OpEd

Yshtës të urrejtjes

Fenomeni Don Alphonso – ose kur një i pandershëm gojëndyrë i ndërsen followerët e tij kundër atyre që mendojnë ndryshe. Dhe një profesor zviceran mbi ekonominë e zemërimit medial

Don Alphonso është një bloger gjerman. Në jetën civile ai quhet Rainer Meyer. Sipas Wikipedias, ai është 54-vjeçar. Në mediat sociale ai ka shumë ndjekës (follower), në Twitter rreth 43 mijë. Që nga viti 2018 Don Alphonso shkruan për gazetën konservatore «Die Welt». Don Alphonsos nuk i pëlqejnë disa njerëz dhe ai shkruan kundër tyre. Shkruan me ton të egër, me gjuhë që mund të interpretohet si kërcënuese apo përjetohet si kërcënuese. Cilët njerëz i përbuz Don Alphonso? Të majtit, liberalët, Angela Merkelin, aktivistët kundër racizmit, feministet, moralistët dhe të gjithë ata që marrin pjesë në «ndejat kulturo-marksiste të Merkelit». Në gjermanisht fjala «Kulturmarxismus» është nocion luftarak antisemit.

Si funksionon metoda Don Alphonso? Ai e shënjon një person dhe e godet me shkrime toksike. Pastaj personit të shënjuar i vërsulen bandat e mediave sociale – pra, fansat e Don Alphonsos, një pjesë e madhe e të cilëve janë radikalë të djathtë, me simpati për neonazizmin apo thjesht hajvanë që sillen si shoferi që ecën në drejtim të kundërt në autostradë dhe habitet e shan pse të gjithë të tjerët po drejtojnë makinën gabimisht. Sipas Don Alphonsos, Gjermanisë i ka dalë nga kontrolli politika e migrimit dhe këtu ai sheh probleme «demografike dhe seksuale». Si një të keqe të madhe shoqërore ai e sheh «gruan e arsimuar dhe single».

Tani gazeta gjermane «Die Zeit» ka hulumtuar se çfarë pasoja kanë poshtërsitë shkrimore të Don Alphonsos për personat e sulmuar. Gazeta ka biseduar me disa nga gratë e sulmuara nga Don Alphonso. Sepse viktima të tij janë kryesisht gratë dhe sidomos gratë me origjinë të huaj që janë të integruara mirë në Gjermani dhe angazhohen për barazi, disa prej tyre nganjëherë me ton polemik, por jo kërcënues. Pas shkrimeve të Don Alphonsos fansat e tij fillojnë sulmet e pandërprera kundër personit të shënjuar. Jo vetëm në profilet e të goditurave në media sociale. Fushata shkon aq larg, saqë ndjekësit e Don Alphonsos i kërcënojnë aktivistet me përdhunim.

Njëra nga gratë e sulmuara nga Don Alphonso është politologia Natascha Strobl. Pas një interviste televizive në korrik 2020, ku ajo tha se kush i pëlqen postimet e «Lëvizjes Identitare», një grup i ekstremit të djathtë, ai e përqafon edhe ideologjinë e këtij grupi, kundër Natascha Strobl nisi një fushatë e tmerrshme kundër profileve të saj në mediat sociale. Sharje, kërcënime në çdo sekondë. Strobl i tha gazetës «Die Zeit» se pas kërcënimeve në Twitter, u kërcënuan edhe fëmijët e saj, një kërcënues tha se do ta nxirrnin nga varri babanë e saj dhe do t’ia vendosnin para derës.

Pas shkrimeve të Don Alphonsos u kërcënua edhe autorja Sibel Schick, e cila merret me çështje të feminizmit dhe të drejtave të të huajve. Adresa e saj u publikua në internet. Urrejtësit nisën t’i dërgonin gjësende me postë. Kërcënimet u përhapën gjithandej në mediat sociale, saqë Sibel Schick u detyrua të largohej nga Berlini. Por para se të vendosej në vendbanimin e ri, adresa e saj e re u bë publike, zilja e banesës me emrin e saj u fotografua dhe u publikua po ashtu. Sibel Schick ende merr kërcënime me vrasje dhe përdhunim. Ajo thotë se gjithçka filloi pas sulmeve nga Don Alphonso.

Ekspertët e mediave dhe botës digjitale kërcënuesit dhe llomotitësit e tillë i krahasojnë me «bajga sociale»: bajga që u ngjiten të tjerëve për këmbe për shkak se nuk pajtohen me mendimin e tyre. Nuk kanë kapacitet mendor të kundërshtojnë mendimin tjetër, andaj kërcënojnë, përgojojnë, gënjejnë, merren me thashetheme, trillime.

Don Alphonso nuk është i vetmuar. Profesori zviceran Christian Fichter, i cili është psikolog i çështjeve sociale dhe të ekonomisë, së fundi në gazetën «Tages Anzeiger» foli për miun e torturuar dhe zemërimin e publikut. Në vijim disa nga mendimet e tij të cilat nuk meritojnë komente, sepse janë vetëshpjeguese:

«Zemërimi po vërshon mediat dhe po e ndot diskursin shoqëror. Kush dëshiron, mund të zemërohet orë e çast. Dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz që duan të zemërohen. Shqyerja dhe grisja në Twitter, në Facebook dhe në Youtube po i infekton politikanët dhe gazetarët. Ata nxisin zemërimin për t’i mbajtur të disponuar lexuesit dhe zgjedhësit. Po nuk e bënë këtë, fundosen në parëndësi. Qëllimisht po i futet pyka shoqërisë sonë. Ne po përçahemi dhe nga përçarja jonë po nxirret fitim».

«Në aspektin afatgjatë vërejmë se logjika perfide e ekonomisë së zemërimit i ka përfshirë edhe mediat klasike. (...) Cila është pasoja e kësaj? Sa më i madh zemërimi, aq më të larta klikimet. (...) Zemërimi na motivon, por po ashtu na e mjegullon të menduarit. (...) Zemërimi është një helm i ëmbël. E kërkojmë helmin për t’u dehur».

«Impuls qendror i ekonomisë së zemërimit janë mediat sociale. Ato e kanë kuptuar se çka na mban më së gjati para ekraneve: storiet që ngjallin emocione të fuqishme. Nëse diku në këtë botë torturohet një mi në laborator, atëherë ne e lexojmë këtë menjëherë, e komentojmë dhe e shpërndajmë. Këtë e vërejnë algoritmet në Youtube, Twitter dhe Facebook dhe na tregojnë gjithnjë edhe më shumë minj të torturuar për të na mbajtur në qarkun e pafundmë të pamjeve të reja. Për këtë madje ekziston një fjalë: Doomscrolling». (Doomscrolling kur i qepesh telefonit apo kompjuterit dhe lexon lajme negative - njërin pas tjetrit).

«Kush e merr rrogën nga zemërimi mbi një të keqe, ai s’ika interes ta zhdukë të keqen».

«Zemërimi dhe Doomscrolling janë atraktive për neve, konsumueset dhe konsumuesit e mediave, sepse na mundësojnë që të reagojmë me emocione negative ndaj diçkaje të keqe që i ndodh tjetrit. Shumica e kafshëve e njohin këtë. Qeni pikëllohet kur ia marrin ushqimin, por jo kur një qeni tjetër i merret ushqimi».