OpEd

Oaza e viruseve të kultivuara

Do të doja të besoja se ballafaqimin edhe me veten tek i cili na shtyu virusi do të ketë arritur të na i këndellë pak mendtë. Të na e shkundë atë ndjenjë kolektive se ende jemi duke kthyer borxhe, të cilat me kalimin e viteve u shndërruan në fajde - sepse "kreditorët" nuk ditën të ngopeshin

Ndoshta dikujt dikur do t'i bjerë ndër mend të më pyesë se për çfarë do të më kujtohet viti 2020.

Përgjigjja që do të vijonte, e besoj, do ta linte përhapjen e virusit që shumëkush e mori për shaka kur u shfaq, sepse Kina na dukej larg, diku në plan të dytë. Pavarësisht se virusi mori shumë jetë edhe në Kosovë dhe na e çrregulloi jetën duke na bërë të varur prej maskave. Dhe që na detyroi, si kurrë më parë në jetë, që të kujdeseshim për higjienën personale dhe që njëmend t'i lanim duart gjatë dhe me shumë sapun.

Virusi pa dyshim se do të na lërë pasoja, dhe të shpresojmë në përmasa jo të mëdha. Porse Kosova e vitit 2020 është karakterizuar me shpërfaqjen e më shumë viruseve, në të shumtën të kultivuara dhe të trashëguara nga një strukturë njerëzish që prej vitesh sistematikisht e kanë shkatërruar këtë vend dhe e kanë shndërruar në oazën e parazitëve papunëtorë që kulmin në jetë e arrijnë duke iu ngjitur mbas "të fortëve".

Përgjigjja në pyetjen hipotetike se për çfarë do ta mbaj mend 2020-n, do të jetë humbja thuajse e tërësishme e besimit se ky vend do të mund të çohej në këmbët e veta ndonjëherë. Po them, për shkak se ende e kam një fije shprese diku të fshehur thellë, se mbase do të mund të këndellemi. Me gjasë, për shkak se po mos ta kisha pasur këtë shpresë moti ishte dashur të ikja nga vendi ku u linda.

* * *

Viti që nisi me një emocion të papërjetuar deri atëherë, që kishte ngjallur një diçka që quhej "koalicioni i shpresës", u shua si flluskë sapuni. Nuk jetoi më gjatë se dy muaj, për shkak se ashtu e kishte vendosur Hashim Thaçi. E për ta çuar idenë e tij deri te vendi i synuar e kishte gjetur ortaken - partinë që na i ka çarë veshët me "institucionalizmin" e saj, LDK-në.

Në një skenar që madje edhe Hollywoodi do t'ia kishte lakminë, u rrëzua një qeveri në mes të pandemisë për një kauzë të rreme. E rreme ishte nga fillimi, e rreme u vërtetua në shtator, kurse në nëntor u shpalos e tëra. Kosova hyri në krizën më të thellë që e kishte përjetuar për shkak të hireve të një njeriu që pa asnjë skrupull të vetëm e manipuloi krejt një popull. Natyrisht, në përpjekje për ta shpëtuar lëkurën e vet, duke ditur se nuk do të mund t'i ikte Gjykatës Speciale, të cilën vetë insistoi që të themelohej.

Në kohën kur u nis fushata për rrëzimin e Qeverisë më nuk ishte aspak me rëndësi po qe se ai ekzekutiv kishte sjellë ndonjë të mirë apo edhe nëse ishte nisur rrugës së çlirimit të institucioneve shtetërore nga rrjeti i merimangës së Thaçit me miqtë. Nuk ishte fare me rëndësi që për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës gjendeshin ministra të dy partive të ndryshme që e kishin të njëjtin qëllim: që Kosova të mos ishte ajo e 20 vjetëve të fundit, ku qytetari është bira e fundit e kavallit.

* * *

Qytetari protestoi, me aq kaçik sa pati, i mbyllur në shtëpi për shkak të karantinës, ndërkohë që Thaçi kërcënonte me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në një situatë edhe ashtu të jashtëzakonshme: gjërat më nuk ishin njësoj dhe ai po e humbte primatin. Shumë e rëndë për sedrën e tij. E sedra e prekur duhej të shërohej, si gjithmonë, duke i shkelur qytetarët dhe ëndrrat e tyre.

Nga ana tjetër, cirku i organizuar në Washington shërbeu për krijimin e iluzionit te persona e Avdullah Hotit se ai është burrështetas i madh, më i madhi që ka pasur ky vend. Sepse ky e kishte nënshkruar një "marrëveshje historike" në Amerikë. Ia kishte dalë t'ia hapte Vuçiqit derën e Shtëpisë së Bardhë, teksa e përsëriste si shirit i prishur i magnetofonit se "po negociohej për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë". Këto "negociata" e sollën tash edhe Ujmanin mbi tavolinë, duke shkelur mbi kujtimin e të gjithë atyre të pagjeturve, që në Qeverinë e tij u bënë temë e ezauruar.

Qershori e ktheu Kosovën aty ku ishte para zgjedhjes së Qeverisë së parë sivjet. E ktheu te Qeveria harmonikë me qindra të angazhuar që nuk e dinë pse janë aty; me një Kuvend të keq, dembel, të kotë; me politizim të skajshëm të bordeve dhe institucioneve të tjera dhe me zhdukjen e parasë publike pa e dhënë asnjë përgjegjësi të vetme, pos një konference për shtyp.

* * *

Derisa po i shkruaj këta rreshta sërish më kaplon hidhërimi për gjithë këta vjet që i kaluam duke duruar që të na nëpërkëmbin njerëz që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Njerëz të cilët e panë shtetin dhe pushtetin si një shans për të shkruar histori të imagjinuar mbi të cilën më pas do të pozicionoheshin aty diku lart dhe shumë larg mbi ligjin. Aty ku mund të bëjnë çfarë të duan, ku të duan dhe sa herë që të duan, pavarësisht çmimit. Ngase çmimin, si përherë, edhe ashtu e paguan populli, e paguan Kosova.

Nuk ka dyshim se pandemia ka pasur ndikim jashtëzakonisht të madh në psikikën e secilit prej nesh, sepse na ka detyruar të kalonim më shumë kohë me familjet dhe me veten për më shumë se nëntë muaj. Do të doja të besoja se ky ballafaqim edhe me veten do të ketë arritur të na i këndellë pak mendtë. Të na e shkundë atë ndjenjë kolektive se ende jemi duke kthyer borxhe, të cilat me kalimin e viteve u shndërruan në fajde - sepse "kreditorët" nuk ditën të ngopeshin. Të na i hapë mendjet për të kuptuar se kush rren kur vepron politikisht dhe pse nuk duhet mbështetur në ta. Për të parë se me sa lehtësi vidhen 2.1 milionë euro, e kush e di edhe sa të tjera për të cilat nuk e kemi marrë vesh ende, e që askush nga zyrtarët të mos e japë asnjë përgjegjësi.

* * *

Kjo e tashmja është Kosova e anktheve të mia. Përderisa e di se ajo mund të bëhet edhe e ëndrrave të mia. Uroj që dëmin që ia bëjmë vetes për çdo vit që lëmë pas ta ndalim. Boll e kemi shkatërruar këtë vend: ata duke vjedhur e ne duke heshtur.

Mbase epoka e tyre po mbaron. Uroj që të jetë ashtu!

Gëzuar!

flaka@koha.net