Vështrime

Hajrushi ynë, i vrarë në Bijelinë të Bosnjës

Ndër viktimat e para të agresionit serb kundër Bosnjës kanë qenë shqiptarët. Çfarë dimë për këta njerëz? Gati asgjë. Sepse as në Prishtinë, as në Tetovë, as në Tiranë nuk është bërë gjë për të dokumentuar krimet ndaj shqiptarëve në Bosnjë-Hercegovinë

Ndër viktimat e para të agresionit serb në Bosnjën lindore kanë qenë shqiptarët. Njerëz punëtorë që kishin furra buke, byrektore, dyqane, lokale të vogla akulloresh. Banda e paramilitarëve serbë të Arkanit në pranverën e vitit 1992 shkoi nga Beogradi në Bijelinë, në Bosnjën lindore. Vrau civilë.

Ndër viktimat e para qenë shqiptarët. Ndër ta Hajrush Ziberi nga rrethina e Shkupit. Historia e këtij djali është relativisht saktë e dokumentuar falë dy fotografive. Fotografi amerikan Ron Haviv kishte arritur të merrte lejen t’i shoqëronte trupat e Arkanit në qytetin e Bijelinës. Haviv ka arritur ta fotografonte Hajrushin pak para se të vritej nga paramilitarët serbë. Viktima i çon duart lart dhe lutet për mëshirë. Por mëshirë nuk ka. Trupat e Arkanit përbëheshin nga “guerilja urbane” e Beogradit, fansa të ekipit të futbollit “Cërvena Zvezda”, padronë të nëntokës, “heronj” të jetës së natës të kryeqytetit serb, kjo ishte bërthama nga e cila Arkani krijoi “ekipin” e tij për vrasje. Në atë kohë njëri nga huliganët e “Cërvena Zvezdës” ishte njëfarë Aleksandar Vuçiqi, i cili më vonë u bë reporter i një radioje propagandistike në Pale, ku gjendej shtabi i forcave serbe që “koordinonte” bombardimin e Sarajevës. Në një fotografi tjetër dy paramilitarë serbë i hedhin benzinë mbi kokë Hajrush Ziberit. Ai ishte vetëm 24-vjeçar kur u vra. Punonte kamerier në Bijelinë. Fotografinë tjetër, të dytën, e ka bërë Sërgjan Iliq.