Vështrime

Rrezik nga sjellja e Kosovës në periudhën e para Ahtisaarit

Ndonëse thotë se “është paksa i lodhur nga nevoja që prapë të përgjigjet në pyete të tilla”, kur pyetet për dyshimet legjitime që mund të kenë kosovarët ndaj tij dhe të dërguarit të tij Lajçak, pasi ishin ministra kur shtetet e tyre refuzuan ta njihnin pavarësinë e Kosovës, Borrel gjithmonë thotë se “nuk i takon BE-së ta njohë apo jo ndonjë shtet”, se “kjo është kompetencë e vendeve anëtare”, por përmend se kjo “u takon shteteve anëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Habit fakti se sa ngjashëm tingëllon pohimi i tillë i përfaqësuesit të lartë të BE-së me ato të ambasadorit të Rusisë në Beograd. Me këtë sjellje është rritur rreziku që BE-ja ta kthejë “çështjen e Kosovës” në situatë para Ahtisaarit

Në Kosovë, por edhe më gjerë, ka pasur shqetësime rreth përgjigjeve që ka dhënë në pyetjet e kësaj gazete përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, i cili as pas përsëritjes së pyetjes, me vërejtjen se është pyetje kyç, nuk e kishte hedhur poshtë idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Për këto deklarata është folur edhe në disa grupe punuese në BE dhe janë kërkuar e janë dhënë sqarime. Ka pasur diplomatë të cilët kanë thënë se “ai i ka tejkaluar linjat e qëndrimeve parimore të BE-së” e deri tek ata të cilët, megjithatë, mendojnë se ka thënë një të vërtetë, se “askush nuk mund të jetë kundër nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen për një gjë të tillë”.

Në përpjekje për ta qetësuar pak situatën, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka shpërndarë një cicërimë në Twiter duke e quajtur idenë e ndryshimit të kufijve si diçka që “nuk është në tavolinë” dhe se nuk do të shkonte në favor të një zgjidhjeje sipas parimeve evropiane e as që do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit.