Vështrime

Vetëm marrëveshja që përfshin ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte një marrëveshje finale

Nuk e kam as dyshimin më të vogël se në rrethanat aktuale dhe mundësitë reale që na u kanë krijuar funksionaliteti i shtetit të Kosovës dhe fuqizimi i sovranitetit të saj kalon përmes Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë. Hapja e rrugës për një kushtetutë të re do të ndodh vetëm pasi ta realizojmë një marrëveshje të re me Serbinë, një marrëveshje ndërkombëtare e cila do ta shtrojë rrugën për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës. Rrjedhimisht bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë kalon përmes Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë

1. Kosova ndonëse shpalli pavarësinë në vitin 2008 nuk u njoh nga Serbia dhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha nga Rusia, Kina si dhe pesë shtetet e Bashkimit Evropian: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja. Konsolidimi i pavarësisë në arenën ndërkombëtare, sidomos anëtarësimi i saj në OKB dhe në BE kalon përmes votës apo së paku abstenimit të këtyre shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, që nga viti 2011 filloi një dialog fillimisht teknik, e më pas edhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE. Ideja ishte që të krijoheshin kushtet që përmes një dialogu me Serbinë të njihej Kosova dhe të krijoheshin kushtet që edhe vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta njohin atë. Sidoqoftë, qasja e dialogut ka qenë e padrejtë dhe pala kosovare shumë pak apo aspak ka ndikuar që kjo qasje të ndryshojë. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar vetëm për Kosovën, serbët në Kosovë dhe rrjedhimisht akomodimin shtesë të tyre në Kosovë. U arritën shumë marrëveshje disa prej të cilave si ajo e krijimit të asociacionit të komunave serbe në Kosovë nuk ka arritur ende në implementohet. Kosova ka elemente të jofunksionalitetit edhe me këtë kushtetutë për shkak të privilegjeve kushtetuese që kanë serbët (e tek të cilët në këto rrethana ndikon Serbia). Shtimi i strukturave të tjera administrative brenda organizimit të saj të brendshëm, vetëm sa do ta rëndonin funksionimin e saj. Në anën tjetër shqiptarët në Kosovën Lindore dhe pozita e tyre fare nuk janë trajtuar në këtë dialog. Dhe ky ishte që nga fillimi një gabim strategjik i palës kosovare.