OpEd

I dashur virus

I dashur virus, më mirë se kurdo na mësove se edhe politika e ka vlerën e vet shumë më të zvetënuar sesa e kishim menduar

Sfida më e madhe në botën e pandalshme sot është të rrish i palëvizshëm. I palëvizshëm për të jetuar. Ky është paradoksi që nuk e kishim menduar, por që po i përshtatemi me gjithë energjitë. Në fakt moslëvizja, apo si quhet në terminologjinë ndërkombëtare “tonic immobility”, është një strategji instinktive mbijetese për disa kafshë. Gjarpri, për shembull, është aktor i shkëlqyer, sapo ndien afër rrezikun ngrin dhe qëndron ashtu derisa çdo gjë të qartësohet. Bretkosa braziliane shtiret si e vdekur (thanatosis), kur ndien rrezikun. Specia jonë si ajo më superiorja që njohim deri tani detyrohet të rrijë e mbyllur në praninë e një predatori si COVID-19 që brenda pak ditësh po ngufat gjithë botën.

Është hera e parë që një vend si Kosova të jetojë në kushte të barabarta karantine me gjithë vendet e botës, secila e mbyllur në strofullin e vet, në luftë për mbijetesë. Është një luftë globale ku për herë të parë jemi të gjithë aleatë ndaj predatorit të panjohur që po na rrëmben para syve jetën e njerëzve tanë më të dobët, ata që na dhimbsen më shumë pikërisht për këtë arsye.  I dashur virus, të drejtohem kështu se ti je armik inteligjent, i cili e meriton të trajtohet me respektin e duhur. I vendosur në sulmin tënd po na e shkatërron ekonominë, me një të rrahur qepallash i godite bursat që i pamë të rrëzoheshin sikur të ishin kulla prej rëre, ndoshta edhe ishin të tilla e ti na bëre t’u shihnim fytyrën e vërtetë. Ja, ne po vazhdojmë të jetojmë edhe pa atë pasuri. Ky ishte një mësim i madh historik, të gjitha gjërat kanë aq vlerë sa ne u japim.

Ja si ndodhi renditja e re e vlerave, ku çdo gjë rimori vendin e vet. Brenda pak javëve karantine kuptuam se mund të jetonim pa shumë gjëra të cilat qëndronin në majë të prioriteteve tona, duke nënvlerësuar elemente fondamentale të jetës. Për herë të parë shtëpitë tona po i jetojmë plotësisht duke  vlerësuar për çdo kubik hapësire në to, çdo mobilie që qëndron aty për një arsye të caktuar, çdo instrument që tani kemi fatin ta kemi.

Për herë të parë ne po jetojmë familjen në kuptimin e plotë të fjalës. Po mësohemi të jetojmë bashkë me gjithë divergjencat që kemi. Karakteret tona të komplikuara papritur u thjeshtësuan duke na lejuar komunikimin. Pamë se gjërat që na bashkojnë janë shumë më të forta se ato që na dallojnë. Kjo është një mrekulli, po, një mrekulli. Kur njeriu mëson të dojë njerëzit e vet, jo vetëm në mënyrë instinktive, por mëson ta zhvillojë dashurinë në përmasa inteligjente, apo si quhet ndryshe empatinë, atëherë ai do bëhet individ i vlefshëm edhe në shoqëri, në punë, në politikë.

Që ti je një virus kokëfortë, pa pikë respekti për hierarkinë tonë tokësore kjo po shihet. Po jetojmë ditët kur liderë politikë që të injoruan e u tallën me ty kanë ardhur t’i qërojnë drejtpërdrejt hesapet në terapi intensive. Aty po e shohin me sytë e tyre mizorinë tënde. Ti je vërtet një virus i pamëshirshëm kur njerëzit i vë nën kthetra. Ky është aspekti yt që të bën më pak dinjitoz, ti shkel më të dobëtin.  Ky aspekt i karakterit tënd diktatorial do na zhvillojë më shumë mendjen për të ta gjetur antidotin e besomë se do t’ia dalim. Historia na ka mësuar se diktaturat sado të tmerrshme janë jetëshkurtra.

I dashur virus, këtu në tokë ne themi “te e mira jeton e keqja dhe te e keqja jeton e mira”. Ti na e dëshmove edhe një herë vërtetësinë e kësaj aksiome. Këto ditë më shumë se kurrë mësuam se njerëzit nuk janë bardhezi, nuk janë uniformë, nuk mendojnë e nuk reagojnë njësoj ndaj situatave. Mbasi koha nuk na ka munguar të analizojmë sjelljet e të tjerëve e më shumë të tonat, kuptuam se diçka që për dikë është e drejtë, nuk është e thënë të jetë e drejtë për të tjerët. Pamë se edhe brenda mureve të një shtëpie të vogël mund të jetojnë në harmoni dy të drejta të ndryshme kur ekziston respekti i ndërsjellë. Këtë në politikë ne e quajtëm me termin demokraci e ndoshta është koncepti më i lartë me të cilin denotuam aftësinë e qenies njerëzore për të bashkëjetuar me mendimet, qëndrimet dhe sjelljet e ndryshme të të tjerëve. Mësuam se edhe demokracia ka rregulla të ashpra e kushdo që nuk iu bindet përjashtohet, njësoj si në diktaturë. 

Me këtë nuk dua të të them që demokracia është e vetmja e mirë pa asnjë të keqe brenda. Oh, jo, edhe demokracia numëron mëkatet e saj që shpesh e shpunë njerëzimin drejt gabimeve  fatale që prodhuan pareshtur luftëra të padrejta. Ti virus që je kaq i mençur dhe që po udhëton në gjithë botën, çfarë mendon për sistemin tonë të zgjedhjeve? A të duket e drejtë që vota e një njeriu të ditur e të mençur të vlejë njësoj me votën e një njeriu të paarsimuar? Në këtë botë ku sistemi i arsimit qëndron në formë piramidale, ku bazën e përbën pjesa më pak e shkolluar e shoqërisë, ndërkohë që në majë, me numra shumë më të vegjël qëndron pjesa më e ditur e saj, a nuk të duket sikur kemi një problem me përqindjet në kutitë e votimit? Sa herë ndihemi të turpëruar me plot deputetë e liderë politikë që na përfaqësojnë, aq herë vetëdijesohemi për përqindjen e lartë që ka baza e piramidës në vendin tonë. 

I dashur virus, më mirë se kurdo na mësove se edhe politika e ka vlerën e vet shumë më të zvetënuar sesa e kishim menduar. Në fakt ajo çdo ditë po merr përmasën e një tullumbaceje që po na shfryhet para syve, ndërkohë që profesionistët po rimarrin pozitat e tyre, duke ia lënë vendin e parë shkencës. E si mos të të falënderoj për këtë? Unë jam një fëmijë i rritur me dy prindër mjekë e kjo nuk ka qenë aspak një privilegj, përkundrazi. Turnet e natës e shërbimet e gjata nëpër zonat e thella të Shqipërisë që ne e quanim Socialiste më kanë gdhendur në kujtesë një fëmijë që jeton në një shtëpi që asnjëherë nuk është vetëm e tija, në çdo moment të ditës a natës dikush do të trokasë te dera për ndihmë, dhoma jote e vogël shpesh do të shndërrohet në ambulator e në krevatin tënd do të shtrihen plot pacientë të njohur e të panjohur. E di ti çfarë do të thotë të jesh adoleshent në këto kushte? Kur të detyrojnë të dalësh urgjent nga dhoma se një grua shtatzënë ka ardhur te dera me hemorragji e dhimbje? Jo, ti nuk e di e as do ta dish se jeta jote ka me qenë tepër e shkurtër për ta arritur atë fazë, por një gjë po ta them publikisht: faleminderit që e riktheve në shoqëri dinjitetin e mjekut!

E çka pas kësaj? Çka pas karantinës? Kjo është pyetja më e pashmangshme që ia bëjmë vetes, si ata nxënësit e dobët që nuk e mësuan asnjëherë mirë mësimin. Veton Surroi në një roman të tij shkruan se njeriu është kafsha e vetme e projektuar në të ardhmen. Ndoshta ka të drejtë, të paktën derisa të hyjmë në mendjen e kafshëve, nëse kjo do të ndodhë një ditë, por për këtë kam shumë dyshime. Kam dyshime për shumëçka që na solli deri tani zhvillimi, teksa një virus idiot si ti arrin të paralizojnë botën duke na gjetur totalisht të papërgatitur.  CyanMagentaYelloëBlack.