Vështrime

Leksione nga eksperimentimi ekonomik amerikan

Rishqyrtimi i politikës ekonomike në sallat e burokracisë ekonomike të Uashingtonit është i mirëpritur. Por mësimi i vërtetë që duhet të nxjerrin vendet e tjera është se ekonomia, si shkencë shoqërore, mbështet këshilla të ndryshme politike për rrethana të ndryshme. Ashtu si ndryshimi i rrethanave dhe preferencave politike që në SHBA po prodhojnë ilaçe të reja, vendet e tjera do të bënin mirë të synonin problemet dhe kufizimet e tyre specifike t’i zgjidhnin me receta specifike

Diskutimi i politikës ekonomike në Shtetet e Bashkuara është transformuar tërësisht brenda vetëm disa vjetëve. Neoliberalizmi, konsensusi i Uashingtonit, fundamentalizmi i tregut - quajeni si të doni - është zëvendësuar me diçka krejt të ndryshme.

Në politikën makroekonomike frika nga borxhi dhe inflacioni ua kanë lënë vendin preferencës për stimulimin e tepërt të ekonomisë dhe minimizimin e rreziqeve për stabilitetin e çmimeve. Sa i përket taksimit, po merr fund edhe pajtimi i heshtur në garën globale dhe rrjedhimisht edhe vendosja e një norme minimale globale për korporatat shumëkombëshe. Politika industriale, e cila as nuk mund të përmendej në kompani deri vonë, është kthyer me hakmarrje.