Vështrime

Lehtësia e rënies së një meteori mbi Kosovë

Përse çdoherë që ka negociata me Beogradin në Bruksel kërkohen përfaqësues kosovarë me sa më pak legjitimitet demokratik?

1.

Tingëllon gati si barsoletë morbide, por kam përshtypjen, tashmë dhjetë vjet e tutje, se po qe se do të binte një meteor i madh mbi Kosovë e duke mbuluar tre çerekun e territorit të saj nga Brukseli zyrtar do të vinin dy porosi. E para do të ishte shprehje e keqardhjes dhe ofrimi imediat i ndihmave të pakursyera. E dyta do të ishte kërkesa që sapo të rregullohen pak rrugët e gjendja në vend, diku javën e ardhshme, për shembull, përfaqësuesit e Prishtinës do të ftoheshin në Bruksel për të vazhduar dialogun me Beogradin zyrtar.