Vështrime

Kosova si mëkati i parë rus i Evropës

Një mësim për J. Borrell: si mund të ketë BE politikë të përbashkët të jashtme ndaj Rusisë nëse nuk ka politikë të përbashkët të jashtme ndaj Kosovës?

1.

Shefi i politikës së jashtme të Komisionit Evropian u kthye nga një vizitë Moskës dhe u ul e shkroi disa fjali përshtypjesh që kanë intencën dhe potencialin e të mbajturit mend si historike. “U ktheva në Bruksel me brengosje të thellë për perspektivën e zhvillimit të shoqërisë ruse dhe zgjedhjeve gjeostrategjike të Rusisë”. Autori shtoi se Rusia dhe BE-ja po “i largohen njëra-tjetrës” dhe se “duket që Rusia në formë progresive po e shkëput veten nga Evropa dhe po i shikon vlerat demokratike si kërcënim ekzistencial”. Për të vënë pikën mbi “i”, ai shkruan se “jemi në udhëkryq”, se “zgjedhjet strategjike që bëjmë tash do të përcaktojnë dinamikën ndërkombëtare të fuqisë në shekullin XXI, duke u vënë në spikamë a do të shkojmë drejt modeleve më bashkëpunuese apo më polarizuese, të mbështetura në shoqëri të mbyllura apo më të lira”.