Vështrime

Me mendjen në Washington DC – 27 qershor

Më 27 qershor, në Washington DC zhvillohet një takim i nivelit të lartë ndërmjet delegacioneve zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e SHBA-së. Më 18 qershor, pikërisht nëntë ditë përpara takimit të delegacioneve qeveritare të Kosovës dhe Serbisë në Uashington dhe përgjatë vizitës së ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, në Beograd, në “Rossiyskaya Gazeta” dhe “Serbian Kurir” u botua njëkohësisht një shkrim me autorë të përbashkët ministrat e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov dhe Ivica Daçiq. Përmbajtja, autorësia e këtij shkrimi dhe koha e botimit të tij besoj se do t’ia vlenin të shqyrtoheshin imtësisht.

Megjithatë, janë të paktën edhe katër arsye të tjera për ta bërë këtë. E para, ngulmimi ruso-serb në përhapjen e të pavërtetave naive dhe të përsëritura, të cilat ndërfuten si punëprishëse në debatin ndërkombëtar mbi zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. E dyta, rëndësia themelore e një marrëveshjeje sa më të shpejtë të mundshme Kosovë-Serbi në dobi të të dyja vendeve dhe të sigurisë e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. E treta, paralajmërimi se Rusia dhe Serbia nuk do ta njohin Kosovën, qoftë edhe duke e sakrifikuar anëtarësinë e Serbisë në Bashkimin Europian. E katërta, vetëdijesimi i shqiptarëve se arritja e një marrëveshjeje të tillë historike nuk mund të bëhet pa lëshime të ndërsjellë.