OpEd

Po të mund ta kthenim kohën prapa...

...me njohuritë që i kemi grumbulluar këta 20 vjet, a thua do të dinim si t'i bënim punët më ndryshe? A thua do të lejonim që mashtruesit e injorantët të na sundonin dhe t'i lëshonin rrënjët aq thellë, sa do ta na marrë edhe dy dekada për t'i çrrënjosur. A thua do ta donim veten dhe këtë shtet më shumë?

"Varreza e zbuluar në Kizhevak të Rashkës dyshohet që ka eshtrat e 15-17 kosovarëve civilë të vrarë gjatë luftës. Varreza gjendet në një kodër në minierën e Kizhevakut. Kjo pjesë në vitet ’90 ishte shumë më e rrafshët sesa sot. Dyshohet që trupat, pasi u futën në thellësi 4 metra nën dhé, e gjithë zona u mbulua me sasi të madhe të dheut për ta vështirësuar identifikimin e kësaj varreze". Kështu nis raportimi i Sarandës nga një vend nja dhjetë kilometra larg kufirit me Kosovën, ku u zbulua e pesta nga ato 16 varreza masive që i kishte përmendur para pak kohësh Çedomir Jovanoviqi në një intervistë, në një televizion serb.

Pa asnjë diskutim, për mua ky ishte lajmi i javës, madje edhe i disa javëve të fundit. Të kohës kur për lehtësuesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë ishte temë brenge fakti që autoritetet kosovare nuk i kishin dhënë Vuçiqit leje për të hyrë në Kosovë, për t'u shëtitur. Vuçiqit pra, ministrit të Informimit të Millosheviqit në kohën kur këto varreza po hapeshin e po mbuloheshin për të zhdukur gjurmë. Pra zyrtarit, meqë ishte përgjegjës për informim, që duhej të dinte se ku po varroseshin shqiptarët e vrarë e të masakruar që më pas do të barteshin me kamionë nëpër Serbi për t'i zhdukur.

Pas dhjetë vjetësh makinacionesh të Thaçit edhe më shumë mllef nxit një lajm i këtillë. Hyrja në dialog pa kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve, pa kërkuar që Serbia të kërkonte falje për krimet e bëra, pa e bërë as përpjekjen minimale për t'i dokumentuar ato krime që do të duhej përplasur në fytyrë bashkëbiseduesve që dikur ishin pjesë e një regjimi fashist, ka qenë mbase një nga shumë gabimet e mëdha që i ka bërë Thaçi krye më vete, me aminin e partive politike të ulura në Kuvend.

Nuk e di nëse cilido prej tyre në çastin kur e dëgjon këtë lajm ndien bile një grimë ndjenjë fajësie, sepse e dyshoj se mund t'i brejë ndërgjegjja.

* * *

Sikur kjo të mos mjaftonte për ta bërë këtë ndjenjë edhe më të rëndë, janë shifrat alarmante që po dalin dita më ditë në lidhje me pandeminë. Mbi 41 mijë raste dhe madje 1073 vdekje janë regjistruar që nga nisja e pandemisë, porse vetëm në periudhën 1 tetor - 4 dhjetor janë regjistruar mbi 26 mijë raste dhe 446 vdekje, pra më shumë sesa totali në shtatë muajt e parë.

Kjo po tregon se Kosova nuk ka pasur as kapacitet e as mend për ta ndalur përhapjen e virusit dhe se qëllimi i proklamuar për të cilin ra një qeveri dhe u formua tjetra, pra menaxhimi më i mirë i pandemisë, ka dështuar. Të kota karantinimet dhe zonimet; të kota ndalimet e lëvizjeve, të kota madje edhe furnizimet me makina për përpunimin e mostrave PCR, kur spitalet e Kosovës nuk kanë oksigjen. Dhe si do të komentonin ca miq në FB, përderisa sfidë për botën është sigurimi i vaksinës anti-Covid-19, për Kosovën sfidë është sigurimi i oksigjenit për trajtimin e pacientëve.

Nuk e di se cilat janë moshat e këtyre 1073 personave, porse lajmërimet e përditshme në të cilat po hasim nëpër rrjete sociale, tregojnë për humbjen e jetëve të njerëzve në moshë të re dhe relativisht të re, për të cilët jam më se e sigurt se nuk mund t'u vishen edhe sëmundjet tjera shoqëruese.

Dhe përderisa nuk mund të themi se stafi mjekësor nuk po angazhohet ta kryejë punën e vet si duhet, megjithatë konstatojmë atë që e kemi lëngim me dekada: sistemi ynë shëndetësor është shkatërruar sistematikisht nga udhëheqësit politikë që atë e kanë parë si burim të pashtershëm të pasurimit dhe të akomodimit të njerëzve që do t'i kryenin punët e tenderëve për ta. Nuk ka mjerim më të madh se të humben jetët për shkak se nuk kemi barna dhe për shkak se nuk ka sisteme qendrore oksigjenimi apo madje edhe boca oksigjeni. Nuk ka mjerim më të madh që në kohë pandemie vetë qytetarët të detyrohen t'i blejnë terapitë e shtrenjta që i pasuruan një pjesë të madhe farmacish dhe laboratorësh, dhe që krejt kjo të ndodhë në kohën kur një ligji i rimëkëmbjes merr gjashtë muaj për të kaluar. Siç do të thoshte një mik imi, po për çfarë rimëkëmbjeje mund të flitet kur ekonomia jonë kurrë as në këmbë nuk ka qenë. Edhe nuk ka mundur të jetë - për shkak se kështu e kanë dashur ata që na kanë sunduar qe 20 vjet.

* * *

Viti po i afrohet fundit dhe besoj se shumëkush e ndan ndjenjën se nuk ka pasur vit më të keq se ky që nga çlirimi. Jo vetëm që na e ka shkatërruar shëndetin fizik dhe atë mendor, porse edhe na ka dërrmuar financiarisht. Të gjithëve, me ca përjashtime te tregtia me mallra ushqimore dhe te mjetet mjekësore.

Porse dërrmimi ynë nuk është pasojë vetëm e efekteve shkatërrimtare që ka treguar t'i ketë ky virus, por edhe të ambientit politik e shoqëror në të cilin jetojmë. Tashmë u përmend, i famshmi Ligj për rimëkëmbjen kaloi vetëm në tentimin e tetë dhe kjo falë ndihmës së PDK-së që i dha votat për ta kaluar, pasi u miratuan disa amendamente të saj në këtë ligj.

Indikative që përkrahja erdhi menjëherë pas zgjedhjeve komunale në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut. Përderisa në këtë komunën e dytë dihej qartë që fituesi do të dilte nga Lista Srpska, në Podujevë nuk ishte e sigurt se nuk do të shkohej në balotazh. Porse, për herë të parë pas 20 vjetësh postin e kryetarit të Komunës e fitoi përfaqësuesi i VV-së, dikur anëtar i LDK-së, me shumicë absolute. Interpretimi më i thjeshtë dhe i logjikshëm qe se kjo ishte votë ndëshkimi ndaj Agim Veliut dhe përkrahjes së hapur që ia kishte bërë Thaçit kur e kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Shkarkimi i tij e më pas edhe rrëzimi i Qeverisë nga ana e LDK-së, së futur në kurth nga Thaçi dhe Grenelli, solli krizë të ripërtërirë politike dhe e cila u thellua me krijimin e situatës së re: garës për kryetarin e shtetit dhe kombinatorikën e nevojshme për mbijetesë politike, pavarësisht dështimit në menaxhimin e pandemisë dhe të situatës në përgjithësi.

* * *

Vjosa Osmani ka mundësi ta mbajë mandatin edhe pesë muaj dhe nëse partitë nuk arrijnë ta zgjedhin kryetarin e shtetit vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Pra, kombinimi nis nga këtu. Po qe se partitë shkojnë në zgjedhje, ekziston rrezik i madh për LDK-në të bjerë në minimalen historike, për shkak të mungesës së parimësisë dhe shkeljes së përhershme të vijave të kuqe që vetë i vendos.

Ekziston rreziku për PDK-në, që në mungesë të një lideri të konsoliduar, të mund të fitojë madje edhe votat që i ka mbledhur herën e shkuar. Prandaj, meqë janë në pozitë për ta shantazhuar LDK-në, tash mund t'i zgjedhin dy opsione: ose e marrin postin e kryeministrit dhe më pas ta humbin mbas ca muajsh, për shkak se tradicionalisht këto parti bëhen bashkë e ndahen për interes, ose e merr postin e kryetarit të shtetit me mandat pesëvjeçar dhe i mban në dorë emërimet në gjyqësi, polici dhe diplomaci. Por këtu, zgjedhja nuk sigurohet pa votat e Lista Srpskas.

Për AAK-në nuk ekziston rrezik, sepse e ka elektoratin e vet të konsoliduar dhe përherë do të jetë pjesë e Kuvendit, me apo pa Ramush Haradinajn, ndërsa për NISMËN Socialdemokrate është vendimtare po qe se dikush do të kishte nevojë për gjashtë votat e saj në Kuvend - ashtu që të sigurohet futja e saj me zor në Kuvend. Si herën e shkuar.

Shikuar kështu dhe pas suksesit në Podujevë, gjasat për të dalë fitimtare do t'i kishte VV-ja, e cila nuk e besoj, megjithatë, se mund ta sigurojë shumicën absolute pa e pasur edhe një parti a listë qytetarësh pranë vetes. Nuk është larg mendsh që kjo listë të formohet së shpejti nga Vjosa Osmani, që nuk ka pengesa kushtetuese (sipas interpretimit të Kushtetueses në rastin e Jakup Krasniqit) për ta bërë një gjë të tillë, dhe kështu ta tërheqë me vete atë krah të LDK-së që është e pakënaqur me udhëheqjen e vet.

Porse puna nëse do të ketë ose jo zgjedhje të reja, mbase do ta përcaktojë Gjykata Kushtetuese javën që vjen, kur të merret me rastin e deputetit Etem Arifi. Doli ky rast dhe e kuptuam se madje 87 politikanë që kishin garuar për zgjedhje e kishin mashtruar shtetin duke e fshehur se kishin qenë të dënuar me aktgjykime të plotfuqishme në tre vjetët e fundit para garimit. Pra, në kundërshtim me ligjin ishin bërë deputetë.

Se çfarë do të vendosë ajo, mbetet të shihet. Mbase të injorohet fare ky fakt, e mbase edhe të shkohet në zgjedhje të reja si pasojë e mashtrimit. Fakti i parë do ta vazhdonte agoninë e këtij koalicioni edhe për ndonjë ditë a javë. Zgjedhjet jo domosdo do të ishin zgjidhje, por, megjithatë, do të ishin shpresë se mbase gjërat do të mund të ndryshonin. Madje edhe me kombinime nga më të pabesueshmet.

* * *

Po të mund ta kthenim kohën prapa me njohuritë që i kemi grumbulluar këta 20 vjet, a thua do të dinim si t'i bënim punët më ndryshe? A thua do të lejonim që mashtruesit e injorantët të na sundonin dhe t'i lëshonin rrënjët aq thellë, sa do të na marrë edhe dy dekada për t'i çrrënjosur. A thua do ta donim veten dhe këtë shtet më shumë?

flaka@koha.net