udhëheqës, artistë dhe mendimtarë. Platformat teknologjike tashmë kanë ekipe moderatorësh njerëzorë - Facebook punëson 15 mijë njerëz, të cilët mund të ngarkohen me identifikimin e një “përmbajtjeje të tillë me interes publik”. Kjo qasje do të zvogëlonte përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave duke futur fërkime të nevojshme në rrjedhën e informacionit, dhe do të ishte një përdorim shumë më i mirë i kohës së moderatorëve sesa të vazhdosh të luash një gënjeshtër të madhe.

Një sistem i tillë pranon se platformat si Facebook, Twitter dhe YouTube nuk janë thjesht “sheshe publike”, por edhe botues dhe transmetues. Si të tillë, ata kanë shumë më tepër të përbashkëta me The New York Times, BBC dhe The Sun sesa shumë analistë kanë qenë të gatshëm të pranojnë.

Në fakt, ato veprojnë në një shkallë shumë më të madhe se cilido nga ato shitore. Facebook është botuesi më i madh i mediave në histori, dhe YouTube është transmetuesi më i madh vizual-mediatik. Një studim zbuloi se vetëm 100 pjesë të dezinformatave për COVID-19 u ndanë 1.7 milion herë dhe u shikuan 117 milionë herë në Facebook.

Platformat e mediave sociale nuk kanë ngurruar të përdorin fuqinë e tyre si botues. Pas kaosit në Kapitolin amerikan më 6 janar, platformat sociale vendosën të ndalojnë postimet e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump. Në fillim të këtij viti, Facebook bllokoi të gjithë Australinë në përmbajtjen e saj gjatë një mosmarrëveshjeje mbi ndarjen e të ardhurave nga reklamat. Google bëri të njëjtën gjë me Spanjën në 2014.

Prezantimi i lejeve digjitale të funksionimit do të lejojë që platformat e mediave sociale të mbesin fjalime të lira për asamble të vogla të miqve, familjeve dhe bashkëpunëtorëve të rrjetëzuar, duke zvogëluar në mënyrë drastike viralitetin e lajmeve të rreme dhe dezinformimit. Kështu funksionoi Facebooku në vitet e para, kur ishte akoma një shpikje interesante.

Steven Hill, ish-drejtor i politikave në Qendrën për Teknologjinë Humane, është autor i shtatë librave, përfshirë “Raw Deal: How the “Uber Economy”, “Runaway Capitalism Are Screwing American Workers” dhe “The Startup Illusion: How the Internet Economy Threatens Our Welfare” në gjuhën gjermane. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti