OpEd

Përplasja me Specialen

Përplasja me Specialen, që i bie edhe me mbështetësit e saj, BE-në dhe SHBA-në, ka përfundim të keq. Madje mund të çojë në zhveshjen e të dyshuarve para se të nisë procesi. E nëse solidarizimi dhe mbështetja ndaj të dyshuarve ngrihen në nivel të institucioneve – Qeveri e Kuvend, atëherë rrezikohen edhe vlera historike e UÇK-së, e edhe perspektiva e shtetit

Krime kundër njerëzimit, krime lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura... Nuk ka ku shkon më keq sesa ky kategorizim i veprave, sesa kjo përmbajtje e aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Është e paligjshme dhe aspak humane të paragjykojmë për të dyshuarit, ndërsa që ende nuk është konfirmuar aktakuza nga gjykata (Dhomat e Specializuara). Por nga sa shihet akuza është e rëndë. Prokurori Jack Smith pretendon se ka argumente të bollshme, të siguruara nga puna hetimore disavjeçare. Pra, se sipas tij bëhet fjalë për 100 të vrarë, të torturuar e zhdukur. Për 100 persona me emër e mbiemër.

Viktima të veprimeve, mbrapa të cilave mbase fshihen një mijë “arsye”.

Të dikujt që mund të jetë mllefosur në ta për shkak të përcaktimit politik, për qëndrimin para dhe gjatë luftës, për inate personale e hatërmbetje nga e kaluara.

Të dikujt për shkak të dhimbjes së madhe shpirtërore, për dëmet që regjimi të cilit i kanë shërbyer u ka shkaktuar familjarëve apo edhe vetë procesit të kauzës së luftës.

Ka të ngjarë që ata të jenë viktima edhe të ndonjë konspiracioni - të shërbimeve në funksion të interesave të grupeve politike.

Numër i tyre mund të jenë eliminuar edhe nga autoritetet e Serbisë me qëllim të komprometimit të luftës çlirimtare.

Por përtej arsyeve dhe autorëve, ata si edhe çdo viktimë tjetër, meritojnë drejtësinë. Drejtësinë që na duhet të gjithë neve, edhe pa gjendje lufte e pa gjynahe. Gjykimi i krimeve nuk bëhet vetëm për të ndëshkuar fajtorët e për të identifikuar të pafajshmit, por edhe për të përcjellë mesazhin se të tilla veprime marrin përgjigjen e merituar, diku dhe dikur.

Më shumë se për emrat e përveçëm, që mund të bëhen në të ardhmen subjekt i procesit gjyqësor apo edhe për veprat që mund të akuzohen, tash shqetëson fakti se duke mos hetuar vrasjen e 100 “tradhtarëve”, institucionet e drejtësisë së Kosovës kanë heshtur edhe për viktimat e shkaktuara nga regjimi i Serbisë, e që janë një mijë herë më në numër. Shqetëson ky fakt, ngase në krye të institucioneve qeveritare i kemi pasur këta që sot prokurori amerikan Jack Smith po i konsideron përgjegjës për afro 100 viktima. Shqetëson dyshimi se për të heshtur këto krime, mbase qëllimshëm janë heshtur edhe krimet ndaj shqiptarëve nga regjimi i Beogradit - se i tërë angazhimi i tyre ka qenë që sa më pak t’i jepet prioritet zbardhjes së krimeve të luftës e të pasluftës – qofshin të asaj apo kësaj pale, e për fatin e keq të familjarëve, edhe gjetjes së trupave të të zhdukurve dhe zbardhjes së vrasjeve të tyre.

Shqetëson edhe përpjekja për të mos e bërë Gjykatën Speciale, pastaj pas themelimit të saj me votat e 82 deputetëve të Kuvendit, për zhbërjen, e tash krejt në fund, duke mobilizuar forca politike e parapolitike për pengimin e zhvillimit të operacioneve të saj në Kosovë.

Ngulmimi i protagonistëve të luftës e të paqes, nga paslufta e deri më tash, që me çdo kusht e me çdo çmim të kapen për pushtetin, përkatësisht sigurimin e imunitetit institucional, na çon te dyshimi kryesor - se ata gjatë gjithë kohës kanë shfaqur shenja frike. E simptomat e frikës kanë rritur dyshimin se ka diçka të vërtetë në këtë mesele.

Edhe trajtimi publik që po i bëhet Speciales dhe diskursi i njerëzve që solidarizohen me emrat që janë përmendur nga Prokurori nuk dallojnë shumë nga trajtimi që po ata u kanë bërë organeve të drejtësisë në Kosovë. Para dhe gjatë çdo procesi gjyqësor ka pasur presion të madh në hetuesinë, prokurorinë e gjykatat, qofshin ato në përbërje me zyrtarë të UNMIK-ut, EULEX-it apo edhe të vendit. Para dhe gjatë çdo procesi, asnjëri nga liderët politikë e institucionalë nuk është vënë në mbrojtje të këtyre institucioneve. Madje, kanë bërë deklarata të vazhdueshme mbështetëse për të akuzuarit.

Mënyra se si i kanë trajtuar institucionet e drejtësisë ka çuar në degradimin e tyre, në humbjen e besimit, si brenda ashtu edhe jashtë. Ka çuar në dështimin e gati të gjitha proceseve gjyqësore, përfshirë edhe ato që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pra, nuk kanë treguar fije mirëkuptimi për institucionet e drejtësisë e të sigurisë, të cilat janë treguesi kryesor i (mos)funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Dhe kjo është arsyeja që sponsorizuesit e Speciales kanë kërkuar që selia e saj të jetë jashtë Kosovës dhe që stafi të jetë ndërkombëtar.

Duke qenë kështu, pasojat e qasjes refuzuese dhe fyese ndaj Speciales nuk mund të lokalizohen. Përplasja me të, që i bie edhe me mbështetësit e saj, BE-në dhe SHBA-në, ka përfundim të keq. Madje mund të çojë në zhveshjen e të dyshuarve para se të nisë procesi. E nëse solidarizimi dhe mbështetja ndaj të dyshuarve ngrihen në nivel të institucioneve – Qeveri, Kuvend..., atëherë rrezikohen vlera historike e UÇK-së, e edhe me keq, rrezikohet perspektiva e shtetit.