Vështrime

Pse marrëveshja Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë e rrezikshme

Njoftimi për bisedime në Shtëpinë e Bardhë midis dy palëve për një mosmarrëveshje të gjatë ndërkombëtare do të përbënte rëndom një arsye për festë, sidomos duke e pasur parasysh pritjen se, nëse gjithçka shkon sipas planit, bisedimet e tilla zakonisht pasohen me një ceremoni në “Kopshtin e Trëndafilave” për nënshkrimin e një lloj marrëveshjeje mes palëve. Njoftimi i kësaj jave se Shtëpia e Bardhë do të bëhet nikoqire e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, më 27 qershor, sidoqoftë, ka shkaktuar drithërimë mes vëzhguesve të Ballkanit Perëndimor, dhe me të drejtë.

Arsyet për skepticizëm rreth bisedimeve të planifikuara janë të shumta. Bisedimet e uzurpojnë dialogun e kahershëm Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin blloku evropian synon ta rinisë në një të ardhme të afërt nën udhëheqjen e të dërguarit të posaçëm për rajonin, ish-ministrin e Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak. Fakti se Washingtoni dhe Brukseli mund së shpejti të mbajnë negociata paralele e ilustron gjendjen e trishtë të raporteve SHBA-BE dhe mungesën e tërësishme të një koordinimi transatlantik, që ka qenë një përbërës i domosdoshëm për përparim në Ballkanin Perëndimor, që nga vitet 90.