OpEd

A janë qytetet të mbaruara?

Rue de Rivoli sot nuk e mban as hijen e atij shkretimi dhe shurdhimi që i kishim pritur në rrugët e qytetit gjatë pandemisë. Në vend të kësaj, bulevardi historik gumëzhin prej parisienëve me maska që nxitojnë përreth me biçikleta, scooterë dhe e-biçikleta, apo ndalojnë për nga një kafe në kafene apo restorante. Një qytet buzë vdekjes shkaku i pandemisë është ringjallur. Me anë të planifikimit të përpiktë, eksperimentimit të vendosur dhe fatit, transformimet e tilla mund të jenë vetëm fillimi për qytetet kudo tjetër

Rue de Rivoli, bulevardi që kalon nëpër zemrën e Parisit, është zhvilluar në mënyrë sporadike dhe të çrregullt. Napoleon Bonaparte e kishte iniciuar ndërtimin në vitin 1802, pas shumë vjetësh planifikim dhe debat, por puna ngeci si pasojë e abdikimit të perandorit më 1814. Bulevardi mbeti në harresë krejt derisa një tjetër ushtarak i pushtetshëm, Napoleoni III, nuk e kompletoi projektin në vitet 1850.

Shekullin pasues, ndërtimi filloi përsëri – kësaj radhe për akomodimin e veturave. Por në pranverën e shkuar, Rue de Rivoli e përjetoi transformimin e tij më të shpejtë deri tani.

Teksa trafiku në Paris është zbutur si rrjedhojë e izolimit nga COVID-19, kryebashkiakja Anne Hidalgo vendosi më 30 prill që ta mbyllë për vetura rrugën pothuajse tri kilometra e gjysmë, me qëllim që të krijonte më shumë hapësirë për kalimtarët dhe çiklistët. Punëtorët e ringjyrosën rrugën dhe e transformuan arterien kryesore në Parisin qendror – shtëpi kjo e muzeut të lartësuar botëror të Louvres – faktikisht brenda natës.

Nuk ishte vetëm Rue de Rivoli. Duke përdorur vetëm ngjyrë dhe punëtorë të zellshëm, pothuajse 160 kilometra të rrugëve të Parisit përkohësisht janë rilokuar për çiklistë brenda muajve të hershëm të pandemisë – një revolucion ky për riprogramimin urban. Më vonë është raportuar se ndryshimet do të bëheshin të përhershme.

Shembulli parisien e spikat shkallën deri në të cilën pandemia e ka përshpejtuar shtegun e inovacionit urban, duke i kompresuar vitet në muaj apo në vetëm disa javë.

Përtej lartësimit të të metave në sistemet urbane të para pandemisë – siç është niveli i lartë i ndotjes – ajo u ka ofruar udhëheqësve të qyteteve që t’i anashkalojnë burokracitë cunguese dhe t’u përgjigjen shumë më shpejt nevojave të njerëzve dhe bizneseve.

Këto nevoja po ndryshojnë shpejt. Një prej ndryshimeve më të diskutuara ka të bëjë me ndarjen e mjedisit të punës dhe shtëpisë. Në ditët e hershme të urbanizimit, njerëzit ecnin këmbë deri në punë. Më vonë, ata nisën ta merrnin transportin publik. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe ngritjes së suburbanizimit njerëzit filluan të ngasin vetura për rrugëtimin nga shtëpitë deri në komplekset gjigante të fabrikave apo kullave me zyra.

Gjatë pandemisë, puna nga distanca është shndërruar në rregull për shumë industri – dhe shumë kompani planifikojnë që ta vazhdojnë rrjedhën e punës kësisoj, të paktën deri në një pikë të madhe. Ky riintegrim i punës dhe i shtëpisë e kërcënon njërën prej rudimenteve të fundit të Epokës Industriale: lagjet qendrore afariste që mbledhin dhe grumbullojnë punëtorët e zyrave nëpër rrokaqiej.

Meqë shumë punëtorë nuk janë në gjendje që të kthehen përbrenda katër mureve të zyrave të tyre, kullat e vjetra për zyra mund të transformohen në godina më se të nevojshme banimi me çmim të volitshëm, pas pandemisë. Lagjet njëdimensionale afariste mund të shndërrohen në lagje banimi energjike.

Aktivitetet që nuk lidhen me punën gjithashtu janë transformuar. Darkimet, argëtimet dhe rekreacioni përherë e më shumë janë zhvendosur në ambiente të hapura, duke i zaptuar hapësirat që ishin destinuar për vetura.

Andaj, sikurse në rastin e shtigjeve për biçikleta në Paris, pandemia është duke krijuar prototipa për qytetet e pasveturave dhe me përqendrim tek njeriu. Ç’është e vërteta, ndryshimet në Paris janë pjesë e një plani më të gjerë për krijimin e një “qyteti 15-minutësh” (ville du quart d’heure), ku aktivitetet thelbësore ditore – përfshirë punën, mësimin dhe blerjet – mund të kryhen nëpërmjet një ecjeje të shkurtër apo ngasjeje me biçikletë nga shtëpia.

Pra, larg prej vjetërsimit edhe më të madh të qyteteve, siç kanë parashikuar disa në fillim, pandemia ka hapur një potencial akoma më të gjerë për rilinje – në atë që ekonomisti Joseph Schumpeter e quajti në mënyrë të famshme “shkatërrim kreativ” i një përmase urbane. Kriza i la qeveritë me fare pak zgjidhje, pos që t’i përshtaten qasjes së përshpejtuar dhe asaj të së mësuarit nga gabimi.

Inovacionet e jashtëzakonshme në aspektin e përshtatjes për këmbësorë, të banimeve të përballueshme dhe zonimit dinamik që janë shfaqur, e reflektojnë fuqinë e reagimit pozitiv.

Megjithëkëtë, qasja Schumpeteriane është thelbësisht eksperimentale dhe eksperimentet e përgatitura me përpikërinë më të hollësishme nganjëherë dështojnë. Për më tepër, kostot e këtyre dështimeve nuk janë të barabarta: ata që ndikohen më së paku kanë tendencë të vuajnë më së shumti.

Pandemia COVID-19, për shembull, ka prekur në mënyrë disproporcionale të varfrit dhe më të brishtët.

Në këtë epokë të re të inovacionit urban, liderët duhet të kujdesen që t’i minimizojnë rreziqet për – dhe t’i ridistribuojnë kthimet kah – ata që janë më në disfavor dhe për grupet e cenueshme. Kjo do të thotë se, si punë e parë dhe më e rëndësishme, duhen dëgjuar pikërisht ata. Lëvizja “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një shembull i fuqishëm i një grupi në disavantazh që kërkon të dëgjohet. Liderët kudo duhet t’u kushtojnë vëmendje dhe t’i adresojnë ndasitë racore dhe klasore, si punë e parë. Dizajni urban është qendror për cilëndo strategji të këtillë.

Për ta mbështetur këtë proces – dhe për të ndihmuar në ruajtjen e fleksibilitetit dhe shpejtësisë në inovacionin urban pas pandemisë – liderët duhet ta marrin në konsideratë krijimin e platformave participuese digjitale për t’ua mundësuar banorëve komunikimin e nevojave të tyre. Kjo mund t’i trimërojë politikat që e përmirësojnë cilësinë e jetës në qytete – sidomos në lagjet me banorë në disavantazh – përfshirë kufizimet e trendëve problematikë, si ngritja e shkallës së ndotjes dhe gentrifikimit. Vetëm me një qasje të shkathët dhe përfshirëse mund ta rrëmbejmë këtë mundësi që jepet një herë në një shekull – apo, më saktë, ta përmbushim obligimin tonë urgjent – për të “ndërtuar sërish, më mirë”.

Rue de Rivoli sot nuk e mban as hijen e atij shkretimi dhe shurdhimi, të cilat i kishim pritur në rrugët e qytetit gjatë pandemisë. Në vend të kësaj, bulevardi historik gumëzhin prej parisienëve me maska që nxitojnë përreth me biçikleta, scooterë dhe e-biçikleta, apo ndalojnë për nga një kafe në kafene apo restorante. Një qytet buzë vdekjes shkaku i pandemisë është ringjallur. Me anë të planifikimit të përpiktë, eksperimentimit të vendosur dhe fatit, transformimet e tilla mund të jenë vetëm fillimi për qytetet kudo tjetër.

(Carlo Ratti, bashkëthemelues i zyrës ndërkombëtare për dizajnim dhe inovacion “CarloRatto Associati”, është drejtor i “Senseable City Lab” në MIT. Richard Florida është profesor universitar në shkollën për qytete në Universitetin e Torontos dhe shkollës për menaxhment- Rotman. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)