OpEd

JO euforisë e fyerjeve - PO kritikave të arsyeshme

Askujt më shumë se politikanëve të vendit nuk do t’u shërbente një fitore e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut. Do të ishin prej të parëve që do të uronin dhe që do të shkruanin për moment krenarie e për djem të artë të Kosovës. “Like-t” dhe komentet do të shkonin flakë në fotografitë e publikuara prej tyre, nga vizitat që ia kanë bërë Përfaqësueses së futbollit në stërvitje e në ndeshje. Ndonjë edhe do t’i akuzonte për shfrytëzim të momentit, për përfitim politik, por kjo do të kishte pak rëndësi për politikanët. I rëndësishëm do të ishte pikërisht shfrytëzimi i momentit të euforisë. Natyrisht për të përfituar ndonjë poen politik.

Kosova nuk fitoi në Shkup. Për më tepër, pati paraqitje të zbehtë dhe dëshpërimi pas saj ishte i madh. Kështu ëndrra për kualifikim në Kampionatin Evropian të futbollit, të shtyrë për vitin e ardhshëm, nuk u realizua.

Politikanët u morën pak me Përfaqësuesen për arsye të thjeshtë: dështimi në fushë nuk sjell përfitim në publicitet për ta. Kosovarët, si gjithë të tjerët, kur bëhet fjalë për sport, janë të prirë të merren më shumë me suksesin e dukshëm, e më pak me dështimin. Pëlqimet në rrjetet sociale janë “matës” për këtë.

Ka shumë arsye se pse kosovarët i gëzohen suksesit të Përfaqësueses së futbollit. Se pse entuziazmohen pas secilës fitore të saj. Pse janë euforikë.

Pritja e gjatë për ndeshje të vërteta ndërkombëtare është njëra prej tyre. Identifikimi i fëmijëve dhe të rinjve me yjet e Kosovës është një tjetër. Të gjithë fëmijët që e duan lojën e futbollit, e të tillë ka shumë, shpresojnë të bëhen si Muriqi, Zeneli, Rashica e të tjerët. Ata më të mëdhenjtë e shohin mundësinë që të bëjnë rrugën që e kanë bërë Muriqi, Rashica, Zhegrova, Kastrati – nga futbolli i Kosovës të arrijnë në nivele të larta evropiane.

Arsye për përjetimin shumë emocional të sukseseve është edhe ikja nga realiteti i vështirë. Sukseset e Përfaqësueses së futbollit kanë qenë mënyrë për ikje nga realiteti, nga situata e ngarkuar me zhvillime politike, me krizë sociale në rritje dhe nga përballimi i vështirë i pandemisë.

Në kohën kur fitoret do të mund të kryenin më së shumti punë, në të gjitha drejtimet, erdhën humbjet rresht të Kosovës. Dhe prej euforisë u kalua në skajin tjetër – në fyerje e sharje ndaj lojtarëve e selektorit.

“Energjia negative” ishte e gatshme, ishte e pranishme, kryesisht për shkak të gjendjes së përgjithshme shumë të rënduar në vend. Dhe se negativiteti është shumë i pranishëm u dëshmua me qasjen ndaj Përfaqësueses, pas krizës në rezultate të saj.

Shpejt u harrua periudha kur i gjithë vendi ishte i bashkuar rreth Përfaqësueses së futbollit, kur frymohej me lojtarët, kur dështimet zvogëloheshin në sytë e opinionit e kur sukseset rriteshin. Madje rriteshin aq shumë saqë vala e euforisë i përfshiu të gjithë. Askush nuk mbeti indiferent pas fitoreve ndaj Çekisë, Bullgarisë e Malit të Zi. Apo pas paraqitjes ndaj Anglisë. Atë ndeshje Kosova e humbi 5:3, por të gjithë ne më shumë ishim të prirë të flisnim për tre golat që ia shënuam Anglisë së madhe se për pesë golat që i pranuam për një pjesë, apo për faktin që për një pjesë mezi kaluam gjysmën e fushës. Lehtë u kalua edhe mosmarrëveshja e Vedat Muriqit, e Valon Berishës, për gjuajtje të penalltisë. Vlerësohej normale.

Ajo që shihej, vetëm një vit më parë, ishte ecuria e Përfaqësueses, sukseset e saj. Sukses që në fakt, në sytë e njerëzve rritej më shumë se që në fakt ishte. Edhe gazetarët sportivë, që do të duhej të ishin raportues të vlerës reale të suksesit, ranë pre e euforisë së përgjithshme. Madje ata mbetën në hije – për futbollin nisën të flasin, të komentojnë e të shkruajnë, më shumë analistë politikë, njerëz të politikës e të sferave të tjera. Të gjithë po e shfrytëzonin momentin dhe fjala e atyre që ishin kompetentë për të raportuar për sportin po humbte vlerën.

Kur euforia preku kulmin, erdhën dy goditje rresht, humbja nga Çekia në Plzen dhe ajo nga Anglia në Prishtinë. Kualifikimi direkt në Evropian u bë i pamundur, por prapë shpresa ishte që kjo të arrihej përmes plejofit. Një humbje e ekipit B nga Suedia nuk ndryshoi asgjë e ndërkohë pandemia çrregulloi maksimalisht gjërat, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë. Ndeshja me Maqedoninë u shty, lojtarët patën pushim të gjatë dhe jo të gjithë u kthyen në gjendjen që e kishin. Vera ishte e ngarkuar me transferime të pritura e të synuara nga lojtarët kryesorë. Dhe ajo nuk kaloi pa pasoja. Në shtator ndaj Moldavisë e Greqisë pati mungesa, pati aktivizim të lojtarëve jashtë forme e rrjedhimisht edhe paraqitje të zbehta. Gjendja u rëndua për ndeshjen më të madhe – atë ndaj Maqedonisë së Veriut. Lojtarët kryesorë munguan, ndonjë për arsye të dyshimtë për opinionin e gjerë. Mungesa e tyre u ndie në paraqitje dhe Kosova dështoi.

Opinioni e priti rëndë atë humbje dhe gjërat që ndodhën para saj e pas saj. Ata që vlerësoheshin heronj, u fyen gjerësisht në rrjete sociale. Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Milot Rashica u detyruan të bënin deklarata publike për të arsyetuar mungesën. Më në sytë e opinionit nuk ishin lojtarët për të cilët bëhej luftë e vërtetë për një biletë, për t’i parë nga afër në stadium. Më nuk ishin heronjtë, ishin në thumb të fyerjeve e kritikave. Natyrisht kishte edhe të tillë që i mbronin e i përkrahnin, por më shumë kishte të tillë që i fyenin e i shanin.

Ngadalë gjendja po rrezikon të kthehet në atë që ishte në fund të ciklit eliminator për Botërorin 2018, kur vlerësimi ndaj përfaqësueses e lojtarëve ishte në pikë goxha të ulët.

Përfaqësuesja është dukshëm më e konsoliduar se atëherë, organizimi rreth saj i nivelit më të lartë. Por telashet vazhdojnë të jenë të pranishme. Mbi të gjitha, është grupi thuajse i njëjtë i lojtarëve që ishin edhe në ciklin e parë kualifikues. Pra janë lojtarët që Kosovën, me një përjashtim, nuk e kishin zgjidhjen e parë. Disa u bashkuan me përfaqësuese të revoltuar me trajtimin që kishin te Shqipëria, disa pasi nuk gjenin vend te Zvicra, Norvegjia, Mali i Zi dhe në vendet e tjera ku ishin zhvilluar. Dhe për këtë, ata që e përcjellin Përfaqësuesen, kanë dyshimet nëse të gjithë lojtarët vërtet po e japin maksimumin në secilën ndeshje, në secilin moment. Nëse ata po bëjnë të pamundurën për të qenë në dispozicion të përfaqësueses.

Kosova vazhdon të jetë zgjedhja e dytë për lojtarët apo për shumicën prej tyre. Vazhdojnë të bashkohen me Kosovën lojtarët që nuk i fton Zvicra e vendet e tjera. Është situatë e ndjeshme, ku bëhen edhe “pazare” për të bindur një lojtar që të bashkohet me Kosovën. Të paktën në dy raste lojtarëve u është premtuar hapësirë. Madje Aro Muriq ka pranuar të bashkohet me Kosovën vetëm pasi ishte arritur një marrëveshje (jo në letër) që ai të bëhej portieri i parë. Ai në të kaluarën ishte te të rinjtë e Malit të Zi dhe nuk është sekret se sikur ta ftonte Mali i Zi “A” do të bashkohej me këtë përfaqësuese. Por i erdhi mundësia për Kosovën dhe garancia se do të jetë portieri i parë.

Këto raste e shumë gjëra të tjera, kanë ndikuar që të ketë shumë përçarje brenda ekipit. Ka dyshime për grupime, ndërsa që raportet nuk janë më të mirat, që grupi nuk është i bashkuar, tashmë po vërehet edhe në ndeshje. Kjo vërehej edhe më parë, por kalohej në heshtje. Tani po vërehet më shumë dhe po diskutohet për të.

Nuk është sekret që Kosova nuk e ka selektorin më autoritar dhe që Bernard Challandesit, të vlerësuar shumë lart në fillim, po i dalin gjërat nga kontrolli. Veprimi i i Bernard Berishës ndaj tij e dëshmon këtë. Challandes po ashtu nuk është më i shtrenjti dhe ishte pajtuar të merrte drejtimin e Kosovës pa përzgjedhur stafin ndihmës. Kjo e bën më të cenueshëm. Kur rezultatet ishin të mira, çdo gjë ishte në rregull nga jashtë. Por kur ka krizë në rezultate, ka edhe kritika të shumta në punën e Challandesit.

Gjendjen e rëndon fakti se ndikimi në përfaqësuese është i madh nga njerëz të jashtëm, drejtues të federatës, menaxherë, tifozë, njerëz të politikës e të mediave. Rrjedhimisht kthimi në rrugën e sukseseve nuk është i lehtë. Përkundrazi.

Duhen shumë ndryshime, duke filluar nga qasja e Federatës ndaj përfaqësueses. Ajo nuk duhet të shërbejë vetëm si “kartë” për mburrje e për të mbuluar dështimet e shumta. Është i domosdoshëm përjashtimi i ndikimit të jashtëm në ekip, rritja e nivelit të disiplinës, jo asaj të rrejshme, por disiplinës së vërtetë. Duhet angazhim për rritje të përgjegjësisë së lojtarëve. Kjo, mbi të gjitha, bëhet me një selektor, me dinjitet e autoritet, me ekip të kompletuar trajnerësh, dhe që lojtarët i sheh të barabartë. Duhet të rritet baza e lojtarëve, aq sa është e mundur, në mënyrë që ata që nuk sillen në bazë të rregullave, të mos ftohen apo të ulen në stol.

Më së shumti varet prej vetë lojtarëve. Varet prej asaj nëse vijnë në grumbullim për të bërë vendin krenar, apo për disa ditë larg regjimit të klubit, ku mund të dalin të papenguar dhe të shfrytëzojnë famën që e kanë krijuar pikërisht përmes Përfaqësueses.

Mund të marrë kohë gjithë ky proces. Por më mirë të pritet për gjërat e duhura se të bëhemi euforikë për sukseset gjysmake. Kritikat e arsyeshme shërbejnë shumë. Ato vetëm duhet të forcohen, pa përjashtim, ndaj të gjithëve.

Fitoret nuk duhet të sjellin eufori, por gëzim me masë. Ndërsa fyerjet e sharjet duhet të përjashtohen. Lojtarët vërtet përfaqësojnë vendin, por ne gjithnjë e kemi të drejtën për të mos i përcjellë ata. Ky është dënimi më i madh për një sportist.