Vështrime

Trendet negative dhe pozitive që solli pandemia

Shikuar në tërësi, pandemia ka shkaktuar shumë më shumë dëme ekonomike e sociale se sa që ka sjellë të mira. Por, institucionet publike duhet të shikojnë mundësi se si të vazhdohen trendet pozitive të vendosura në pandemi. Dy nga to janë: ndalja e trendit të emigracionit dhe formalizimi i ekonomisë.

Viti 2020 ishte vit i vështirë në shumë aspekte. Për shkak të pandemisë COVID-19, ekonomia e Kosovës pësoi rënie të madhe dhe kishte rënien më të madhe që nga paslufta. Pavarësisht asaj se përqindja e papunësisë mbeti thuajse e njëjtë, numri i vendeve të punës u zvogëlua për më shumë se 16 mijë vende. Edhe numri i vdekjeve u rrit dukshëm, ku në vitin 2020 u regjistruan mbi 3.500 vdekje më shumë se sa në vitin paraprak.

Numri i familjeve në skemat sociale u rrit për një mijë familje më shumë se sa në vitin 2019, kurse të hyrat qeveritare shënuan rënie për herë të parë në 13 vjetët e fundit. Vendet e punës u humbën kryesisht në sektorin privat, kurse sektori publik mbeti thuajse i paprekur, ani pse një numër i madh i shërbyesve publikë u klasifikuan si punëtorë joesencial dhe thuajse pushuan gjatë tërë pandemisë.