OpEd

Opsioni më pak i keq për Afganistanin

Me pak inkurajim nga OKB-ja, talebanët mbase mund të binden që të bashkëpunojnë me gjeneratën e re dhe të arsimuar të afganëve për ta përqafuar një shteg të zhvillimit që shpie sa më larg prej dhunës brutale, korrupsionit eksploatues dhe privimit të përhapur. Në aspektin afatshkurtër, një qasje e tillë paraqet opsionin më pak të keq për komunitetin ndërkombëtar dhe, mbi të gjitha, për popullin afgan

Pas takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York muajin e kaluar, OKB-së i është kërkuar ta marrë një rol që ia tejkalon madhësinë në Afganistan. Talebanët janë në kërkim të dëshpëruar për legjitimitet ndërkombëtar, ndërsa fuqitë globale dhe ato rajonale mund ta zgjerojnë atë – por vetëm atëherë kur të përmbushen kushtet e caktuara politike dhe humanitare, në linjë me deklaratat e fundit zyrtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Afganistanin.

OKB-ja është e pozicionuar mirë për ta ndërmjetësuar këtë proces. Gjatë katër dekadave të fundit me luftë pothuajse të vazhdueshme në Afganistan, OKB-ja ka mbetur e angazhuar. Me mijëra pjesëtarë të përkushtuar të stafit të OKB-së janë ballafaquar me rreziqe të jashtëzakonshme për lehtësimin e vuajtjeve njerëzore dhe, në fund të viteve ‘90, kanë ndërmjetësuar negociatat midis talebanëve dhe rivalëve të tyre. Sot, duke e pasur parasysh levën pothuajse joekzistuese politike të Perëndimit me grupin, OKB-ja duhet ta vazhdojë rolin qendror në promovimin e pajtimit, në sigurimin e ndihmave humanitare dhe në inkurajimin e zhvillimit.

Këto funksione do të kërkojnë struktura, staf dhe burime shtesë. Më 17 shtator, Këshilli i Sigurimit ka miratuar zgjatjen gjashtëmujore të mandatit aktual të Misionit të OKB-së për Asistencë në Afganistan dhe i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që të ofrojë “rekomandime strategjike dhe operacionale” për të ardhmen e misionit deri më 31 janar 2022. Duke shikuar përpara, roli i OKB-së në Afganistan duhet të zgjatet në të paktën pesë fusha kyç.

E para, në mbështetje të thirrjes së fundit të Këshillit të Sigurimit për “një proces të prirë nga afganët dhe në pronësi të afganëve për pajtim kombëtar”, OKB-ja duhet që t’ua ofrojë zyrat e saja të mira të gjitha palëve në konflikt.

OKB-ja mund të shërbejë si këshillues i paanshëm dhe me përvojë në përpjekjen për formimin e një Qeverie më diverse dhe të gjerë, duke e pasur parasysh historikun e saj të gjatë të bashkëpunimit me qeveritë dhe organizatat paqebërëse joqeveritare në rajon. Roli i OKB-së në zbatimin e Marrëveshjes së Bonit për formimin e një qeverie të re në Afganistan gjatë viteve 2001-2005 e ofron një kornizë që mund të shërbejë si udhëzues për këtë proces.

I dërguari personal i Guterresit për Afganistanin dhe Çështjet Rajonale, Jean Arnault, ishte zëvendës i zgjidhësit të shquar të problemeve, Lakhdar Brahimi, i cili ka luajtur rol qendror në negociatat e Marrëveshjes së Bonit.

E dyta, për ta parandaluar krizën humanitare, OKB-ja duhet ta ndërmjetësojë angazhimin konsensual dhe konstruktiv midis talebanëve, liderëve globalë, fuqive rajonale dhe donatorëve. Luftërat e fundit në Afganistan e kanë pasur një komponent të mirënjohur ndërkombëtar, dhe çështjet thelbësore të sigurisë dhe stabilitetit – le të mos përmendet diçka që i ngjason një paqeje të qëndrueshme – janë të pamundshme pa bashkëpunimin e fqinjëve të vendit dhe anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

E treta, mandati i OKB-së duhet të përfshijë monitorimin e rregullt dhe raportimin në Këshillin e Sigurimit mbi çështjet kritike të të drejtave të njeriut. Për ringjalljen e njohjes ndërkombëtare dhe të ndihmave për Afganistanin, të cilat ata i dëshirojnë, talebanët duhet që t’u përmbahen një mori kushteve politike dhe humanitare që janë dakorduar ndërkombëtarisht. Këto kushte mund të përfshijnë përparimin drejt një Qeverie gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, masave për parandalimin e kthimit të organizatave ndërkombëtare terroriste dhe hapave për mbrojtjen e civilëve.

E katërta, OKB-ja mund të ndihmojë në koordinimin e ndihmave mjekësore, ushqimore dhe donacioneve të tjera. Në raportimin e saj para Këshillit të Sigurimit në muajin gusht, përfaqësuesja e posaçme e OKB-së për Afganistanin, Deborah Lyons, ka cekur se 18.5 milionë afganë – pothuajse gjysma e popullsisë së vendit – kanë nevojë për asistencë humanitare. Duke e ditur këtë trend alarmues, i cili është ushqyer nga thatësia dhe pandemia e COVID-19, OKB-ja ka mbajtur një takim në nivel të lartë ministrash në Gjenevë, më 13 shtator, për ta diskutuar gjendjen humanitare në Afganistan dhe aty qeveritë janë zotuar për të ndarë ndihma prej më shumë se 1.2 miliardë dollarësh.

Dhe e fundit, OKB-ja ka rol kritik në organizimin e asistencës ndërkombëtare për zhvillim që është kyç për ndërtimin e së ardhmes së Afghanistanit. Qëllimi i kësaj asistence duhet të jetë ruajtja e linjës së ofrimit të shërbimeve bazike publike, përfshirë përkujdesjen shëndetësore, arsimin dhe gjenerimin e rrymës. Meqë ndihma bilaterale pritet që të pësojë rënie, OKB-ja mund të shërbejë si trupi kryesor mbikëqyrës dhe si kanal i asistencës ndërkombëtare nëpërmjet fondeve emergjente të besimit.

Duke e reflektuar rolin e tij udhëheqës në kuadër të OKB-së për sa i përket mbikëqyrjes së Marrëveshjes së Bonit, Brahimi ka vlerësuar: “Një prej vetë gabimeve të mia më të mëdha ishte që nuk bisedova me talebanët më 2002 dhe 2003... duhet të kishim folur me ata që ishin të gatshëm që të flisnin me ne”.

Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet që ta bëjë këtë gabim përsëri. Edhe vetë talebanët e dinë se vendi të cilin tani e kontrollojnë është larg më ndryshe sesa ai që e kishin qeverisur deri më 2001.

Me pak inkurajim nga OKB-ja, talebanët mbase mund të binden që të bashkëpunojnë me gjeneratën e re dhe të arsimuar të afganëve për ta përqafuar një shteg të zhvillimit që shpie sa më larg prej dhunës brutale, korrupsionit eksploatues dhe privimit të përhapur. Në aspektin afatshkurtër, një qasje e tillë paraqet opsionin më pak të keq për komunitetin ndërkombëtar dhe, mbi të gjitha, për popullin afgan.

(Richard Ponzio është drejtor i programit “Global Governance, Justice & Security” në kuadër të Qendrës Stimson. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)