Vështrime

Në botën e çuditshme të Richard Grenellit

Si dështoi tani për tani aksioni solo i diplomatit amerikan në Ballkan? Dhe përse ai në disa çështje kishte të drejtë, por e dogji shansin për shkak se bëri tri gabime: nuk insistoi në veprim të përbashkët me europianët (veçanërisht me gjermanët e britanikët), në rajon i konsideroi si partnerë të vetëm liderët autokratë dhe polarizues dhe presionin e orientoi kryesisht mbi palën kosovare.

Me muaj të tërë Richard Grenelli, emisari i presidentit Donald Trump për dialogun serbo-kosovar, krijoi përshtypjen se konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë mund ta zgjidh ai vetë - i përkrahur nga presidenti kosovar dhe kolegu i tij serb. Në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë trëndafilat dhe lule të tjera tashmë po ujiteshin për ditën kur "liderët paqedashës" do të shtrëngonin duart. Në këtë skenar për europianët nuk kishte vend. Ata përçmoheshin. Injoroheshin. Talleshin. Sidomos gjermanët, me të cilët Grenell dëshironte të lante shumë hesape. Sa ishte ambasador në Berlin nuk u prit mirë nga elitat politike dhe ekonomike gjermane. Edhe kur kishte të drejtë me kritikat e tij, gjuha jodiplomatike, ultimative, kërcënuese, arrogante e bënte Grenellin të padëshirueshëm. Një koordinim i ngushtë me Londrën po ashtu do të ishte i dobishëm. Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së, por mbetet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.