OpEd

Nëntori i Tretë

Për besë, edhe të jesh diplomat në ditë të sotme nuk është se ka mbetur si një punë e lehtë, bujare apo edhe fisnike, siç do të mund të ishte konsideruar gjer më tani. Thënë më së buti, troç dhe popullorçe e aspak me gjuhë diplomatike, sot na shitet muti për hallvë dhe e tëra e mbështjellë me celofanin vezullues, një fjongo dekorative, si dhe pasthirrmën Bon Appetite! Ja, me të vërtetë aq poshtë kemi rënë dhe në përgjithësi kjo është jellja e politikëbërësve të Kosovës si ndaj popullit të saj, votuesve të tyre, ashtu si edhe ndaj vendit të tyre.

Një javë diplomatike sapo e lamë pas. Aktivitete të ngjeshura diplomatiko-politike, lart-poshtë, majtas-djathtas, deklarime politike nga më të ndryshmet, emërime politike nga më të përçudshmet, shantazhe dhe trysni të serialeve latino-amerikane nga ato me buxhet shumë modest, por me episode shumë, deklarata me shpata të fushatave zgjedhore transatlantike.

Për besë edhe të jesh diplomat në ditë të sotme, nuk është se ka mbetur si një punë e lehtë, bujare apo edhe fisnike, siç do të mund të ishte konsideruar gjer më tani. Është bërë një gjë shumë jomirënjohëse, e edhe si çdo veprimtari tjetër është diçka e devalvuar në shoqërinë tonë.

Thënë më së buti troç dhe popullorçe e aspak me gjuhë diplomatike, sot na shitet muti për hallvë dhe e tëra e mbështjellë me celofanin vezullues, një fjongo dekorative, si dhe pasthirrmën Bon Appetite!

Ja me të vërtetë aq poshtë kemi rënë dhe në përgjithësi kjo është sjellja e politikëbërësve të Kosovës si ndaj popullit të saj, votuesve të tyre, ashtu si edhe ndaj vendit të tyre.

Të gjithë u tallëm nëpër platformat sociale me emërimin e Zafir Berishës për koordinator nacional të Kosovës për siguri kibernetike. Edhe unë u talla në llogari të këtij emërimi, por e vërteta është se kjo situatë është aq e mjerueshme që do duhej të qanim me dënesë. Jo vetëm se një epokë e kaluar e koordinatorëve për të cilën menduam se përfundoi dhe që tani na qenka ringjallur, por edhe për atë se çfarë figurash vendosen në këto pozita koordinatorësh.

Ja edhe ca ide nga ana ime për disa emërime të reja koordinatorësh nacionalë nga ana e Qeverisë Koti.

Nasim Haradinaj, koordinator nacional i postës së shpejtë të Kosovës, DHL-it, DpD-së si dhe TNT-së, që shpërthen më shpejt se rrufeja, dhe ca shërbimeve të tjera të dërgesave Express postale në Kosovë dhe më gjerë!

Azem Syla koordinator nacional i kadastrave të Kosovës.

Qe besa edhe mua mund që të më emërojnë ideator për koordinatorët nacionalë të Kosovës edhe paq jemi, ta kem kështu si angazhim dytësor për një pagesë dhe angazhim shtesë jashtë orarit të plotë diplomatik të cilin e ushtroj. Shpresoj të ketë Qeveria kandidatë aq sa unë kam ide për emërimin e tyre!

Javën që e lamë pas ishim edhe dëshmitarë të vizitës së radhës nga emisari i presidentit Trump për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, z. Grenell. Miliardat e trumbetuara se do të investoheshin në Kosovë kishin pësuar devalvim deri diku në shumën 100 milionë dollarësh dhe në trajtë huaje me kamatë. Sa do të dëshiroja që të thosha që kalit të falur nuk i shikohen dhëmbët, por ja që asgjë nuk është e falur këtu. Përsëri mbetem tek ajo thënia se livadhin e budallait e kullotë edhe kali i verbër.

E kam thënë edhe më parë këtu në ditarin tim. Grenell dhe presidenti Trump kanë mendësi kaubojsh kur bëhet fjalë për qasjen e tyre ndaj temave të ndryshme politike, si dhe "zgjidhjeve" të tyre. Mentaliteti kauboj për mua jo domosdo do të thotë vezullim e alltive dhe gjuajtjen me to në ajër, por më shumë ashtu vendime të ngutshme pa shumë pardon dhe debat me pjesëmarrësit, e me një rezultat të përfitimit në llogari të kaubojve.

Më kurseni nga etiketimet e lodhëta antiamerikan, mund të pajtohem që ne jemi aq të vegjël dhe që nuk çojmë peshë në fushatat e zgjedhjeve presidenciale amerikane, mirëpo asgjë nuk më bind se ne nuk duhet të kemi aspak respekt për vetveten, për demokracinë dhe për historinë tonë.

E kuptoj edhe Banana Republikën, por pse duhet pranuar edhe rolin e majmunëve? A thua vallë, aq vlen një post politik, një kolltuk prej pushtetari pa kurriz?

Lexues të nderuar, nuk dëshiroj që ta nënçmoj asnjërin nga ju, sot qasja në botën informative nuk është ekskluzivitet i askujt e as i imi, mirëpo unë dëgjoj me pasion edhe shumë podcaste alternative, të cilat nuk dalin nga mediat mainstream as nga njerëz të sponsorizuar partiakë politikë, por thjesht nga qytetarë aktivë dhe të ndërgjegjshëm amerikanë apo atyre britanikë, e të cilët i shtjellojnë tematikat aktuale politike të vendeve të tyre me mysafirë dhe ekspertë të ndryshëm të fushave relevante.

Kur i dëgjon të gjitha këto dhe këtu nuk flas për konspiracionistët e njohur të internetit, fillon të kuptosh se problemet dhe acarimet përbrenda Amerikës janë në pikën më të lartë në të cilën ato kanë qenë ndonjëherë. Atë mund ta kesh të qartë edhe nga qasja e dëgjuesve të atyre podcasteve që kyçen nëpërmjet bisedave telefonike. Popullariteti i presidentit Trump dhe pasojat e qeverisjes së administratës së tij kanë shkaktuar telashe dhe përçarje të mëdha si përbrenda politikës amerikane ashtu edhe në politikat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Me marrëveshjet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe me presidentin Trump si "arbitër" e hapën një shteg të ri, që ky i fundit ta përdorë gjatë fushatës së tij presidenciale. Frutat e saja çdo ditë dalin në sipërfaqe. Shkojnë deri te nominimi i presidentit Trump për çmimin “Nobel” për paqe, për arritjet e tij për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e në Lindjen e Mesme. Tajmingu është i përkryer për fushatën zgjedhore presidenciale në SHBA, që do të mbahet më 3 nëntor 2020. Në drejtimin e tij, në njërën nga fushatat e tija zgjedhore, ai deklaroi se ky parandaloi gjenocidin dhe vrasjet, të cilat këta dy popuj po ia bënin njëri-tjetrit ndër shekuj. Aq ia ka haberin Donald Trumpi se çka saktësisht ka ndodhur në këto troje, qoftë gjatë ngjarjeve të fundshekullit të kaluar apo gjatë historisë, saqë edhe ndonjë ditë do të deklarojë se ishte ky vetë Millosh Kopiliqi, i cili i hyri Sulltan Muratit në çadër dhe e vrau gjatë betejës së Kosovës në qershorin e vitit 1389, në mënyrë që t’i sjellë paqen dhe prosperitetin në këto anë. Nuk është aspak për t’u çuditur ne me arrogancën, si dhe injorancën e presidentit Trump në raport me ne, si dhe historinë e cila ndërlidhet me ne, ai është i njëjti edhe në raport me vetë shtetin e tij dhe popullin e vet, injorant i pashërueshëm.

Pa marrë parasysh që influenca jonë në zgjedhjet amerikane është non-ekzistente, në mënyrë indirekte ky do të jetë Nëntori i Tretë për shqiptarët, edhe pse rrethanat amerikane nuk mundemi që t’i ndërrojmë ne. Mbes me shpresën që populli amerikan nuk do t'ia vazhdojë mandatin këtij sharlatani së bashku me të gjithë administratën e vet sharlataneske dhe shpresoj që amerikanët do të dinë që të ngrihen në këmbët e tyre dhe ta përmirësojnë imazhin e nëpërkëmbur ndërkombëtar, si dhe atë vendor.

Do të ishte gjëja më e bukur që do të mund të ndodhte në këtë vit aq të mbrapshtë, përndryshe edhe një fitore e tij dhe përmbyllje më të mbrapshtë të këtij viti nuk e di se si do të mund të kishte. I dashur popull amerikan, koncentrohu!

Ende vazhdon rrjedhja e dokumenteve të proceseve nga Gjykata Speciale me emra dëshmitarësh, emra të akuzuarish dhe akuza të ndryshme. E kuptojmë se e gjitha kjo bëhet në mënyrë që të pengohet dhe shantazhohet puna e Gjykatës Speciale dhe pa njerëz të cilët këtë e kanë bërë nga brenda kjo do të ishte e pamundshme dhe, shih ti, ato përfundojnë në zyrat e OVL-së. Nga ajo që mund ta kuptoj është se nga kjo lojë e ndyrë asgjë e mirë nuk mund të dalë për Kosovën. Edhe sikur të zhbëhej kjo gjykatë, e cila konsiderohet se është e Kosovës, e formuar nga vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës (duke mos hyrë në debatin se a ka qenë vendim i duhur dhe i drejtë) do të mund të zëvendësohej me një gjykatë tjetër të Kombeve të Bashkuara, ku atëherë Rusia dhe Kina do ta kishin fjalën e tyre aty gjithashtu.

Në intervistën e fundit të Albin Kurtit të bërë në “DESKU” të KTV-së, ai fliste për një nënë surrogate në raportet Qeveri, pushtetarë, shtet i Kosovës, ndërkombëtarë, unë personalisht më shumë i frikësohem abortit spontan.