Nëntëdhjetë vjet më parë, në 18 shtatorin e vitit 1981, një oficer i lartë ushtarak japonez detonoi një eksploziv që ishte vendosur me kujdes të madh përgjatë një linje hekurudhore në pronësi japoneze afër qytetit verilindor kinez, Sheniang (atëherë i njohur në Perëndim si Mukden). Eksplodimi shkaktoi dëme të vogla, por ky nuk ishte qëllimi. Japonezët fajësuan ushtarët kinezë për shpërthimin, të cilin e përdorën si pretekst për të marrë kontrollin e Sheniangut dhe pushtuar mbarë territorin, të njohur si Mançuria.
Megjithëse Mançuria nuk ishte territor kinez, i kontrolluar nga zotat e luftës, besnikë të Qeverisë komuniste kineze, mijëra ushtarë japonezë u vendosën atje sipas kushteve të një traktati të mëhershëm. Kjo ua mundësoi forcave japoneze të merrnin shumë shpejt kontrollin e rrethinës. Pak javë pas incidentit të Mançurisë, ata morën kontrollin e pjesës jugore të Mançurisë, pasuar me marrjen e veriut në fillim të vitit 1932.
Ky nuk ishte pushtim perandorak, pretenduan japonezët. Më shumë vinte si reagim ndaj thirrjeve për ndihmë që vinin nga qytetarët e Mançurisë, të cilët po vuanin nën sundimin e hekurt të zotave të luftës. Japonezët donin t’i ndihmonin qytetarët e shtypur për të krijuar një shtet të pavarur që do t’i çlironte nga vorbulla e madhe e korrupsionit që kishte mbërthyer mbarë Kinën.
Japonia madje ia kishte lënë edhe emrin këtij shteti të ri: Manchukuo, ose “toka e Mançusë”. Për ta lustruar edhe më shumë versionin e tyre, rekrutuan edhe mançunë më emërmadh të rrethinës – perandorin e fundit të Kinës, Puyi – për t’i prirë. (Meqë e kishin rrëzuar nga froni më 1912, Puyi ishte i gatshëm për angazhime monarkike alternative).
Rrekja për të krijuar një shtet të pavarur mançurian u kthye në një kauzë të famshme ndërkombëtare, dhe test për Lidhjen e Kombeve, pararendëses së Kombeve të Bashkuara të ngarkuar me ruajtjen e paqes pas Luftës së Parë Botërore. Lidhja delegoi një Komision, të prirë prej diplomatit britanik, Lordi Lytton, për ta inspektuar situatën. Komisioni nxori përfundimin se Japonia në fakt kishte kryer një grusht shtet.
Japonia nuk sprapsej. U tërhoq nga Lidhja e Kombeve dhe mbajti shtetin e vet kukull të Mançurisë deri sa u mposht edhe vetë në Luftën e Dytë Botërore. Në atë pikë, Bashkimi Sovjetik ia mori kontrollin, duke e mbajtur të pushtuar territorin për një vit.
Megjithatë, njëherësh, lufta e gjatë ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve kinezë po përshkallëzohej përsëri, me forcat e Mao Zedongut që po merrnin gjithnjë e më shumë territor, duke nisur nga verilindja. Në kohën kur komunistët kishin themeluar Republikën Popullore të Kinës më 1949, provincat mançuriane ishin brenda kontrollit të tyre.
Por, kinezët nuk e kanë harruar pushtimin 14-vjeçar të Mançurisë. Në fakt, doktrina zyrtare kineze spikat Incidentin e Mançurisë të vitit 1931 si fillim të Luftës së Dytë Botërore. Dhe çdo vit më 18 shtator, aktivizohen alarmet në Sheniang dhe qytete të tjera në rajon për të përkujtuar jo vetëm eksplodimin, por edhe krimet e pastajme. Në mesin e tyre përfshihen edhe eksperimentet e tmerrshme që Njësiti 731 – njësiti ushtarak japonez i kërkimit dhe zhvillimit shkencor të armëve biologjike dhe kimike – kryen në kurriz të jetës së të nënshtruarve.
Çfarë kuptimi kanë këto kujtime sot? Brenda Kinës, mesazhi është i qartë: para themelimit të Republikës Popullore, vendi ishte i dobët dhe i cenueshëm ndaj pushtimit të jashtëm. Një muze i madh në Sheniang, që shpalos historinë e atyre që vdiqën duke luftuar pushtimin japonez, fuqizon rrëfimin se liderët nacionalistë të Kinës bënë pak për të mbrojtur vendin nga poshtërimi i pushtuesve.
Por, ndërsa udhëheqësit e Kinës janë të etur për të përdorur Incidentin Mançurian për të çuar përpara narracionin e tyre të preferuar të së kaluarës, ata hezitojnë të pranojnë jehonën e ngjarjes në të tashmen, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprimet e partnerit të ngushtë ushtarak dhe strategjik të Kinës, Rusisë. Në vitin 2008, kur Rusia pushtoi Gjeorgjinë, udhëheqësit kinezë, mbase në heshtje u tërhoqën nga shpërqendrimi i Lojërave Olimpike të atij viti në Pekin, u përmbajtën nga shprehja e mbështetjes së fortë për veprimet e saj (ndryshe nga aleatët e tjerë të Kremlinit si Bjellorusia). Por ata as nuk u tërhoqën, thjesht duke bërë thirrje që të gjitha palët të qëndrojnë të qeta.
Po kështu, në vitin 2014, Kina refuzoi të denonconte pushtimin e Rusisë dhe aneksimin e Krimesë nga Ukraina, ose plebishitin e organizuar nga Kremlini, i pamonitoruar nga ndonjë organ neutral, që e miratoi atë. Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së shqyrtoi një rezolutë që dënonte referendumin, Kina abstenoi.
Sigurisht, vetë Kina ka qenë e njohur për ripërcaktimin e çështjeve territoriale në të mirën e saj. Por, ndryshe nga Rusia, Kina ka shmangur kalimin e pacipë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Po, ajo ka shtyrë fort kufijtë në Himalaje dhe Detin e Kinës Jugore. Por ajo ka rezervuar agresionin e saj më të ashpër për zonat qartë brenda territorit të saj, si Hong-Kongu dhe rajoni Xinjiang, dhe kërcënimet e tij më të forta për një vend, Tajvanin, ku Lufta e Ftohtë la njëfarë paqartësie.
Kjo është një trashëgimi tjetër e Incidentit Mançurian. Shkelja e drejtpërdrejtë e kufirit tokësor ndërkombëtar mbetet një perspektivë e pakëndshme për kinezët.
Kujtimi i Kinës për Incidentin Mançurian ngre një pyetje më shumë: Si besojnë udhëheqësit e saj aktualë se komuniteti ndërkombëtar duhej të përgjigjej? Në përgjithësi, ata mbajnë qëndrimin se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe negociatave, sesa veprimeve ushtarake. Ata tallen me ndërhyrjet amerikane, të tilla si në Afganistan. Duke pasur parasysh këtë, është më e vështirë për udhëheqësit e Kinës të argumentojnë se, pasi përpjekjet e Lidhjes së Kombeve për të bindur Japoninë dështuan, bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte ndërmarrë veprime më të forta ushtarake në 1931.
Sigurisht, ndërhyrjet e Amerikës në Afganistan ose Irak kishin dinamikën e tyre; ato nuk ishin aspak të përsëritura të pushtimit japonez të Mançurisë. Por është befasuese që, për Kinën, kriza mançuriane e vitit 1931 mbetet një shkak kaq i rëndësishëm për kujtesën kombëtare, por nuk jep mësime të lehta për reflektim, e lëre më analogji të dukshme për t’u marrë me sfidat gjeopolitike të sotme.
(Autori, profesor historie dhe politike i Kinës moderne në Universitetin e Oksfordit, është autor i librit “China’s Good War: Hoë World War II is Shaping a New Nationalism”. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)