OpEd

Rreth kompromisit nga letra e Bidenit

Është mëkat që shumica e atyre që ndërtojnë dhe ndikojnë diskursin publik, prej politikanëve dhe politologëve deri te analistët e gazetarët, rëndom trajtojnë margjinat e temave, zakonisht duke u kapur për fjalë a terme që janë përdorur me qindra herë në të njëjtin kontekst.

Si puna e fjalës kompromis nga letra e presidentit Biden!

E vërteta që secili prej të lartpërmendurve duhet ta dijë është se çdo negociatë si kjo me Serbinë në Bruksel, nëse përmbyllet me sukses - nënkupton kompromis.

Dhe çka saktë përmban kompromisi - varet nga negociatorët.

Thënë shkurt, në momentin kur Kosova ka pranuar bisedimet politike të nivelit të lartë, është pranuar se mbyllja e suksesshme e dialogut do të bëhet me një formë kompromisi. (Madje, qëndrimi amerikan se marrëveshja duhet të ketë synimin qendror njohjen e ndërsjellë e bën të qartë se çfarë do të thotë kompromisi për Serbinë).

Andaj, nuk është kurrfarë risie që kërkohet kompromis. Kompromisi ka qenë gjithnjë pjesë e planit (apo planeve - se kishte dhe ka ide nga më të ndryshmet, si kjo puna e rivizatimit të kufijve).

Problemi i vërtetë i Kosovës, në fakt, është te paaftësia 10-vjeçare e negociatorëve tanë që të argumentojnë para SHBA-së dhe BE-së se kufiri funksional i kompromisit për Kosovën është arritur me Pakon e Ahtisaarit. Si dhe dështimi të jetësojmë frymën e asaj pakoje duke ndërtuar një shtet evropian për kah përmbajtja, jo veç për nga forma.

Pasojë është mbetja e fjalës kompromis në letrat e urimeve që na vijnë nga Amerika!

Kosova do bënte mirë nëse merret më shumë me atë pjesën e kompromisit që i kërkohet Serbisë. Thënë ndryshe: deri sa zyrtarët serbë flasin se "kurrë nuk do ta njohim Kosovën", bisedimet (pra edhe kompromisi) nuk ka gjasa për sukses...