Vështrime

Sot festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Dita e Pavarësisë në Kosovë është mundësi e mirë për të reflektuar mbi përpjekjet dhe sakrificat e së kaluarës, si dhe për t’i nderuar këto përmes realizimit të ëndrrës për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe me prosperitet. Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pranë jush në këtë rrugë

Çdo herë që mbajmë takime në Ambasadën Britanike, ne ulemi para dy letrave të vendosura në kornizë që qëndrojnë të varura me krenari në mur. Këto letra ishin ndër të parat e këtij lloji. Ato u janë adresuar presidentit të atëhershëm Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi, duke e bërë Mbretërinë e Bashkuar vendin e parë që ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, sovran dhe që ka vendosur marrëdhënie zyrtare diplomatike. Është nder dhe kënaqësi që të shërbej si Ambasadori i pestë i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe të më rikujtojnë çdo ditë për rolin që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur në rrugëtimin e Kosovës për të fituar pavarësinë.

Trembëdhjetë vjet më vonë, ne mbesim të angazhuar dhe përkrahës si çdoherë, dhe Dita e Pavarësisë së Kosovës është moment i mirë për të reflektuar sesa progres është arritur, sidomos në inkurajimin dhe themelimin e një demokracie të re dhe moderne. Zgjedhjet e së dielës, përsëri ishin një ditë e veçantë. Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe borës, unë pashë shumë kosovarë, të të gjitha moshave, duke ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Sot ne duhet të kujtojmë edhe të gjithë ata që kanë sakrifikuar aq shumë që populli i Kosovës të ketë mundësi të zgjedhë liderët e tij.