Vështrime

Suksesi i dialogut në duar të Gjermanisë dhe Francës

Ambiciet e Borrellit dhe të Lajçakut për arritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, finale, ligjërisht obliguese, që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura, nuk janë asgjë e re. Të njëjta ambicie BE-ja ka pasur edhe para 9 vjetësh, edhe para 5 e edhe para dy vjetësh. Dallimi më i madh është se tash duket se nga niveli më i lartë Gjermania dhe Franca janë të angazhuara që të arrihet marrëveshja. Prandaj edhe suksesi varet nga këto dy shtete më shumë sesa nga zyrtarët e lartë të BE-së. Por edhe Gjermania, edhe Franca duhet ta kenë të qartë se cili është qëllimi final

Situata në Kosovë dhe ajo në Serbi është më pak e favorshme për arritjen e një marrëveshjeje finale në dialogun i cili po zhvillohet me lehtësimin e BE-së. Madje situata është e tillë, saqë do të ishte më e logjikshme sikur dialogu të shtyhet edhe për një kohë. Pasi është humbur aq shumë kohë nuk do të duhej nxituar tash. Kosova dhe Serbia po përballen me rritje dramatike të rasteve të infektimeve me virusin Korona. Në Serbi po protestohet kundër presidentit Vuçiq për shumë arsye. Disa kërkojnë që të mos e njohë Kosovën, të tjetër që të mos lejojë rrjetin 5-G, dikush tjetër kërkon më shumë demokraci, largimin e tij nga pushteti. Në Kosovë, Qeveria nuk e ka më as shumicën parlamentare pas vete e lëre më shumicën e qytetarëve. Nëse nuk arrin ta përfshijë edhe PDK-në në pushtet, Qeveria, sa i përket dialogut, nuk mund të thotë se e ka as shumicën në Kuvendin e Kosovës. Disa deputetë nuk janë në gjendje të marrin pjesë në seanca, sepse janë infektuar. Sikur të vlenin masat që të vetizolohen edhe kontaktet e atyre që janë infektuar, gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të duhej të vetizolohej së paku për dy javë. Po ashtu, edhe njerëz nga Qeveria, e ndoshta edhe vetë kryeministri Hoti. Nuk dihet sa afër ka qenë ai me të infektuar, qoftë ai shefi i tij partiak Isa Mustafa apo ndokush tjetër.