OpEd

Pa e sqaruar çështjen e organeve, Gjykata Speciale do të jetë e dështuar

Ngritja e aktakuzave ndaj ish-liderëve më të lartë të UÇK-së nuk ishte befasi. Në fund të fundit, kjo gjykatë speciale edhe ishte krijuar pikërisht për të ngritur aktakuzat ndaj tyre. Ngritja e këtyre aktakuzave ishte një “ndërmarrje e bashkuar” e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, senatorit nga Zvicra, Dick Marty, shefit të parë të Task-Forcës Speciale, Clint Williamson. Rol kryesor për krijimin e kësaj gjykate speciale dhe Prokurorisë së Specializuar, që çoi deri te realizimi i qëllimit të ngritjes së aktakuzave, patën BE-ja, qeveritë e Kosovës, presidentët e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës. Arsyet mund të përmblidhen në disa më kryesore: Krimet të cilat i ka përmendur Dick Marty janë aq monstruoze saqë duhet një gjykatë jashtë Kosovës. Niveli i të dyshuarve është aq i lartë saqë në Kosovë nuk do të mund të ketë gjykim të tyre. Krimet supozohet se janë bërë edhe në Shqipëri, ku gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it dhe ICTY-së nuk kanë mandat. Në Kosovë nuk mbrohen dëshmitarët. Këto argumente tash e 10 vjet i kemi dëgjuar sa herë që kemi bërë pyetje: “Pse vetëm për Kosovën duhet të ketë një Gjykatë Speciale, pas të gjitha gjykatave që patën mandat për t’i gjetur dhe gjykuar krimet e luftës?”.

Ndërkaq, argumenti politik ishte: “Kosova është edhe një projekt ndërkombëtar. Dick Marty ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për mungesë të gatishmërisë që të hetohen ato. Për ta hequr këtë re të zezë mbi imazhin e Kosovës, duhet të formohet kjo gjykatë për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë kësaj akuze”.

Argumenti që asnjëherë nuk u përmend është se UNMIK-u dhe EULEX-i kanë dështuar në mandatin e tyre në Kosovë, në mënyrë tragjike. Si u bë që vetëm për Kosovën, të vetmin shtet ku gjykatat nën administrim ndërkombëtar patën fuqi ekzekutive për t’i hetuar dhe gjykuar krimet, pa pasur nevojë as edhe t’u tregojnë organeve kosovare, të ketë nevojë për gjykata speciale, me status ex territorial në Hagë, e për asnjë shtet tjetër jo.

Kosova kësaj gjykate speciale ia dha vetëm mandatin, emrin dhe të akuzuarit. Asgjë tjetër në këtë gjykatë nuk është e Kosovës. Gjykata është e BE-së dhe e “shteteve të tjera kontribuuese”, por nuk u bë formalisht e tillë për shkaqe formale-ligjore, sepse BE-ja nuk e donte përgjegjësinë për të. E formuar me vendime politike, në bazë të një raporti të një politikani, gjithçka është politike rreth kësaj gjykate. Edhe narracioni i aktakuzës së publikuar ka elemente politike. Por, ajo ka rikthyer tash pyetjen se “a ka pasur apo jo nxjerrje organesh”.

Dhe, ja tash kemi edhe publike aktakuzat e para. Krimet që përmenden janë të tmerrshme. Por nuk dallojnë nga mijëra krime të ngjashme që kanë ndodhur në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Vrasje të civilëve, kundërshtarëve ushtarakë e politikë, atyre që dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me palën tjetër në luftë. Keqtrajtim, torturime. Prej Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës e deri në Kosovë me mijëra raste të tilla kanë ndodhur. Por Gjykata, së paku kështu thuhej, ishte krijuar për t’i sqaruar “një herë e përgjithmonë” akuzat monstruoze të Dick Martyt për “nxjerrje organesh”. Dhe vetëm kjo aktakuzë i bënte krimet e supozuara të dallonin nga krimet e tjera. Nuk ishte kjo akuzë, krahas akuzave të tjera, por ishte akuza kryesore, e cila ngriti në këmbë tërë bashkësinë ndërkombëtare.

BE-ja dhe “shtetet kontribuuese”, pos vendimeve politike, dhanë edhe qindra miliona euro për t’i hetuar këto pohime. Dhe në këtë aktakuzë nuk përmenden ato. Nëse nuk do të japë përgjigjen e prerë në këtë pyetje, kjo gjykatë do të jetë e dështuar. Por, kjo nuk do të sjellë pasoja për ata që punojnë në të, por vetëm për Kosovën, sepse ndaj Kosovës do të mbeten dyshimet në bazë të së cilave edhe u krijua kjo gjykatë.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, shefi i parë i Task-Forcës Speciale, Williamson, kishte përsëritur se ai “beson se ka pasur nxjerrje organesh”, por pranonte se “nuk ka gjetur prova të mjaftueshme” që do të qëndronin në një proces gjyqësor. Ai atëherë pati thënë se mban të njëjtin qëndrim me Dick Martyn dhe Carla del Ponten, të cilët po ashtu folën për nxjerrje organesh, thanë se besojnë se ka ndodhur, por nuk kanë gjetur dëshmi e këtë duhet ta bëjë dikush tjetër në vazhdim.

Prej librit të Carla del Pontes, raportit të Dick Martyt përcillet i njëjti narracion, i cili shuhet edhe në aktakuzën në fjalë. Pa hyrë në çështjen kryesore, a janë apo jo të akuzuarit fajtorë, sepse këtë do ta dëshmojë procesi gjyqësor, së paku kështu besojmë, duhet thënë se narracioni i aktakuzës është shumë politik.

Kosovës i është thënë gjithmonë se “do të akuzohen individët e jo UÇK-ja”. Por, edhe në raportin e Dick Martyt, e edhe në këtë aktakuzë ka tendenca që përgjegjësia të kolektivizohet në vend që të individualizohet. Dick Marty e konsideronte UÇK-në si organizatë me motive kriminale, ndërsa ata që kanë pasur qëllime të mira kur ia bashkuan UÇK-së i shihte vetëm si disa individë.

mënyrë të thjeshtësuar në këtë aktakuzë, të shkruar pas qindra intervistash, situata në Kosovë që solli deri te krijimi i UÇK-së ishte sikur gjithçka shkonte mirë me operacione të forcave “të rregullta” të RFJ-së dhe Serbisë, me rezistencën paqësore të udhëhequr nga LDK-ja e Ibrahim Rugova, derisa nuk doli UÇK-ja.

Dalja në shesh e aktakuzës u ka dhënë edhe më shumë argumente atyre që thonë se ajo është shkruar në Beograd. Vështirë se dikush nga Beogradi do të mund t’u jepte vërejtje fjalëve të shkruara në aktakuzë. Dhe, asnjëherë nuk janë hedhur poshtë as nga Prokuroria Speciale se shumicën e dëshmive i kanë marrë nga Serbia.