OpEd

Marrëveshja e Washingtonit në stilin “Na falni se dolëm pak prej teme!”

Përmbajtja e Marrëveshjes, ku përzihen rrjeti 5G, njohja e ndërsjellët me Izraelin, Ambasada në Jerusalem, ndërtimi i hekurudhave dhe autostradave, puna në dekriminalizimin e homoseksualitetit në botë, dëshmon se sa real ka qenë rreziku që në një marrëveshje të tillë të shtohet edhe fjalia se “palët pajtohen për korrigjim të kufijve”. Kjo fjali ka mundur të shtohet për një minutë

Delegacioni i Kosovës u pati zotuar se në Washington po shkonte vetëm për “njohje të ndërsjellë” me Serbinë, por në vend të kësaj aty ndodhi zotimi për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit, që po ashtu ka rëndësi të madhe. Jo vetëm që nuk siguroi njohjen nga Serbia, por Kosova mori për detyrë se nuk do të kërkojë, së paku për një vit, as anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Këtë e barazoi me përpjekjet e Serbisë për t’i bindur shtetet që të tërheqin njohjen e Kosovës.

Marrëveshja në Washington nuk është për tallje e as për xhelozi, por larg asaj që të jetë historike, siç pohojnë presidenti amerikan Trump dhe përfaqësuesi i tij Richard Grenell. Por kjo marrëveshje, e cila në fakt as nuk është marrëveshje formale, nuk është e vetmja temë rreth së cilës Trump dhe shërbyesit e tij ndjekin narativin “të gjithë para nesh kanë gabuar, askush nuk ka bërë asgjë, dhe ne po bëjmë mrekulli”. Prandaj edhe me lehtësi Trump pohoi se ajo që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë, kur aty ishin kryeministri i Kosovës, Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, “është suksesi më i madh në 20 vjetët e fundit”. Madje Grenell me lehtësi i qorton ata që nuk janë të entuziazmuar me këtë “arritje historike”, sikur se duan “vazhdimin e konfliktit”. Ja vetëm disa ngjarje në 20 vjetët e fundit që ishin më historike sesa kjo “marrëveshje”. Ishte së pari vendimi i Grupit të Kontaktit nga viti 2006 që të nisen bisedimet për statusin e Kosovës dhe udhëzimet që bënë të qartë se rezultati duhet të jetë pavarësia. Ishte pastaj Pakoja e Ahtisaarit që solli pavarësinë. Ishte pastaj edhe anëtarësimi i Kosovës (qoftë edhe me fusnotë) në CEFTA, me çka u desh të pajtohej edhe Serbia. Edhe mendimi i GJND-së. Ta quash këtë që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë javën e fundit si ngjarjen më historike, është edhe fyerje ndaj atyre që kanë bërë aq shumë për Kosovën në SHBA dhe sot nuk janë në anën e Trumpit.

Është e vërtetë se Kosova nuk mund t’i thotë jo administratës amerikane, kushdo që të jetë president i zgjedhur i amerikanëve. Por nuk u takon kosovarëve që të luajnë rolin e një aktori i cili bëhet kinse është i entuziazmuar me diçka që, ose nuk është asgjë e re, ose është më pak sesa që kanë pritur. Është vështirë të besohet se këto pika në një faqe e gjysmë lidershipi i Kosovës t’i konsiderojë arritje historike.

Kjo marrëveshje ka një përzierje te paparë në vete. Është marrëveshje në stilin “më falni se dola pak prej teme”, siç do të thoshte një personazh i gjithologëve “Faiku” (për ata që nuk e dinë, janë skeçe humoristike të përgatitura nga Agon Miftari në KTV, të cilat për nga përmbajtja dhe mesazhet politike me seriozitet ua tejkalojnë shumë deklaratave të politikanëve).

Me muaj është prezantuar se do të jetë një marrëveshje politike, e cila do të sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia. Më pas u tha se “do të jetë marrëveshje për çështjet ekonomike” dhe se do të sigurojë krijimin e shumë vendeve të punës. Në fund doli të ketë gjithçka aty, edhe elemente politike, edhe gjeostrategjike, edhe ekonomike, edhe sociale, edhe fetare, edhe infrastrukturore. Nuk dihet as pas leximit të saj se cila është tema kryesore e saj e as cili është statusi formal-ligjor i saj.

Kosova dhe Serbia nënshkruan secila një kopje të vet të një letre, e cila pohon se “palët janë pajtuar”, por palët nuk e kanë nënshkruar. Më vonë doli se nuk e ka nënshkruar as presidenti Trump. Pra, dy shtetet dhanë zotime ndaj Amerikës se do të jenë të mirë ndaj njëri-tjetrit, do të bashkëpunojnë në shumë fusha, do të jenë të mirë ndaj Izraelit, të rreptë kundër Hizbullahut, se nuk do të blejnë material për rrjetin 5G nga kinezët dhe se do të punojnë me Iranin, Arabinë Saudite, Sudanin dhe shumë prej afro 70 shteteve të botës që ende e konsiderojnë si krim (disa edhe kanë dënim me vdekje) homoseksualitetin në mënyrë që edhe ato ta dekriminalizojnë.

Nuk është asgjë e keqe që edhe Kosova, si një shtet qytetarët e të cilit kanë vuajtur për liri dhe barazi, të angazhohet që asnjë shtet në botë të mos e konsideroj si krim orientimin seksual të kujtdo. Por nuk dihet se si do ta bëjë Kosova një gjë të tillë kur shumë prej atyre shteteve të cilat e konsiderojnë si krim nuk e kanë njohur Kosovën.

Rezultati më i mirë i kësaj ngjarje ishte njoftimi për njohjen e ndërsjellë mes Izraelit dhe Kosovës. Është një njohje shumë e rëndësishme për Kosovën. Kosova dhe populli shqiptar në përgjithësi kanë një lidhje të rëndësishme me popullin hebraik. Njohja e Izraelit nga Kosova nuk ka qenë asnjëherë problem për Kosovën, por këtë deri më tash nuk ka qenë i gatshëm Izraeli ta bëjë.

Por pranimi që Kosova ambasadën e vet ta vendosë në Jerusalem nuk do të jetë edhe aq i lehtë për t’u zbatuar. Kosova, nëse njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndodhin shpejt, do të jetë shteti i parë evropian i cili do ta ketë ambasadën në Jerusalem.

Por, qytetarët e Kosovës, duke pasur parasysh edhe fatin e tyre dhe luftën për liri dhe pavarësi, duhet të mbështesin edhe aspiratat legjitime të popullit palestinez për liri dhe barazi. Gjithsesi, duke kundërshtuar veprimet terroriste. Pa marrë parasysh se autoritetet palestineze kanë pasur gjithmonë një qëndrim tepër politikisht armiqësor ndaj Kosovës, dhe kanë mbështetur gjithmonë fuqishëm Serbinë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet mbështetur popullin e Palestinës. Nuk do të jetë e lehtë për Kosovën, e cila është e njohur nga më shumë se 100 shtete, por në disa nga organizatat ndërkombëtare është më pak e pranuar sesa Palestina, të mbajë mbi supet e veta një barrë kaq të madhe gjeostrategjike rreth së cilës nuk pajtohen as aleatët e shumtë mes vete, siç është dilema rreth kryeqytetit të Izraelit.

Përmbajtja e Marrëveshjes, ku përzihen rrjeti 5G, njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërtimi i hekurudhave dhe autostradave, puna në dekriminalizimin e homoseksualitetit në botë, dëshmon se sa real ka qenë rreziku që në një marrëveshje të tillë të shtohet edhe fjalia se “palët pajtohen për korrigjim të kufijve”. Kjo fjali ka mundur të shtohet për një minutë në letër. Pra, nuk ka qenë e rëndësishme se a ka ekzistuar apo jo në letër ndonjë draft-marrëveshje, sepse u pa se sa lehtë është të shkruhet, apo shlyhet diçka, kur bëhet një marrëveshje e tillë. E pastaj nuk do të mund të kishte kthim prapa dhe do të nisnin pazaret me territore. Dhe shumica e politikanëve të Kosovës do t’i hanin fjalët e tyre, si gjithmonë dhe do të thoshin se “këtë e kërkojnë miqtë tanë amerikanë”. Ashtu siç u hoqën në Washinton dilemat dhe kundërshtimet kosovare rreth Mini-Schengenit (kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, meriton një kërkim falje nga Isa Mustafa dhe nga politikanët e tjerë kosovarë), ashtu siç u pranua që me Serbinë të bashkëpunohet në shfrytëzimin e Liqenit të Ujmanit, ashtu do të pranohej edhe ndarja e Kosovës. E kush do të ishte kundër do të qortohej si prishës i miqësive shekullore, si paranojak, si njëri që nuk i kupton interesat e Kosovës, as gjeopolitikën. Por së paku ky dëm nuk iu bë Kosovës me këtë marrëveshje.

Pa marrë parasysh të gjitha këto, nëse realizohen projektet e infrastrukturës, dhe nëse për to sigurohen investime amerikane (ato nuk garantohen në asnjë mënyrë me këtë marrëveshje) do të ketë rezultate vërtet të mira që duhen mirëpritur.