Vështrime

Dialogu në kthetrat e çrregullimit të ri botëror

Kur në mbrëmjen e së hënës së shkuar, më 15 qershor, Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan Trump, përmes Twitterit, paralajmëroi si nga qielli takimin e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, e vetmja gjë që ishte e qartë për këtë takim ishte se bëhet fjalë për kapitullin deri më tani më të hapur të provokimit të Grenellit ndaj Bashkimit Evropian, minimin e hapur të rolit udhëheqës të BE-së në dialogun politik.

Grenelli njoftoi për takimin, rreth përgatitjes të të cilit administrata e Trumpit, njëjtë si në lëvizjet e mëparshme, nuk i kishte njoftuar zyrtarët e BE-së e as përfaqësuesit e shteteve anëtare, e lëre më t’i përfshinte ato, mu në momentin kur përfaqësuesi i ri i BE-së për negociatat Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ishte në rrugë për vizitën e parë në Prishtinë, për përgatitjen e rinisjes serioze të negociatave. E as ministri i Punëve të Jashtme, Mike Pompeo, nuk i kishte njoftuar kolegët e tij nga BE-ja se diçka po përgatitej, gjatë video-takimit që kishin mbajtur po të njëjtën ditë. Me këtë Grenelli vazhdon rrugëtimin e tij të tentim-rrëmbimit të udhëheqjes së dialogut nga BE-ja, të cilin e kishte nisur me negocimin e tri letrave të qëllimeve për vendosjen e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe të auto-udhëve ndërmjet dy vendeve të Ballkanit dhe me presion ndaj aktorëve politikë në Kosovë, të cilin e udhëhoqi deri në rënien e Qeverisë Kurti në mars të këtij viti.