Vështrime

A është BE-ja e gatshme për marrëveshje finale Kosovë-Serbi

Duket se BE-ja nuk është e gatshme për marrëveshje Kosovë – Serbi, me të cilën do të normalizoheshin tërësisht raportet mes këtyre dy shteteve. Nga BE-ja më shumë kemi dëgjuar se çfarë nuk është roli i saj sesa çfarë është. Kështu “lehtësuesi i vetëm i dialogut” (siç e konsideron rolin e saj BE-ja) nuk ka rol për ta njohur Kosovën, nuk do t’ua imponojë palëve ndonjë zgjidhje, nuk do të komentojë qëndrimet e palëve, nuk do të vendosë afate artificiale në dialog. Pohimi se BE-ja qëndron unike në mbështetje të dialogut, nuk do të thotë asgjë. Sepse BE-ja qëndronte fuqishëm edhe prapa përpjekjeve të Marti Ahtisaarit, por dështoi të mbështeste propozimin e tij, sepse disa shtete të BE-së, si Spanja, Sllovakia dhe Qiproja, kishin qëndrim më të afërt me atë të Rusisë dhe Serbisë sesa të shumicës së BE-së. Prandaj nëse BE-ja është e vetmja e cila mund ta sigurojë zgjidhjen, atëherë duhet të jemi skeptikë, nëse me BE-në mendojmë në institucionet në Bruksel

Për pak muaj do të bëhen dhjetë vjet prej kur kishte nisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, apo për të thënë më saktë me fjalorin e BE-së “mes Prishtinës e Beogradit”. Përmendja e kryeqyteteve ishte e qëllimshme, siç është gjithçka në përdorimin e emërtimeve nga ana e BE-së, për të mos lënë përshtypjen se Kosova po trajtohet si shtet.