Vështrime

Era e një revolucioni zgjedhor

Më 14 shkurt Kosova mund të ketë ndryshuar kahun e ecjes së vet historike. Ja disa pika për analizë

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 Kosova prodhoi një revolucion zgjedhor, duke përmbysur konceptin e deritanishëm të elitave politike në pushtet. Efekti i këtyre zgjedhjeve mund të ketë dimension të kthesës historike në vend. Ja disa pika që mund të shërbejnë për një analizë më të hollësishme.

1. Konsensusi i vjetër: Kosova ka arritur që në formë konsistente të marrë përshkrimin e një shteti të kapur, me korrupsion endemik , institucione të sundimit të ligjit të ndikuara thellë nga politika, ekonomi të kontrolluar nga elitat kriminale-politike, me pengesa serioze për krijimin e një ambienti të zhvillimit të ekonomisë private e të punësimit, me rënie dramatike në arsim dhe përgatitje të të rinjve të vendit për tregun ndërkombëtar të punës...Lista mund të shkojë edhe më gjatë , por përmbledhur në fjalorin e shkencëtarëve politikë, Kosova ishte (është) model i një shteti ekstraktiv (nxjerrës) nga i cili pasurohen elitat në pushtet. Ky është një model i iniciuar në feudalizëm, në Kosovë u promovua me një ngjashmëri, ku partitë politike (feudet), prej të cilave disa edhe me shtrirje të feudeve territoriale, nxorën benefitet materiale për vete.