OpEd

Liria jonë me kusht

Pse mbetemi ende jo tërësisht të lirë e të pavarur...

Hyrja e Forcave të NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, shënon momentin kyç në historinë e shekullit XX, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin, Evropën dhe Perëndimin. Në fund të shekullit të të dy luftërave botërore, Aleanca e shteteve demokratike të Perëndimit, e udhëhequr nga SHBA, për herë të parë ka ndërhyrë kundër një shteti për të mbrojtur një popullatë të shkelur. “Intervenimi humanitar” u bë në emër të mbrojtjes së popullatës civile shqiptare, që ishte cak i sulmeve kriminale dhe gjenocidale nga aparati shtetëror serb. Për herë të parë Perëndimi u fut në luftë kundër një shteti anëtar të OKB-së për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e popullatës shqiptare të Kosovës, që në një mënyrë apo tjetrën shkeleshin me dekada e shekuj. Perëndimi u fut në luftë kundër Serbisë, pasi që populli i Kosovës me vite refuzoi t’i nënshtrohej regjimit serb, pas rezistencës paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe pas luftës së armatosur të UÇK-së, që u ndez pasi bota injoroi me vite nevojën për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Ishte ky moment historik, sidomos kur ndërgjegjja e botës perëndimore refuzoi të lejojë përsëritjen e krimeve që tashmë ishin parë në Bosnje, vetëm disa vite më herët. Momenti kur bota demokratike, e tmerruar nga ajo që shihte të ndodhte në Kosovë, krimet ndaj shqiptarëve i krahasonte me krimet naziste ndaj hebrenjve dhe Holokaustin e Luftës së Dytë Botërore, vendosi të nisë një, thënë me fjalët e Elie Wieselit, nobelist dhe i mbijetuarit i Auschwitz-it, “luftë morale”.

Për 78 ditë rresht, forcat e NATO-s kryen sulme ajrore kundër forcave serbe dhe regjimit të Slobodan Milosheviqit, të cilët ndërkohë vazhduan të kryejnë masakra e krime të shumta ndaj popullatës shqiptare. Ditën e 78-të Serbia kapitulloi në Kumanovë.

Ditën e 80-të NATO hyri në Kosovë...

* * *

E premtja, 11 qershor 1999, ishte Dita e 79-të.

Ishte një ditë pas fundit të luftës dhe një ditë para Ditës së Çlirimit.

Ishte dita kur rusët hynë në Kosovë. Dita kur në Prishtinë hyrja e rusëve u interpretua si fitore e Serbisë - mbase kanë menduar se Kosova po ndahet (siç ndodhi me Bosnjën 4 vjet më parë) dhe se Prishtina mbetet në duart serbe (siç mbeti Republika Srpska). Ushtria dhe Policia e Milosheviqit ende ishin në qytet dhe disa njësite të tyre kriminale kryen krime të rënda nëpër disa lagje rreth qendrës së qytetit. Dy ditë më parë, në Kumanovë, Serbia kishte nënshkruar fundin e luftës, por natën e 11 qershorit në Prishtinë ajo vazhdoi të vriste civilë shqiptarë (gjë që e bën shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës më 11 qershor një falsifikim ordiner të historisë).

Lufta kishte përfunduar, por jo edhe vrasjet dhe dhuna...

Në orën 5:15 të mëngjesit të 12 qershorit, para 21 vjetësh, pjesëtarët e regjimentit parashutist britanik u hodhën nga helikopterët në Prishtinë dhe disa qytete tjera të Kosovës Jugore dhe Qendrore, ndërsa deminuesit Gurkha çelën rrugën për tanket dhe kamionët plot ushtarë të NATO-s, që nisën të hyjnë nga Maqedonia në Kosovë. Në perëndim, nga Shqipëria, paqeruajtësit gjermanë dhe ata italianë nisën të vendosin prezencën në Prizren, Pejë e Gjakovë. Disa ditë më vonë, francezët do të vendosen në Ibër dhe realiteti i ri, me të cilin do jetojmë pa modifikime të mëdha deri në shpalljen e pavarësisë, u vendos.

E shtuna e dytë e qershorit 1999 ishte dita kur iu dha fund luftës dhe vuajtjeve të popullit; me hyrjen e forcave të NATO-s, Kosova u çlirua nga sundimi i Beogradit, edhe pse në ditët, javët, muajt dhe vitet që pasuan 12 qershorin 1999 do të shohim se jo e gjithë Kosova është çliruar nga Serbia dhe se liria që erdhi bashkë me hyrjen e NATO-s në Kosovë dhe hyrjen e njësiteve të UÇK-së nëpër qytetet tona nuk ishte e plotë.

Ura mbi Lumin Ibër edhe sot mbetet një përmendore e dështimit...

* * *

Vitet e pasluftës Kosova i kaloi e zënë mes presionit të kastës së re të sunduesve lokalë, që e shpërdoruan një pjesë të madhe të lirisë së fituar për të gjeneruar pasuri e pushtet personal, dhe një prezence ndërkombëtare që Kosovën e shihte të lirë, por me plot kushte. Për shumicën e kosovarëve, liria e arritur me mposhtjen e Serbisë nuk u përkthye tërësisht në liri për Kosovën; me status të paqartë politik e juridik, me konflikt të papërmbyllur me Serbinë, me raporte të tensionuara me pakicën serbe në Kosovë, me perspektivë të padefinuar evropiane, me pushtete të korruptuara lokale dhe parti jodemokratike nacionale, me kufizime në liri të lëvizjes dhe me presione kundër lirisë së shprehjes dhe mendimit, liria e fituar në qershor të 1999-s doli të ketë qenë e kushtëzuar edhe prej jashtë, edhe prej brenda.

Në anën politike, Kosova ishte e kushtëzuar edhe nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, edhe nga Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Ushtrisë serbe për kushtet e hyrjes në Kosovë, edhe nga Marrëveshja e Helsinkit mes SHBA-së dhe Rusisë mbi pjesëmarrjen ruse në misionin e KFOR-it. Kosova në gjithë këto dakordime ishte vetë objekt diskutimi dhe spektator pa drejtë fjale. Qeveria e vendit ishte OKB-ja (bashkë me BE-në dhe OSBE-në - UNMIK) dhe ushtria ishte NATO (bashkë me shtete të tjera kontribuuese - KFOR). Lufta mbaroi dhe Kosova u çlirua, por kosovarët nuk ishin të lirë të qeverisin veten. Tani kosovarët ishin sërish të qeverisur nga jashtë - fatmirësisht jo më nga Beogradi; Kosova qeverisej nga selia e OKB-së në New York!

* * *

Jo gjithçka ishte e qeverisur nga OKB.

Resurset e vendit, pronat dhe paratë, kontrolloheshin nga klanet politike, të regjistruara zyrtarisht si parti, por që në realitet funksiononin si struktura gjysmëlegale, shpeshherë sekrete, që demokracinë e shihnin si mjet që mund të përdorej dhe keqpërdorej për ta arritur synimin – pushtetin maksimal.

Pjesë të këtij mentaliteti të pasluftës ende mbijetojnë dhe janë të dukshme te shumica e liderëve institucionalë e politikë të vendit (që nuk është çudi, meqë bëhet fjalë kryesisht për persona të njëjtë).

Vitet e tranzicionit, që formalisht kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, praktikisht janë ende këtu. Së pari kishim mbikëqyrjen e pavarësisë dhe misionin e EULEX-it, tani kemi dialogun me Serbinë, si pengesën e fundit në procesin e – si e quajnë liderët joinventivë – “rrumbullakësimit të shtetësisë”.

Në gjithë atë kohë, zgjerimi i mandatit të pushtetit të kosovarëve ka rezultuar më shumë në shtimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve, sesa në ndërtimin e shtetit demokratik e të drejtë, në të cilin sundon ligji.

Kështu, shteti mbeti me pavarësi të kushtëzuar për shkak të manovrave politike të Serbisë, paaftësisë së përfaqësuesve të Kosovës dhe braktisjes së parimeve nga bota demokratike.

Dhe populli mbeti me liri të kushtëzuar për shkak të një udhëheqjeje që nuk e meritoi.

Tash e 21 vjet...

agronb@kohaditore.com