OpEd

Për medaljet që na presin

Jo të gjithë pranojnë të mësojnë prej xhudos

Në një faqe pirat, përmes telefonit, me trajnerin më të mirë që ka Kosova po shikonim ndeshjen më të madhe që ka pasur përfaqësuesja e futbollit. Në hollin e madh të një hoteli gjigant në bregdetin turk, po qëndronim kokë më kokë me Driton Kukën, trajnerin e xhudos, derisa në Shkup po luanin futbollistët e Kosovës ndaj atyre të Maqedonisë së Veriut. Transmetimi ndërpritej goxha shpesh, por sinjali që vinte mjaftonte për të vlerësuar se ekipi i Kosovës në futboll ishte në telashe.

Në ndeshjen më të madhe, telashet ishin më të mëdhatë.

Sinjali i dobët mundësonte më shumë kohë për bisedë. Me Tonin flisnim për lojtarët që po i mungonin Kosovës, për arsyetimet e tyre, për rëndësinë e ndeshjes dhe për rastin e artë që vështirë se do të paraqitej në të ardhmen e afërt. Toni, si njeri i sportit, arsyetonte lojtarët dhe mundohej të nxirrte anët pozitive nga secila situatë.

Ndeshja përfundoi keq për Kosovën, me fitoren 2:1 të Maqedonisë së Veriut. Lojtarët e Maqedonisë së Veriut bënë hap vendimtar drejt Evropianit, të cilin më vonë edhe e siguruan. Lojtarët e Kosovës u larguan të dëshpëruar nga fusha e blertë e stadiumit në Shkup.

Thuajse i gjithë viti 2020 kaloi në këtë frymë – me dëshpërime, telashe e momente të vështira. Pandemia ka sfiduar gjithë botën. Kosovën edhe më shumë, sportin kosovar po ashtu.

Përgjegjësit vlerësojnë se pandemia e ka lëkundur sportin, por ai ka mbetur në këmbë. Të shtyra i kanë ardhur edhe nga anë të tjera, si zakonisht.

Pritjet më të mëdha ishin nga përfaqësuesja e futbollit. Dhe dëshpërimi më i madh erdhi prej saj. Disa rezultate të mira në vitet e kaluara ngjallën entuziazëm në vend rreth përfaqësueses së futbollit. Doli në fund që pritjet ishin edhe më të mëdha sesa realisht ishin mundësitë. Gjatë vitit të vështirë, Kosova vargoi rezultatet negative. E humbi edhe ndeshjen vendimtare, atë në Shkup, që futbollin e Kosovës do të mund ta vendoste në nivel tjetër, dukshëm më të lartë. Kishte rolin e saj pandemia, natyrisht. Por, ajo luajti rol edhe te përfaqësueset e tjera. Edhe te Maqedonia e Veriut.

Te Kosova, situata para ndeshjes nuk u menaxhua më së miri. Dhe përfaqësuesja nuk ishte në momentin më të mirë për ndeshjen më të rëndësishme. Në sportin kulmor kjo vlerësohet kyçe – tempimi i formës. Kosovës i munguan lojtarë të rëndësishëm dhe ata që i zëvendësuan nuk e kishin shkëlqimin e njëjtë. U fajësuan, për shumë njerëz me të drejtë, ata që munguan, pra bartësit e lojës: Vedat Muriqi, Milot Rashica, Amir Rrahmani e ndonjë tjetër. Kishte fyerje e sharje të ndryshme në rrjete sociale, e po ashtu akuza për mungesë përkushtimi për sukses me ekipin që përfaqëson vendin. Akuza sporadike bëhen ende. Por, ai moment i vështirë u kalua. Të gjithë janë të vetëdijshëm se për të qenë aq afër kualifikimit në Evropian duhet të pritet gjatë. Ndoshta dekada. Vlerësimet për rast të artë të humbur vazhdojnë.

Edhe ndeshjet e tjera, që është dashur të jenë në shërbim të asaj finaleje në Shkup, nuk shkuan mirë. Ato nxorën në pah më shumë dobësi sesa gjëra pozitive në ekipin e Kosovës. Përplasje të brendshme, mungesë përkushtimi, mosmarrëveshje me shtabin teknik, thyerje të rregullave, janë prej telasheve që e mundojnë Kosovën. Kosovës i ka munguar shumë edhe përkrahja nga tribunat, ndërsa pa ndikim nuk janë as problemet e brendshme të Federatës, që po e godasin për kohë më të gjatë futbollin.

Ka shumë punë për ta kthyer përfaqësuesen në rrugën e duhur. Ndeshjet e vitit tjetër, që u takojnë eliminatoreve për Botërorin 2022, duhet të shërbejnë për këtë. Do të diskutohet shumë për çështjet politike që lidhen me ndeshje. Dhe dështimet sportive, si shpesh në të kaluarën, mund të fshihen pas atyre zhvillimeve. Për FFK-në, megjithatë, prioritet duhet të jetë konsolidimi i grupit, rritja e konkurrencës, kthimi i disiplinës dhe rifitimi i besimit të tifozëve. Entuziazmi i duhet Kosovës, por assesi euforia. Për shkak të euforisë, pritjeve të mëdha, dështimi në ndeshjen e plejofit u përjetua më rëndë.

Në verën e ardhshme, lojtarët e Kosovës nuk do të jenë shumë të ngarkuar, të paktën jo ashtu si do të ishin nëse do ta siguronin Evropianin. Por, do të ketë sportistë të tjerë kosovarë që gjatë verës do të punojnë me përkushtim maksimal. Do të jenë xhudistët, ndër të tjera. Nxënësit e Driton Kukës.

Ata janë duke u përgatitur dhe do të vazhdojnë të përgatiten deri në mes të korrikut për ngjarjen më të madhe sportive, Lojërat Olimpike. Do ta ndjekin praktikën që deri më tani është treguar e suksesshme, që i ka sjellë vendit medalje të artë olimpike, shumë medalje botërore e shumë më tepër medalje evropiane.

Përgjegjësit në FFK, por edhe në federatat e tjera, mund të marrin shënime nga përfaqësimi i ekipit të Kosovës në xhudo në Lojërat Olimpike të Tokios. Mund të mësojnë ndonjë gjë për tempimin e formës, për arritjen e nivelit më të lartë garues në momentin e duhur. Për seriozitetin para garës, për respektimin e eprorit (trajnerit), uniformës e vetë garës. Xhudistët mund të japin shkollë për të tjerët edhe për shumë gjëra që kanë rol për arritjen e suksesit në sport. Këtë në fakt ka kohë që e bëjnë.

Por, jo të gjithë pranojnë të mësojnë prej xhudos. Ka të tillë në sportin kosovar, shumë për fat të keq, që xhelozojnë për suksesin e tyre. Suksesi i xhudos ua prish rehatinë, pasi edhe prej tyre kërkohet ndonjë hap para, që nuk e bëjnë dot.

Edhe xhudoja është sfiduar në këtë vit të sfidave. Fuqishëm madje. Shumica e garave janë anuluar, ndërsa në prag të garës kryesore të vitit, Evropianit, xhudistët kosovarë u prekën nga koronavirusi. Nuk kreu punë zhvillimi i stërvitjeve për muaj të tërë në izolim të plotë, larg të tjerëve. Në momentin vendimtar, koronavirusi depërtoi te xhudistët dhe Nora e Akil Gjakova, si dhe disa të tjerë, humbën garën kryesore për shkak të infektimit. Kjo e zvogëloi numrin e medaljeve për Kosovën, por nuk mohoi tërësisht ato. Distria Krasniqi e Loriana Kuka fituan dy medaljet e vetme me peshë në nivelin e të rriturve këtë vit.

Disa medalje evropiane e ballkanike janë fituar edhe te të rinjtë në boks, taekwondo, karate e atletikë. Në boks e taekwondo me nga vetëm një fitore, por megjithatë medaljet janë me rëndësi për karrierën e atyre sportistëve. Për shumicën e sporteve, 2020-a mund të vlerësohet vit i kapërcyer, pa ndonjë zhvillim të ri, pa ndonjë avancim.

Edhe xhudoja nuk e kishte shkëlqimin e zakonshëm, për arsyet e përmendura. Por, vazhdoi të sjellë medalje. Dhe do të sjellë medalje të tjera vitin e ardhshëm. Madje, nga ngjarja më e madhe, Lojërat Olimpike.

Puna e sakrifica që Driton Kuka dhe nxënësit e tij bënë në kampin në Turqi dhe në shumë kampe të tjera, është garancë për këtë. Atë ndeshje historike të Shkupit, Kuka nuk e shikoi deri në fund. Duhej të pushonte, pasi të nesërmen e prisnin angazhime të tjera, stërvitje të forta me djem e vajza. Për stërvitje nuk ka kompromis. Dhe mirë që nuk ka. Kjo garanton medalje të tjera për Kosovën, në garën ku fitojnë vetëm më të mirët në botë.

Pritjet janë që xhudistët të shkëlqejnë edhe në Tokio. Lavdia do të jetë e madhe nëse pritjet tona dalin të sakta. Suksesi i xhudistëve ka edhe çmimin – fshehjen e shumë dështimeve prapa tyre.