OpEd

Helmi si mjet i politikës

Sulmi me helm kundër opozitarit rus, Aleksej Navalni, shënon tani për tani kulmin e politikës agresive të Kremlinit. Kjo politikë njeh vetëm armiq – brenda dhe jashtë Rusisë. Perëndimi një kohë të gjatë ka refuzuar ta kuptojë këtë. Me apo pa dashje, gjermanët financojnë regjimin e Vladimir Putinit duke blerë gaz prej tij, ndërsa presidenti francez disa herë ka bërë përpjekje t’i hidhet në përqafim liderit rus me argumentin se me Rusinë duhet ndërtuar një partneritet strategjik. Ofensiva franceze ka humbur pak hovin pasi në gusht është arrestuar një oficer i lartë francez, i cili dyshohet se brenda NATO-s ka spiunuar për rusët

Cila është katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit 20? Sipas Vladimir Putinit, katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit 20 është shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Këtë shpërbërje oficeri i ri i KGB-së e kishte përjetuar para tri dekadave si agjent në Gjermaninë Lindore. Para syve të tij kishte rënë perandoria e kuqe të cilës ai i besonte. Vitet ‘90 në Rusi qenë kaotike. Diçka mes demokracisë dhe krimit, korrupsionit dhe mafisë. Një elitë që u pasurua me shpejtësi marramendëse dhe një president (Boris Jelcini) që ishte i varur nga kreditë perëndimore dhe nga vodka. Bill Clintoni në atë kohë e pati krahasuar Jelcinin me një burrë që duket si një ari i madh me plot kundërthënie.

Rusia e shihte orientimin perëndimor si cak strategjik, së paku zyrtarisht. Perëndimi besoi një kohë të gjatë në këtë premtim. Shumë politikanë mes Brukselit e Berlinit besonin se përmes afrimit arrihet ndryshimi i Rusisë. Kur në vitin 2000 pushtetin në Moskë e mori Vladimir Putini, dukej se kursi properëndimor i Rusisë nuk do të ndryshonte. Putinit i duhej Perëndimi për të modernizuar vendin e tij. I duhej edhe si klient që blinte gazin rus.

Putini properëndimor? Në vitin 2020 është sakrilegj të shtrohet kjo pyetje. Dy dekadat e fundit Putini i ka shfrytëzuar për t’ia kthyer vendit të tij statusin e superfuqisë. Dhe këtë e ka bërë me masa brutale. Në planin e brendshëm e ka demontuar çdo opozitë serioze, kritikët e brendshëm jetojnë në rrezik për jetën e tyre, disa janë shmangur me metoda sovjetike: nga vrasës të panjohur. Sektorët kryesorë të ekonomisë kontrollohen nga persona të lidhur ngushtë me Kremlinin. Në planin e jashtëm Putini ka treguar se nuk ngurron të përdorë mjete që nuk ka guxuar t’i përdorë as KGB-ja sovjetike dikur. Sulme kibernetike kundër Parlamentit gjerman, ndërhyrje në zgjedhje në disa vende perëndimore, vrasje në qendër të Berlinit të një personi të shpallur armik të Rusisë, sulm me helm kundër një ish-agjenti rus me banim në Rusi. Sulmi me helm kundër opozitarit rus, Aleksej Navalni, shënon tani për tani kulmin e politikës agresive të Kremlinit. Kjo politikë njeh vetëm armiq – brenda dhe jashtë Rusisë.

Perëndimi një kohë të gjatë ka refuzuar ta kuptojë këtë. Dhe refuzon ta kuptojë edhe më tutje, siç tregon shembulli gjerman. Ish-kancelari Gerhard Schröder është një propagandist që paguhet nga Putini. Shumë politikanë nga Gjermania Lindore angazhohen që BE-ja t’ia heqë apo zbusë sanksionet Rusisë – sanksione që janë në fuqi nga viti 2014 për shkak se Moska ka sulmuar dhe ka pushtuar një pjesë të territorit të Ukrainës, një shtet sovranitetin e të cilit Kremlini e ka garantuar në vitet ‘90, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

40 për qind e gazit që i ngroh dhomat gjermane rrjedh nga Rusia. Gjermanët, shkroi së fundi gazeta “Die Zeit”, ia paguajnë Putinit miliarda për gazin e tij dhe me ato para lideri rus i bën hi e pluhur qytetet siriane si Idlip dhe Halep. Pra, klientët gjermanë të gazit financojnë krimet ruse të luftës në Siri. Bile tërthorazi gjermanët financojnë edhe përçarjen e shoqërisë gjermane sa i përket migrimit: valët e refugjatëve të shkaktuara nga Putini në Siri cak të pëlqyer e kanë Gjermaninë dhe shtetet e tjera perëndimore. Edhe pas helmimit të Aleksej Navalnit gjasat që Gjermania të ndërpresë ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2” janë minimale. Ky gazsjellës do të transportojë gaz nga Rusia në Gjermani duke shmangur vendet lindore, si Ukraina, e cila ka të drejtë të ndihet e tradhtuar.

Kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, në territorin e Ukrainës kanë qenë të stacionuara 176 raketa interkontinentale me 1240 koka bërthamore, plus 1081 raketa nukleare me rreze të mesme veprimi dhe armë atomike taktike të çdollojshme. Pra, Ukraina ishte fuqi atomike. Ishte Bill Clintoni ai që e bindi presidentin e atëhershëm të Ukrainës, Leonid Kravçuk, që armët bërthamore të çmontoheshin dhe asgjësoheshin. Si kundërshpërblim fuqitë nukleare, SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia, më 1994 garantuan me Memorandumin e Budapestit sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Më 2014 Putini e hodhi në ajër këtë memorandum. A do ta hidhte në ajër këtë marrëveshje nëse Ukraina nuk do të kishte hequr dorë nga armët bërthamore? Mbase jo.

Retorika e Putinit është thellësisht antiperëndimore dhe ka për qëllim revidimin e historisë. Pak ditë pas aneksimit të Krimesë, Putini mbajti një fjalim ku tha se Perëndimi me tytën e armëve po e vë Rusinë para aktit të kryer, “ata besojnë se mund të vendosin për fatin e botës”, por Rusia, sipas tij, do të kundërshtojë çdo përpjekje “për të na tkurrur dhe ndarë si dikur Jugosllavinë”. Kështu argumentojnë edhe përkrahësit e Slobodan Milosheviqit: Jugosllavinë, thonë ata, e ka shkatërruar Perëndimi, jo ultranacionalizmi serb. Sipas Putinit, asnjë sakrificë nuk është e mjaftueshme për të mbrojtur “botën ruse”, madje edhe vdekja “është e bukur kur u shërben njerëzve, si vdekje për një mik, për popullin tënd apo për atdheun”. Në një dokument mbi bazat e politikave shtetërore mbi kulturën theksohej se “Rusia nuk është Evropë”.

Megjithatë, presidenti francez, Emmanuel Macron, është munduar të imponojë një “dialog strategjik” me Putinin. Në vitin 2019 Macron në një intervistë për “The Economist” e shpalli NATO-n klinikisht të vdekur. Kjo shkaktoi shumë habi e nervozë sidomos në vendet e Evropës Lindore si Polonia. Ofensiva franceze për përqafimin e Putinit hasi në vështirësi gjatë verës kur u bë e ditur se një oficer francez në komandën e NATO-s në Napoli ishte takuar rregullisht me një agjent të shërbimit sekret ushtarak rus. Qëllimi i takimeve ishte “shkëmbimi i informacioneve”. Më 21 korrik Ministria e Mbrojtjes e Francës kërkoi nga prokuroria të nisë hetimet kundër oficerit në fjalë. Ministrja e Mbrojtjes, Florence Parly, tha se “një oficer i lartë” i ka dhënë një fuqie të huaj “informata tepër sekrete”. Më 21 gusht oficeri francez u arrestua dhe ndodhet në burgun La Santé të Parisit. Pas helmimit të Aleksej Navalnit, Macron tha se ishte “keqkuptuar” në lidhje me kursin e tij ndaj Rusisë. Një ndryshim radikal i politikës së Francës ndaj Rusisë nuk pritet, me gjithë helmimin e Navalnit. Kjo vlen edhe për Gjermaninë. Gazsjellësi problematik do të vazhdojë të ndërtohet – me gjithë zemërimin pas helmimit të Navalnit. “Herën tjetër na kurseni nga zemërimi”, shkroi së fundi “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Me plot të drejtë!