Tani duhet të punoni të gjithë së bashku, dhe me këtë dua të them gjithashtu edhe të gjithë ata që votuan për partitë e tjera dhe politikanët, siç themi në gjermanisht, për t’i bashkuar forcat. Nuk ka vend për “triumfalizëm” nga ana e fituesve dhe për fyerje dhe inate nga ana e humbësve! Nuk ka vend për asnjërën nga këto! Mbi të gjitha, një politikë sipas motos “fituesi i merr të gjitha” vetëm sa do ta dëmtonte Kosovën tani. Kosova tani duhet të bëhet një projekt kombëtar, i përbashkët, ku jo nacionalizmi gjeopolitik, por “patriotizmi kushtetues” është raison d´état që i bashkon të gjithë
Kosovarët e mi të dashur,
Përsëri ka kaluar një kohë e gjatë qëkur nuk jemi dëgjuar - Maryann dhe unë po mendojmë të ketë kaluar: shumë kohë e gjatë!
Ne kemi qenë larg Kosovës për rreth 19 vjet, që nga vera e vitit 2002. Por ne kemi vazhduar t’i ndjekim zhvillimet politike dhe shoqërore intensivisht dhe kemi menduar shumë për të ardhmen e vendit tuaj. Kosova është bërë gjithashtu një pjesë e jetës sonë! Sapo kam mbushur të shtatëdhjetat dhe vështirë se do të më njihnit me flokët e mia gri. Por në kokë akoma jam mjaft mirë, më besoni! Sidomos pas një ose dy gotave raki! Dhe kur dëgjoj Dua Lipën në radio, ndihem përsëri i ri! Menjëherë përsëri i ri! Ne ende kemi shumë gjëra të përbashkëta - mbi të gjitha, se të gjithë jemi evropianë dhe se nuk duam ta humbasim lidhjen me “botën” - okay: ne gjithashtu kemi edhe koronën të përbashkët: kontrolli pandemik për fat të keq nuk është histori suksesi as në Gjermani.
Ndërkohë, ju sapo keni zgjedhur një parlament të ri dhe një presidente të re. Dhe ju keni po ashtu një kryeministër të ri. Dhe një ministre të re të Punëve të Jashtme. Këta tani janë fytyra e Kosovës në botë. Ju mund të jeni krenarë që tani qeveriseni nga politikanë të tillë me integritet. Nga një brez i ri. Nga kaq shumë gra - "bijat e Kosovës" më në fund po merren seriozisht.
Të gjithë në Evropë i ndoqën këto zgjedhje me shumë entuziazëm. Po kështu edhe ne, sigurisht. A do të mund të uleshim tani së bashku në Sheshin “Nënë Tereza” dhe të pinim nga një makiato të shijshme kosovare, të diskutonim drejtpërdrejt për rezultatet dhe të spekulonim se çfarë mund të nënkuptojë kjo për Kosovën.
Prandaj po ju shkruaj mendimet e mia në këtë letër!
Në javët e fundit në Kosovë ka ndodhur një ndryshim real, një revolucion i vogël! Ju, qytetarët e Kosovës, jo vetëm keni votuar për një politikë të re dhe politikanë të rinj, 20 vjet pas përfundimit të luftës, por ju keni zgjedhur një fillim krejtësisht të ri! Programi fitues i zgjedhjeve dhe qeverisë paralajmëron një ndërprerje me etikën politike dhe praktikat që kanë qenë më pak se të kënaqshme në fushat kryesore. Përshtypja ime e parë është: kryeministri Albin Kurti është padyshim serioz për këtë: Larg korrupsionit shtetëror, me makinacionet kriminale që e kanë dobësuar Kosovën për kaq kohë dhe i kanë dhënë një imazh të keq jashtë vendit. Larg vendimeve joprofesionale të qeverisë, madje edhe atyre që shkelin Kushtetutën, dhe larg praktikave të dobëta administrative. Për ta bërë këtë, më në fund ndërtoni ekonominë në një mënyrë të tillë që të krijohen vende të mira pune, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, dhe që vendi të bëhet tërheqës për investitorët e huaj të drejtpërdrejtë. Për të gjitha këto, jashtë vendit duhet të krijohen besimi dhe njohja, gjë që është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe ambiciet e saj për në BE. Mos e nënvlerësoni këtë!
Ende kujtoj mirë 7 dhjetorin 2001, në Prishtinë, mendoj se ishte një e premte pasdite, isha bërë gati për pushimet e fundjavës. Papritmas, një djalë i ri, i cili sapo ishte liruar nga burgu serb në Nish, po qëndronte pa paralajmëruar para derës së Misionit Diplomatik gjerman. Ai donte të fliste me mua. Quhej Albin Kurti. Unë e njihja atë vetëm nga përpjekjet tona gjermane dhe nga përpjekjet e partnerëve tanë më të ngushtë karshi Beogradit për ta liruar përfundimisht nga burgu. Ai u burgos në mënyrë të paligjshme. Artana, bashkëpunëtorja ime kosovare, më tha: “Zoti Schmunk, patjetër duhet ta takoni!” Albin Kurti më pas qëndroi para meje, në moshën 26-vjeçare, një djalë shumë serioz, ende i zbehtë nga tensionet e burgut, por i vendosur për të falënderuar menjëherë Gjermaninë. Ai tashmë e kishte bërë të njëjtën gjë edhe me kolegun tim amerikan, John Menzies. Më pastaj, më 10 dhjetor 2001, ditën kur u hap kuvendi, Menzies, britaniku Andrew Lloyd dhe unë u takuam në rezidencën e SHBA-ve për të dëgjuar se si kishin qenë gjërat për të. Albin Kurti nuk donte të tregonte shumë për veten e tij - ishte më e rëndësishme që ai të na tregonte se sa keq ia dilnin kosovarët e tjerë që ndodheshin të pafajshëm në burgjet serbe. Për ta ai kërkoi ndihmë. Na bëri përshtypje. Ishte larg imagjinatës sonë se ai një ditë të bëhej kryeministër i Kosovës. Por ne ishim të bindur se diçka do të bëhej prej tij. Tani Albin Kurti do të matet me këtë. Presidentja dhe ai mund ta bëjnë këtë. Por sigurisht jo vetëm! Kosovarët e mi të dashur: Të votosh është një gjë, por gjithashtu përfshirja dhe mbështetja e politikës së re, është një gjë tjetër.
Tani duhet të punoni të gjithë së bashku, dhe me këtë dua të them gjithashtu edhe të gjithë ata që votuan për partitë e tjera dhe politikanët, siç themi në gjermanisht, për të bashkuar forcat. Nuk ka vend për "triumfalizëm" nga ana e fituesve dhe për fyerje dhe inate nga ana e humbësve! Nuk ka vend për asnjërën nga këto! Mbi të gjitha, një politikë sipas motos "fituesi i merr të gjitha" vetëm sa do ta dëmtonte Kosovën tani. Kosova tani duhet të bëhet një projekt kombëtar, i përbashkët, ku jo nacionalizmi gjeopolitik, por "patriotizmi kushtetues" është raison d´état që i bashkon të gjithë. Nuk duhet ekzagjeruar asgjë: por duket që për vitet që do të vijnë ky do të jetë shansi juaj unik për të kthyer rrotën e brendshme dhe politikën e jashtme në mënyrë që anija të vendoset në kursin optimal - drejt njohjes së plotë në OKB dhe anëtarësimin në BE. Tani, me këtë ekip të ri në Prishtinë, ju keni shansin të rindërtoni në themel Kosovën.
Fakti që keni një grua kaq simpatike dhe inteligjente si presidente, dhe kaq shumë gra të afta që punojnë në qeverinë tuaj, është një sinjal që na jep shpresë edhe në Berlin dhe në Bruksel. Burra kosovarë: krenohuni me gratë tuaja! Lëruani atyre atë që u takon - dhe kjo do ta forcojë Kosovën në fund. Dhe në veçanti ministrja juaj e punëve të Jashtme do të negociojë shumë dhe me shkathtësi për vendin tuaj, por në të njëjtën kohë gjithashtu do të promovojë një imazh më të mirë të Kosovës.
Sigurisht, nuk është as e drejta ime dhe as detyra ime t'i jap Kosovës ndonjë këshillë nga jashtë - koha e "protektoratit" që ishte krijuar në një situatë emergjente ka mbaruar. Por, midis partnerëve dhe miqve duhet të jetë ende e mundur të diskutohen shpresat dhe dëshirat, ashtu si dhe Kosova duhet të jetë në gjendje të na tregojë në çdo kohë se çfarë "ëndërron" për Gjermaninë dhe BE – në, si shembull, liberalizimi i stërvonuar i vizave Schengen për të udhëtuar në BE. Megjithatë, arsyet nuk ishin kurrë racionale.
"Drejtësi dhe vende të reja të punës," tha Albin Kurti, do të jetë mantra e politikës së tij të brendshme. Kjo do të thotë: Kosova më në fund, duhet të bëhet një shtet i së drejtës (unë me vetëdije e vendos këtë në radhë të parë), një demokraci laike, multi-etnike, pluraliste, në përputhje me rendin evropian të vlerave.
Por ju e dini, ashtu si dhe unë se politika e jashtme e duhur do ta përcaktojë jetën e përditshme dhe të ardhmen e Kosovës. Qëllimi është i qartë: Kosova dëshiron, duhet të jetojë në paqe me fqinjët e saj, si një anëtare e Komunitetit Transatlantik dhe Bashkimit Evropian - çfarë tjetër! Por si arrihet atje?
Besoj, jo me kaq, se rrëfimet e luftës dhe historisë së pasluftës e bëjnë përbërësin kryesor, të vetëm raison d`État (arsyen shtetërore) të Kosovës së re. Përkundrazi, një fillim i ri për Kosovën tani do të thotë më tepër të bësh gjithë historinë, kulturën dhe vlerat, si dhe shpresat dhe ëndrrat e njerëzve, veçanërisht të rinisë, që është forca lëvizëse për politikën.
Do të jetë e nevojshme të rishikohen në paqe marrëveshje të caktuara me Beogradin, fantazitë e rrezikshme të tilla si ndryshimet e kufijve dhe shkëmbimet e territoreve duhet të refuzohen dhe do të duhet të gjendet një mënyrë e negociatave me Serbinë në një bazë të barabartë, një situatë win-win për Prishtinën siç ishte për Beogradin, si të thuash. Mendoni se kjo nuk mund të bëhet? Po, ka shumë shembuj të mirë të kësaj, thjesht mendoni në Gjermaninë dhe Francën. Nëse jo një pajtim i përzemërt, gjithmonë mund të krijohet një partneritet jo i dhunshëm, i ndjeshëm dhe pragmatik.
Për Kosovën si dhe për Serbinë një e ardhme evropiane është e pamundur, nëse nuk arrini të lidhni një traktat paqeje, më besoni! Kjo varet shumë, mbi të gjitha, për Kosovën. Për më shumë se 20 vjet ata që kanë lindur në Kosovë në atë kohë kanë pritur për "të ardhmen", për "jetën". Tani ata janë në moshën më të mirë. Ashtu si shumë të rinj këtu në Gjermani vështirë se e kuptojnë se çfarë ishte Gjermania e ndarë, konflikti Lindje-Perëndim, të rinjtë në Kosovë nuk i dinë vërtet arsyet e tensioneve të sotme në Ballkanin Perëndimor. Atyre u janë mohuar shanset në vendin e tyre dhe udhëtimi për në Evropë për ta është i vështirë. A mendojnë ata se kjo është "jeta" evropiane?
E di, le të mos bëjmë shaka: ende ka çështje të ndryshme në krye të agjendës në BE sesa zbatimi i premtimit të Samitit të Selanikut 2003. Ka shumë arsye për këtë. Si dhe kjo nuk do të ndryshojë së shpejti, le të jemi koshientë. Por nuk duhet të dorëzohemi. Ka shumë gjëra që mund t´i bëni - por ky është material për një tjetër shkrim timin. Në çdo rast, Kosova duhet ta shfrytëzojë kohën deri atëherë në mënyrë proaktive, d.m.th., siç po planifikon "politika e re" në Prishtinë, të fillojë përfundimisht me reforma të thella. Dhe në rajon, një bashkëpunim i vendosur, kreativ, për shembull në ekonomi dhe në infrastrukturë. Krijoni një treg të brendshëm të përbashkët me 18 milionë banorët tuaj në Ballkanin Perëndimor. Aktivizoni të ashtuquajturat "big four freedoms" të mundshme sot në rajonin tuaj. Brukseli dhe 27 kryeqytetet do të habiten: është pikërisht ky respekt dhe kjo simpati që ju nevojitet për t´u afruar më pranë BE-së, më shumë sesa përmes të të ashtuquajturit "parimi i regatta"-s së shtrembëruar, i cili është i pabarabartë në mundësi dhe i cili do t´i bënte humbës për herë të dytë dy viktimat kryesore të luftës, Bosnjën dhe Kosovën.
Shpresoj t´ju shkruaj së shpejti edhe një herë
Juaji Michael
Hamburg, Prill 2021
(Ambasadori i pensionuar, Michael Schmunk, ka qenë diplomat gjerman në vitet 1983-2016. Ai ka shërbyer si ambasador gjerman në shumë vende, mes tyre edhe në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë kohës sa ishte në Kosovë, ka shkruar rregullisht letra të cilat janë botuar në gazetën “Koha Ditore”. Aktualisht, ambasadori Schmunk punon si hulumtues I pavarur, ligjërues dhe konsulent politikash, me fokus në Evropën Juglindore, Evropën Qendrore dhe Euroazinë)
-
Nga: Michael Schmunk
-
19 prill 2021 13:00
-
Shpërndaje në: