OpEd

Qeveri që nuk bind

Kjo mbase është qeveria që më së paku i ka ardhur era qeveri ndonjëherë. Udhëhiqet nga një njeri absolutisht jokarizmatik; i ngjet një përmbledhjeje ministrash që funksionojnë si parti politike brenda qeverisë; janë thuajse nahije ku secili vendos për qejf të vetin dhe merr vendime që i shkojnë për shtati miletit të vet

Lajmi i javës, përfundimisht, erdhi nga Oxfordi. Universiteti me nam britanik kishte nisur fazën e tretë të testimit të vaksinës kundër COVID-it, pasi që dy fazat e para kishin treguar rezultate shpresëdhënëse se ajo do të mund ta aktivizonte imunitetin për ta parandaluar infektimin.

Nëse edhe faza e tretë tregohet po aq e suksesshme klinikisht, gjasat janë se vaksina do të jetë në qarkullim shumë më shpejt seç e kishin paralajmëruar shkencëtarët. Për më tepër, tashmë ka nisur edhe prodhimi i vaksinave, duke e pritur plotësimin e kushtit: suksesin.

Jam e sigurt se tashmë krejt shtetet serioze e kanë bërë planin për blerjen e vaksinave kurdo që të jenë ato të gatshme për shitje. Amerikanët tashmë i kanë ndarë 2 miliardë dollarë për 100 milionë vaksina dhe e kanë rezervuar edhe blerjen e 500 milionë dozave të tjera me kohë. Dhe kanë vendosur që vaksina t'u jepet falas qytetarëve.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në botë e ka tejkaluar 15 milionëshin, kurse numri të vdekurve 600 mijëshin. Në Kosovë, për më pak se tri javë është trefishuar numri i të infektuarve, kurse i të vdekurve sot ka mbërritur në 164.

Porse sa herë flasim për Kosovën, flasim vetëm për rastet që dihen e që janë konstatuar zyrtarisht. Pa hyrë në analizën e thënies "kanë pasur edhe sëmundje të tjera përcjellëse", ngase në mesin e të vdekurve ka pasur edhe të tillë që kanë qenë nën moshën 65-vjeçare - si moshën nismëtare të brezit më të rrezikuar.

Nuk e di kah i kemi mendtë

Sido që të jetë - kjo është Kosova, e cila me aq shumë zhurmë iu qas miratimit të rishikimit të buxhetit para dy javësh, e që ende nuk e ka kaluar dokumentin me të cilin do të sigurohet pagesa e pakos emergjente (a duhet përsëritur se rrogat e prillit ende nuk janë paguar, përderisa korriku po mbaron?) apo ajo e rimëkëmbjes ekonomike. E dyshoj shumë se kujtdo do t'i ketë shkuar në mendje të buxhetonte nja 40 milionë euro të nevojshme për t'i blerë 2 milionë vaksina për Kosovën, kurdo që ajo të dalë në shitje.

Kur përmenden 40 milionë duken të mëdha. Porse për jetët që do t'i shpëtojnë, do të duken të imëta. E kur e krahason me sa shpenzimin kot e bën Kosova të shumë milionëve, të bën të konstatosh se sa të marrë jemi.

40 milionët e vaksinave kushtojnë sa katër kilometra autostradë - më thjesht se kaq nuk mund ta paraqes. Nuk do t'i përmend as rrogat e politikanëve, as drekat, darkat e shëtitjet e tyre, as shpenzimet e rimodelimit të zyrave, e as krijimin e posteve kot nëpër institucione, për shkak se dikujt duhet siguruar rrogë dhe status.

Që nga fillimi i pandemisë, e kuptuam se mendtë e disa strukturave udhëheqëse kanë qenë të kthyera drejt shkatërrimit të një sistemi qeverisës që pak a shumë funksiononte me gjithë brishtësinë e vet. Qenë të kthyera nga rehatia personale dhe përpjekja e ethshme për ta shpallur veten hero dhe shpëtimtar, ashtu që në këtë formë të shmangej ajo që megjithatë ndodhi. Porse çmimin që po e paguan Kosova tash, është shumë i madh, me rrezikun që mund të jetë edhe më i madh. Për shkak se udhëhiqet nga një koalicion interesash grupore, me pak apo aspak interes për mirëqenien e përgjithshme, në përpjekje për ta nxjerrë maksimumin e asaj që mund të nxirret në një pushtetmbajtje, që ka shumë pak gjasa për të vazhduar të qëndrojë. Sepse varet nga Lista Serbe e Beogradit, apo një ose edhe dy deputetëve që mund të ndërrojnë anë kurdo që ua merr mendja - ngase nuk do të ishte hera e parë.

Ndërkohë, javën e shkuar u raportua se 15 mijë kosovarë kishin shkuar në Shqipëri në pushime vetëm në fundjavë - thuajse asgjë nuk po ndodh. Edhe po të mos kishte virus në Shqipëri, e ka, zyrtarisht më pak se te ne, ka virus në Kosovë - dhe ky aq lehtë po bartet, saqë në fund të sezonit kushedi se me çfarë numrash do të dalim në të dyja anët e kufirit.

Masat e ndërmarra nga autoritetet në Kosovë për ta kufizuar lëvizjen pas orës 21:00 nuk është se kanë ndonjë efekt të madh. Dhe nuk mund të kenë efekt, përderisa ka fluks të pandërprerë andej-këndej "kufijve" madje komunalë. Dhe përderisa ende nuk e kuptojmë se maska duhet të na e mbulojë edhe gojën, e edhe hundën. Dhe përderisa nuk duhet marrë për shembuj politikanët e zyrtarët e tjerë që sillen pa maska, për shkak se janë "hyqymet".

Dialog që frikëson

Dhe në gjithë këtë situatë, MPJD e shpall një konkurs të ri për pozita/punë konsullore gjithandej. Pra, dikasteri i cili ka funksionuar keq dhe është rritur në formë enorme, ngase secili ministër ka dashur t'i rehatonte njerëzit e rinj, ky e vazhdon traditën.

Njerëzve që u kanë kaluar mandatet ende qëndrojnë në misione jashtë vendit; shpallen konkurset e reja, bëhen rokada stafi, pezullohen ata që e kundërshtojnë ministren, ndërkohë që nis një rund i ri negociatash në Bruksel, e që pjesë e tij nuk dihet po qe se është dikush nga Ministria e Jashtme. Në cilësi të profesionistit, kuptohet, e jo të shëtitësit për mëditje.

Procesi i rinisur i dialogut na zë në situatë më të keqe se kurrë. Në kohën kur Thaçi e nisi dialogun, ia delegoi përgjegjësinë Edita Tahirit. Po ta dëgjonit këtë të fundit, do të kuptonit se ai proces ka qenë shumë i suksesshëm. Po e shohim, meqë duhet të rinisë çdo dy a tre vjet.

Më vonë, kur mori kontrollin komplet mbi procesin e negociatave, me qëllimin tashmë të shpjeguar sa herë për ta shpëtuar lëkurën e vet, Thaçi nuk e bëri as përpjekjen minimale për të krijuar konsensus dhe unitet politik. Nuk e donte, sepse i donte të gjitha për vete. Për pasojë, e fragmentoi komplet skenën politike dhe i thelloi ndasitë edhe më shumë. Porse la në listë të pritjes nja dy a tri opsione që mund t'i fuste në përdorim, për ta bërë mishmash situatën midis pandemie.

Njëri nga ata që i shërbeu qëllimit për ta rrëzuar Qeverinë paraprake dhe për ta marrë udhëheqjen pro forma të qeverisë, ishte edhe kryeministri i tashëm, Avdullah Hoti. Një status i tij në FB flet shumë: “Kosova ka një kryeministër që po i ushtron autorizimet kushtetuese pa lejuar asnjë ndërhyrje në ato autorizime, por duke e koordinuar agjendën shtetërore të Kosovës me bartësit e institucioneve, me partnerët e koalicionit dhe me opozitën”.

Status i shkruar asisoj thuajse do që ta bindë veten se është kështu siç e thotë. Fillimisht autorizimet kushtetuese i janë dhënë me ndërhyrje eklatante në vendimmarrjen e Kushtetueses; së dyti, vetëm dje është takuar me Thaçin për të biseduar për dialogun, porse nuk është takuar me kryeparlamentaren, të cilën e ka akuzuar se nuk ka përvojë në udhëheqje të Kuvendit (ky bile ka më pak përvojë në udhëheqje të Qeverisë); partnerët e koalicionit e akuzuan se e ka emëruar një koordinator pa i pyetur e as treguar atyre dhe nuk dihet për ndonjë takim me opozitën për punë të dialogut.

Emërimi i Skënder Hysenit nuk është i rastësishëm dhe me gjasë, mund të mos jetë përzgjedhje e vetë Hotit. Fakti është që detyrat e veta ia ka deleguar një njeriu, i cili nuk e di madje a ka garuar për zgjedhje dhe se teknikisht nuk bën pjesë as në ekzekutiv si bartës i ndonjë dikasteri.

Është problem tepër i madh që i futemi edhe një rundi negociatash pa unitet, pa ide, pa strategji dhe pa përkrahjen e Kuvendit. Është e pabesueshme se si jemi në gjendje të zëmë thua në gurin e njëjtë nga njëqind herë. Si bëhet që nuk mësuam asgjë në këta dhjetë vjetët e gjatë të dialogut që vetëm ka degraduar?

Të drejta pa kufi

Kjo mbase është qeveria që më së paku i ka ardhur era qeveri ndonjëherë. Udhëhiqet nga një njeri absolutisht jokarizmatik; i ngjet një përmbledhjeje ministrash që funksionojnë si parti politike brenda qeverisë; janë thuajse nahije ku secili vendos për qejf të vetin dhe merr vendime që i shkojnë për shtati miletit të vet.

Është Qeveri e cila luftimin e pandemisë e pati detyrën parësore dhe e solli punën që të na i mbyllin të gjithë kufijtë, për shkak të rasteve treshifrore që nuk ndalen qe sa javë. Është qeveri që duket se nuk e di nga është nisur dhe se do ta shfrytëzojë kohën sa do t'i zgjasë mandati për t'i kryer ca punë para vjeshtës.

Një nga to është edhe udhëzimi administrativ i ministrit të Drejtësisë që mundëson qasje pa limit në buxhetin e Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja; për vizitat e pakufi të familjarëve të të akuzuarve dhe kompensime për ata që shpallen të pafajshëm.

Është shumë indikative që këto dokumente firmosen pak para se të vendoset po qe se aktakuzat kundër Thaçit, Veselit e të tjerëve konfirmohen ose jo. Porse nënshkrimi i tyre duket se nuk po lë shumë hapësirë për mendime laramane.

Shumica e ish-komandantëve të ftuar në Hagë tashmë kanë angazhuar avokatë të huaj që i kanë tarifat shumë më të larta sesa avokatët tanë në Kosovë. E fakti tjetër është që sipas këtij akti, i gjithë dokumentacioni do të mbahet konfidencial, pra praktikisht ne që i paguajmë tatimet që do të përdoren për këtë qëllim, nuk do ta dimë se ku do të na shkojnë paratë.

Për më tepër, nuk do ta dimë as për sa njerëz bëhet fjalë e as sa gjatë do të duhet t'i paguajmë këto shërbime që paraqesin një veprim që shkel barazinë e qytetarëve - ngase këto të drejta pa kufizime nuk u takojnë edhe njerëzve të tjerë që janë pjesë e proceseve gjyqësore në Kosovë.

* * *

Kjo është qeveria që na udhëheq sot.

Nuk e di nëse në mesin e krejt "prioriteteve" që i ka ky ekzekutiv, a u ka shkuar në mendje anëtarëve të tij t'i sigurojnë 40 milionë euro për vaksinën që do të vijë, mbase edhe më shpejt seç e kemi menduar.

flaka@koha.net