OpEd

Shenjtorja Nëna Terezë, injoranca dhe cinizmi ynë

Përderisa ne jemi të zënë duke sharruar në cinizmin dhe injorancën tonë, fqinjët tanë punojnë shumë me zell që të gjitha këto figura historike t’i përvetësojnë për narrativën e shpjegimit të historisë së tyre. Leka i Madh, Skënderbeu, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, si dhe shumë figura të tjera të shquara me prejardhje shqiptare. Çmimin e injorancës dhe të cinizmit tonë e kemi paguar dhe do të vazhdojmë ta paguajmë shtrenjtë

Ditarin e kësaj jave do ta filloj me shënimin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut apo, siç e njihte e tërë bota, Nëna Terezë, tashmë Shenjtorja Nëna Terezë.

Në këtë pjesë të ditarit tim dëshiroj që të merrem me ata pak zëra kritikues ndaj figurës të së Shenjtës Nëna Terezë. Disa nga këta zëra e kanë kritikuar për qëndrimin e saj rixhid kundër abortit. Nga aspekti feminist dhe e drejta e secilës grua që vetë të vendosë mbi trupin e vet, edhe mund që t’i kuptojë këto kritika, por nuk duhet harruar që Nëna Terezë ishte fetare dhe besonte në Zot dhe nga ai këndvështrim askush nuk ka të drejtë që të shuajë një jetë njeriu përveç Zotit. Prandaj nga këndvështrimi religjioz edhe qëndrimi i saj është i kuptueshëm. Mirëpo çfarë thonë shkenca dhe ligji? Thënë më së buti, këto të dyja e bëjnë një prerje midis dy qëndrimeve diametralisht të kundërta. Sipas shkencës, aborti lejohet diku derisa fetusi nuk e arrin moshën 3-mujore, sepse supozohet se pas asaj kohe fetusi fillon që t’i zhvillojë edhe ndjenjat dhe vetëdijen dhe, sipas ligjeve në shumë vende të botës, aborti pas muajit të tretë të shtatzënësisë nëse nuk ka arsyetim të fortë mjekësor prapa tij, cilësohet si vrasje. Pas 3 muajve të shtatzënësisë aborti mund të bëhet vetëm në rast se trupi i nënës ka komplikime shëndetësore dhe që mund të paraqesë rrezik si për jetën e nënës ashtu edhe për jetën e frytit apo nëse vërtetohet se fryti ka deformime ekstreme, të cilat edhe do ta rrezikonin jetën e atij fryti e edhe jetën e nënës.

Tema e abortit mbetet ende një temë e nxehtë për shoqërinë njerëzore. Cilat janë implikimet kur një abort është i drejtë (si për shembull në raste të dhunimit) dhe kur një abort do të quhej i padrejtë (p.sh. kur një shtatzënësi dëshirohet të ndërpritet pa ndonjë implikim të gjendjes shëndetësore apo diçka e ngjashme por, thjesht, nga dëshira për të terminuar një shtatzënësi). Të gjitha këto janë të ndara me vija shumë të holla morale dhe etike dhe vështirë t’i gjendet përgjigje universale. Edhe pse jemi në shekullin 21, tema e abortit mbetet një temë e nxehtë dhe e cila gjithmonë ka sjellë përçarje dhe keqkuptim në shoqëri. Sa i përket Nënës Terezë, ajo vetëm u ka qëndruar besnike besimeve të saja dhe misionit jetësor që ajo i ka zgjedhur për veten në raport me njerëzimin e Zotin dhe cinikëve të tjerë, se pse asaj i jepet epiteti Nënë duke mos qenë e tillë, as që vlen t’iu përgjigjem.

Ka cinikë të cilët thonë se çka bëri Nënë Tereza për shqiptarët, asgjë! Ky gjithmonë mbetet problemi i perceptimit tonë me figurat të cilat arrijnë që me namin e veprave të tyre ta kapërcejnë katundin e tyre. Pavarësisht se a janë ata persona heronj kombëtarë, artistë të shquar botërorë me prejardhje shqiptare, këngëtarë, mjekë, shkencëtarë apo çfarëdo tjetër, gjithmonë ndër ne do të na dalin cinikët në sipërfaqe dhe do të pyesin se çfarë kanë bëra këta persona për shqiptarët? E mendoj se kombi ynë, edhe pse relativisht i vogël në numër, rregullisht gjatë historisë ka pasur figura të shquara të cilat na kanë vendosur në ato t’i quaj "hartat ndërkombëtare", ku është kuptuar për ekzistencën tonë si popull e si komb. Edhe Shenjtorja Nëna Terezë medoemos se ishte njëra nga ato figura.

Libri mbi Nënën Terezë "Pozita e misionarit" nga autori amerikan me prejardhje angleze, Christopher Hitchens, sipas një kritiku, teza e librit mund të përmblidhet se "Nënë Tereza është më pak e interesuar të ndihmojë të varfrit sesa t'i përdorë ata si një burim të padepërtueshëm të mjerimit, mbi të cilin të nxisë zgjerimin e besimeve të saj fundamentale romane katolike. "Përgjigjja ndaj argumenteve të Hitchens ra kryesisht mbi linjat ideologjike, me disa kritikë që kundërshtonin provat e tij dhe të tjerët për të kuptuarin e tij për fenomenin fetar që Nëna Terezë përfaqësonte.

Si propagandues i ateizmit çfarë ishte z. Hitchens, është e kuptueshme se ai do të nënvlerësonte çdo gjë për çka punoi dhe u mundua Nëna Terezë. Për punën e saj të përkushtuar ndaj të varfërve të Kalkutës, në vitin 1979 ajo u nderua edhe me çmimin “Nobel”.

E përderisa ne jemi të zënë duke sharruar në cinizmin dhe injorancën tonë, fqinjët tanë punojnë shumë me zell që të gjitha këto figura historike t’i përvetësojnë për narrativën e shpjegimit të historisë së tyre. Leka i Madh, Skënderbeu, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, si edhe shumë figura të tjera të shquara me prejardhje shqiptare. Çmimin e injorancës dhe të cinizmit tonë e kemi paguar dhe do të vazhdojmë që ta paguajmë shtrenjtë.

Ciniku tjetër shqiptar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje në sfond me Ismail Qemalin iu drejtua me një përshëndetje në gjuhën serbe Milo Gjukanoviqit në lidhje me zgjedhjet, të cilat do të mbahen në Malin e Zi.Me atë fotografi në sfond unë prita se do t'u drejtohej shqiptarëve që në zgjedhje të dilnin dhe të votonin të bashkuar, por jo, servili e pati që ta përshëndeste Milon në gjuhën e tij. E këtu është kjo katandisja jonë, humbja e identitetit, mburrjes, integritetit, gjë për të cilën ka dy vjet që e potencoj dhe shkruaj në ditarin tim këtu. Me këtë qasje politikanët tanë kanë hyrë edhe në bisedimet me Serbinë qysh nga koha kur ato kanë filluar dhe vazhdojnë me të njëjtin avaz edhe tash. Serbia ka arritur që nga agresori i cili ishte dhe ndaj të cilit reagoi e mbarë bota e civilizuar, sot të shndërrohet në viktimën e po të njëjtës periudhë. E po çfarë epilogësh të presësh kur të kihet parasysh se çfarë kaste cubash qeverisën atë vend dhe atë popull gjatë 20 vjetëve të fundit. Sa naiv që isha të mendoja asokohe se ai thërrime vend me aq pak njerëz e me aq përkushtim për "atdhe-dashuri" do të rimëkëmbej dhe do të shndërrohej në një Zvicër të vogël të Ballkanit. E vetmja gjë zvicerane në të cilën u shndërrua ai vend është si djathi zviceran, ai me vrima. Ashtu ia hapën vrimat Kosovës nga të gjitha anët. E ndoshta edhe një specialitet zviceran "Fondue", që është një specialitet me djathë të shkrirë, është prapë e vetmja analogji se në çfarë Zvicre e kanë shndërruar Kosovën. E kanë shkrirë mu ashtu sikur Fonduen zvicerane.

E shkrinë Kosovën duke ndërruar shtretër lumenjsh për gurëthyes, duke shtjerrë ujëvara të pakta që i kemi me ndërtim të digave ilegale, duke hedhur shporete e shasi veturash në lumenj kosovarë, duke hedhur çka të mbërrijnë në ujërat e rrjedhshme të lumenjve e përroskave të Kosovës. Me këtë qasje dhe mentalitet nuk shkohet në Evropë. Me këtë qasje dhe mentalitet shkohet në theqafje.

Kërkoj pak mirëkuptim nga ana e lexuesit të ditarit tim. Të gjithë ne nganjëherë gufojmë dhe në ato momente e hapim ventilin për të liruar energjinë e shumtë të akumuluar si pasojë e rrjedhjes së gjërave në përditshmërinë tonë. Në këto çaste përderisa unë isha duke i shkruar këta rreshta, isha duke e përjetuar një episod të tillë. Përditshmëria ime është ajo e njëjta me tuajën. Sikur edhe juve t’u jepej mundësia që t’i shprehnit mendimet e juaja, besoj se shumica nga to do të ishin në unison me ato çka unë i shpalos këtu. Ndoshta për disa nga ju jam edhe zëri juaj i mekur, e kjo është pikërisht arsyeja e cila më mban që të vazhdoj ta bëj atë të cilën jam duke e bërë qe sa kohë. Thellë diku më vete e dëgjoj zërin e ndërgjegjes sime, i cili më thotë se jam i rreshtuar drejt dhe se jam në rrugën e drejtë të ndërgjegjes individuale qytetare.

E gjithashtu thellë në mua është edhe një zë tjetër, i cili më flet dhe më thotë se në këtë rrugëtim nuk jam i vetëm, sado që ndonjëherë mund të ndihem si i tillë e vërteta është ndryshe. Kam pranuar me dhjetëra apo qindra mesazhe nga njerëz të panjohur e të njohur, të cilët të përbashkëtën e kanë se e thonë të njëjtën gjë. Pajtohen me shumicën e mendimeve dhe mënyrën se si i shtjelloj ato dhe janë të njëjtat si ata do t’i kishin thënë. Këto gjëra më bëjnë që të ndihem mirë dhe që të vazhdoj që të zezës t’i them e zezë, ndërsa të bardhës e bardhë.