OpEd

Në pritje të normalitetit

Po na thonë se së shpejti do t'i kthehemi normalitetit. Sinqerisht, nuk është se dolëm fort nga normaliteti edhe këto tetë javë sa u

Gjatë gjithë javës trendi i rënies së të infektuarve me COVID-19 përfundimisht ka qenë lajmi kryesor, i cili na e ktheu një ndjenjë qetësie se gjërat mund të kthehen në rrjedhën e vet të mëparshme më shpejt seç e kemi besuar.

Lajmi më i keq, pa dyshim, i lidhur në formë indirekte me virusin qe vetëvrasja e të riut 26 vjeç i cili, një ditë pasi u vendos në karantinën e Qendrës së Studentëve, u hodh nga kati i pestë. Arsyet e një veprimi të këtillë mbase edhe nuk do t'i marrim vesh kurrë si duhet. Porse ngjarja tragjike u shndërrua në temë për përplasje politike dhe kërkesë për shkarkimin apo dorëheqjen e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Vitia.

Prokuroria e ka marrë rastin për hetim dhe shpresohet se shpejt do të mund të dalë një raport që mund t'i hedhë dritë kësaj vdekjeje në kohën e ngujimit dhe luftës kundër një diçkaje që nuk shihet me sy.

Lufta në Kushtetuese

Dje ishte dita e fundit për komentet që subjektet politike dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore mund t'ia nisnin Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin e ngritur nga VV-ja pas dekretimit që Thaçi ia bëri Hotit javën e shkuar.

Edhe një herë më duhet ta përsëris se veprimi i Kushtetueses në ditë pushimi dhe marrja e masës së përkohshme e shpëtoi Kosovën nga një problem edhe më serioz. E gjithë loja e Thaçit në koordinim me LDK-në besoj kishte për qëllim nxitjen e trazirave kot dhe natyrisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kërkesa që nuk iu realizua Thaçit para sa javësh, me gjasë, do t'i ketë mbetur zhig, e këtu e ka parë mbase shansin që ta vishte krejt uniformën, e jo veç pjesën e sipërme, dhe të komandonte me FSK-në si komandant i ushtrisë.

Do të mund të thuhej se LDK-ja do të pranonte ta votonte edhe gjendjen e jashtëzakonshme, vetëm e vetëm sa për ta marrë postin e kryeministrit dhe ta udhëhiqte një Qeveri të re, me partnerë të rinj, dhe mbase me një program të ri politik, që prioritetin e parë do ta kishte, sipas asaj që e kanë deklaruar, luftën me pandeminë.

Derisa të vijë vendimi i Kushtetueses, gjasat janë se shumë nga masat restriktive të imponuara si nevojë për ta ruajtur shëndetin do të jenë hequr. Pra, pjesa e parë e luftës mbase do të përfundojë me një rezultat që krejt e kishim shpresuar, e nuk e kishim ditur se do të mund ta arrinim: që numri i të infektuarve të ishte më i ulët se 1000 dhe se numri i të vdekurve të ishte sa më i ulët i mundshëm. Deri në çastin kur po shkruhet kjo kolumne, në Kosovë kanë vdekur 28 njerëz nga COVID-19, prej 861 të infektuarve, pra rreth 3,25%.

Pra, lufta e LDK-së kundër COVID-19 disi tingëllon edhe absurde e edhe e vonshme - duke e pasur parasysh se në mes të pandemisë e rrëzuan Qeverinë në të cilën vetë bëjnë pjesë (ende), dhe të njëjtën ditë kur u paraqitën 79 raste të infektuara e nisën "votimin" e brendshëm për krijimin e koalicionit të ri. Kësaj mbase duhet shtuar edhe se ky veprim është hipokrizi e llojit sui LDK.

Pacolli

Dy-tri ditë pasi Kushtetuesja vendosi për masën e përkohshme, u lajmërua Pacolli, tash me kërkesë që të kthehej prapa në Zvicër. Është shumë e çuditshme se si kësaj radhe nuk iu frikësua sulmit terroristik duke e pasur parasysh se ata që ia kishin dhënë lejen për të aterruar, kurse tash lejen për të fluturuar janë të njëjtët.

Kur e kuptoi se për kot na e kishte montuar shfaqjen më bizare që kemi pasur mundësi ta shikonim në shumë vjetët e shkuar, vendosi të kthehej nga kishte ardhur, me gjasë për ta përgatitur edhe një dramë andej nga 27 maji, kur do të afrohej afati i fundit i Kushtetueses për të marrë vendim.

Do ta përdorë aeroplanin e vet privat sërish. Duke qenë deputet, nuk e di a do të ketë mundësi që të aplikojë për refundim mjetesh në emër të udhëtimit dhe eventualisht mëditjeve - ngase këtë sakrificë vajtje-ardhjesh e bën për shtetin (nuk e përcaktojmë cilin).

Sepse puna e mëditjeve dhe udhëtimeve të tija si ministër i Jashtëm i Qeverisë së shkuar dhe i vartësve e këshilltarëve të tij e ka thyer rekordin e shpenzimeve marramendëse me rezultate jo zero, por rezultate minus.

Për dy vjet, ai bashkë me stafin i shpenzuan hiç më pak se 750 mijë euro në bileta aeroplani kurse ai, vetëm, i shpenzoi 100 mijë euro në hotele. Gjatë mandatit të ministrit më të keq të Jashtëm që ka pasur Kosova ndonjëherë, shteti u njoh nga dy shtete dhe u çnjoh prej, thuhet, dhjetë shteteve. Pikë.

Hamendësohem, po të na kishin pranuar më shumë shtete, sa milionë ishin harxhuar për shëtitjet, room serviceat, hotelet me pesë yje - në emër të patriotizmit e shtetësisë? Nuk kisha dashur as ta parafytyroja shifrën.

Inati

Një tjetër që ka qenë ministër i Jashtëm po aq i dështuar, tash i ulur në kolltukun e kryetarit të shtetit, ka javë që nuk e ndërmerr asnjë hap për kthimin e personelit diplomatik që qëndron jashtë në kundërshtim me ligjin. Nuk kishte ndërmarrë asgjë as në ato 50 ditë sa Kosova pati Qeveri për ta emëruar dikë të pranueshëm për Britaninë e Madhe si ambasador.

Në kohën kur Kosova funksiononte me Qeveri në dorëheqje, dikush u emërua për ambasador në Britani, dhe shteti britanik nuk ia dha pëlqimin - mu për shkak të mungesës së legjitimitetit së asaj qeverie. Emërimin nuk ka mundur ta bënte askush tjetër pos Thaçit me dekret. Po këtij mjeti të cilin është dashur ta përdorte për t'i kthyer ambasadorët politikë, me kërkesën e ministrit të Jashtëm para se të votohej mocioni.

Tash çfarëdo emërimi për ambasadorë do të vuante nga mungesa e njëjtë e legjitimitetit të Qeverisë, prandaj Kosova do të vazhdojë të funksionojë në disa vende me të ngarkuar me punë për periudha më të gjata seç i parasheh Konventa e Vjenës. Po fundja, ky është ajo që më së paku i intereson Thaçit.

Atij i intereson të thotë se Kushtetuta ia jep fuqinë e përfaqësimit të Kosovës në raporte ndërkombëtare - pra që është njëfarë lloj shefi i politikës së jashtme. Duke e pranuar kështu, me apo pa vetëdije, se ato 10 çnjohjet e kohës së Pacollit janë edhe rezultat i "punës" së tij diplomatike.

Së fundi kuptuam se kishte marrë pjesë në Samitin e Zagrebit me videokonfrencë - dhe doli na tha në konferencë për shtyp se e kishte kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën. E seç m’u kujtua nëntori i 2010-s dhe premtimi i tij kategorik se liberalizimi do të ndodhë brenda 15 muajsh. E mandej m'u kujtuan shampanjat e festimet e liberalizimit që nuk ndodh se nuk ndodh, sepse nga arsyet kryesore se pse Kosova nuk ka liberalizim është pikërisht Thaçi.

Normaliteti

Po na thonë se së shpejti do t'i kthehemi normalitetit. Sinqerisht, nuk është se dolëm fort nga normaliteti edhe këto tetë javë sa u "zhvillua fushata" rri n'shpi - e kur po e them këtë, natyrisht se po mendoj në politikën e çmendur të këtij vendi. Për politikën kosovare është normale të krijojë kriza dhe të funksionojë brenda tyre, se me gjasë ndryshe nuk dimë. Për shembull, normale për ne është që për mospunë kronike të Kuvendit deputetët të vazhdojnë të shpërblehen me rrogat e plota pa iu bërë vër syri - pse jo, kur munden.

Po nejse, ajo pjesa tjetër, jopolitike, e ngujimit nëpër shtëpi për t'i ikur virusit, nuk ka qenë normale, ka qenë e jashtëzakonshme dhe befasisht, do të mund të thuhej, e respektuar në masë të madhe nga qytetarët. Që nuk e di a është shumë normale. Sidoqoftë, tetë javë ngujimi duket se e dhanë efektin e vet pozitiv dhe tash kemi ardhur te pika kur duhet vendosur si tutje.

Personalisht, kthimin në "normalitet" do ta pres me jo pak mërzi. Do të më mungojnë zogjtë cicërues; pastërtia e ajrit; rrugët me shumë pak vetura; hapësira e mjaftueshme për parking; qetësia absolute e kafiqave që t'i qesin trutë prej vendit natën; trotuaret e pastra pa fara të turlillojshme; Komiteti pa makinën e boksit; parku rreth Zahirit me bar të gjelbër e të pashkelur; sheshi para Grandit pa vetura elektrike; rruga kryesore pa shitës ambulantë e lypsarë; dalja nga Prishtina kah Veterniku për 5 minuta...

Shumë e besoj se me një organizim të përkushtuar, të këtillë si ky i treguar gjatë pandemisë, Prishtina mund t'ia dalë të bëhet qytet më i mirë dhe më i pastër seç ka qenë para pandemisë.

Edhe kjo pandemi e tregoi se kokat tona të forta mund të zbuten atëherë kur iu kanoset rreziku dhe kur ia kanë frikën një diçkaje. Kështu pra, për të futur rend në qytet, duhet instaluar frikën e xhepit. Jo rrallë është treguar shumë e efektshme.

flaka@koha.net