Vështrime

Evropa duhet të bëhet një fuqi globale klimatike

Përshpejtimi i veprimit klimatik dhe menaxhimit të transicionit energjetik duhet të jetë në epiqendër të politikave të jashtme të BE-së dhe të punës sonë me partnerët përreth botës. Në këtë aspekt, ne e mirëpresim vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit që në ditën e tij të parë në detyrë. Ajo çfarë bëjmë sot do të shtrojë rrugën për dekadat në vijim. Ne synojmë që 2021-n ta shndërrojmë në vitin përcaktues, në të cilin Evropa do të vërë gjithë peshën e saj diplomatike dhe financiare mbi betejën globale kundër ndryshimit klimatik. Siç ka spikatur sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kjo është “çështja definuese e kohës sonë”

Bota është duke e parë me padurim shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe mezi po e pret kthimin në normalitet, pas një viti me izolime. Por kurrë nuk do të ekzistojë një vaksinë për kërcënimin tjetër në përvijim ndaj njerëzimit: ndryshimin klimatik.

Fotografitë apokaliptike të zjarreve në malet e Californias dhe vërshimet shkatërrimtare në Bangladesh janë lajmëtarët e asaj çfarë na pret po qe se dështojmë ta adresojmë emergjencën klimatike. Pa veprime drastike, katastrofat e tilla do të ndodhin më shpesh dhe do të bëhen edhe më shkatërrimtare. Për më tepër, ndryshimi klimatik është një prej sfidave më të mëdha gjeopolitike me të cilat përballemi. Si një shumëfishues i konflikteve, po i ushqen jostabilitetin sociopolitik, po krijon presion për migrimin, po i thellon pabarazitë globale dhe po i rrezikon të drejtat e njeriut dhe paqes, veçmas në shtetet e brishta.