Vështrime

Një luftë e heshtur Prishtine

Hana dhe Bela janë dy 15-vjeçare prishtinase, janë rritur në të njëjtën lagje të kryeqytetit ku prindërit janë transferuar pas luftës. Kanë vijuar të njëjtat shkolla, të njëjtat klasa dhe vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën ndërtesë që prej lindjes. Hana jeton një kat më poshtë se Bela, në njërën nga ndërtesat e realizmit socialist që shquhen për shëmtinë, ftohtësinë, uniformizmin e mbi të gjitha lakuriqësinë e tyre. Aq të ngjashme janë ndërtesat e lulëzimit të realizmit socialist nëpër Evropën e kuqe, saqë kufijtë nuk mjaftojnë si shenjues identiteti. Ato bien, shkrihen, zvetënohen, ndërsa kalon nga njëri shtet në tjetrin, ku qytetet rreshtohen njëri pas tjetrit si ushtri të ngurta në mbrojtje të idealit të njëtrajtësimit.

Hana për dallim nga Bela është bionde me sy të kaftë. Mollëzat e faqeve i rrinë gjithmonë të kuqe, ndërsa një buzëqeshje e lehtë nuk i ndahet nga fytyra. Bela ka një fytyrë jo aq tipike për vajzat e zonës. Është flokëkuqe me sy aq të kaltër, saqë është e pamundur të mos qëndrosh gjatë në shikimin e saj për ta soditur. Gjërat e rralla të marrin gjithmonë më shumë kohë. Të dyja vajzat janë nxënëse të shkëlqyera, edhe pse e fshehin bukur xhelozinë për suksesin e njëra-tjetrës. Prindërit intelektualë i kanë mësuar të jenë korrekte.