Vështrime

Lamtumirë “Mini-Shengen”

1. Sot në Shkup, “troika” e Novi Sadit varrosi “Mini-Shengenin Ballkanik” dhe inauguroi trilateralen. Vuçiqi dështoi, plotë tri vjet, që ta shesë reinkarnimin e Jugosllavisë në amballazhin e integrimit rajonal. Shengeni i vogël, ishte fasadë e Jugosllavisë së madhe. Tri shtetet e tjera ballkanike e refuzuan atë. Tjetër epilog edhe nuk mund të pritej, pa pajtimin e të gjitha gjashtë shteteve të rajonit. Serbia, ndërkaq këmbëngulte për “integrim rajonal”- por pa e njohur Kosovën. Beneluksi, si integrimi i parë modern rajonal evropian që i parapriu BE-së, funksionoi vetëm si lidhje e tri shteteve të njohura reciprocikisht (Belgjikë, Holandë, Luksemburg). Si mund të funksiononte ky “integrim” i Vuçiqit, kur dy shtete ende nuk e njohin Kosovën?

2. Ky është dështimi i katërt i hegjemonisë “rajonale” të Beogradit brenda një shekulli. I pari, ai i krijimit të Jugosllavisë - pa jugosllavë, (por me sundimin serb) dështoi përkundër hyrjes së kroatëve dhe sllovenëve në mbretëri me mbretin serb. Pas dështimit të asaj Jugosllavie të parë monarkike (1941) dhe të dytës komuniste (1991), dështoi edhe e treta Serbo-Malazeze (2006).