Vështrime

Dialogu me të vjetrën

Pyetja që ia ka bërë kryeministrit të Kosovës “razumes srpski” është gjëja më së paku kontradiktore nga dialogu. Fundi i fundit, Hoti është një kryeministër i një shteti ku gjuha serbe është gjuhë zyrtare. Nganjëherë harrohet se kur u shpall pavarësia dhe u miratua Kushtetuta, gjuha serbe u njoh si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës. Ka pasur shumë herë provokime më serioze nga pala serbe. Kur e kanë krahasuar Kosovën me ISIS-in, kur e kanë kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, kur i kanë quajtur “gënjeshtra” akuzat për dhunime në Kosovë. E Kosova nuk ka reaguar

Me siguri të madhe mund të besojmë se Miroslav Lajçak nuk ka pasur ndonjë qëllim të keq ndaj Kosovës kur është ulur në anën e delegacionit të Serbisë në tavolinën ku u zhvillua takimi i parë në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Por ajo pamje, ku “i dërguari i posaçëm për dialog” ishte krahas presidentit të Serbisë, në krye të tryezës ishte shefi i tij Josep Borrell, anash zyrtarja e cila merret me dialog që nga fillimi i tij, e përballë kryeministri i Kosovës, ka një simbolikë.